Nagavci akuzon LDK se po tenton të formojë një qeveri të varur nga Beogradi
Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, deklaroi sot se Lidhja Demokratike e Kosovës po tenton të formojë një qeveri të re në mënyrë të jashtëligjshme dhe të varur nga Beogradi.
Nagavci, e cila është edhe nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, tha se janë duke pritur letrat zyrtare ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe LDK-së, për të parë mënyrën e veprimit të tyre.
“Për fat të keq prej një qeverie e cila ishte e pavarur prej ish-partive PAN dhe Listës Serbe, po tentohet të krijohet një qeveri e varur nga Beogradi”, tha ajo.
Nagavci tha se partia e saj do të mbrojë vullnetin e qytetarëve që kanë votuar në zgjedhjet e vitit të kaluar.
“Ju e dini që në ditët e fundit zoti Thaçi i ka dërguar 5 letra zotit Kurti, madje i ka dërguar nga dy letra në ditë teksa ende nuk kanë bërë publike letrën e dërguar LDK-së. Ne besojmë që ata janë duke u munduar që në mënyrë të jashtëligjshme, duke shkelur Kushtetutën të shohin mundësinë për krijimin e një qeverie të re. Reagimi ynë do të jetë në varësi të letrave zyrtare, qoftë në letrën që i dërgon LDK-së për të propozuar mandatarin, qoftë dekretin e presidentit”, tha Nagavci.
Këto komente Nagavci i bëri gjatë homazheve te Memoriali i personave të pagjetur në sheshin “Ibrahim Rugova”.
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur, Nagavci shprehu obligimin institucional për të vënë drejtësinë në vend për krimet serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë.
“Edhe sot institucionet nuk kanë bërë as për së afërmi atë që është e nevojshme për zbardhjen e fatit të të pagjeturve – vënien e drejtësisë në vend. Kemi obligim secili prej nesh që të japim maksimumin që drejtësia të vihet në vend”, tha Nagavci.