Nagavci përgjigje për LDK-në: Konjufca është në vendin e duhur!
Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci, ka thënë se kryetari i këtij institucioni do të kryejë me përkushtim detyrat dhe në të mirë të vendit.
Nagavci shtoi se “ai ka marrë përsipër misionin që të udhëheq Kuvendin dhe të kthejë dinjitetin në institucionin më të lartë të vendit. Të drejtojë me profesionalizëm seancat, të largojë përfundimisht gjuhën fyese, denigruese e të urrejtjes nga foltorja e kryeparlamentarit”.
Ajo po ashtu ka thënë se me LDK-në duhet të shtojnë e forcojnë bashkëpunimin në mënyrë që të rrisin besimin, shkruan IndeksOnline.
Postimi i plotë:
Përfaqësimi partiak nuk mund të jetë më i rëndësishëm se respektimi i rendit kushtetues.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës është pozitë kushtetuese. Me votat e 75 deputetëve ne kemi zgjedhur zt. Glauk Konjufca të na përfaqësojë në këtë detyrë dhe ai tashmë ka marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë.
Jam e bindur që gjithë dijet, kapacitetet dhe njohuritë e tij, zt. Konjufca do t’I vë në shërbim të kryerjes me përkushtim të detyrave dhe në të mirën e vendit.
Angazhimi jonë i përbashkët duhet të jetë që Kuvendit t’I kthehet besueshmëria, serioziteteti e profesionalizmi dhe zt. Konjufca tashmë ka marrë mandatin që të jetë në krye të këtij misioni.
Çdo kërkesë për kthim prapa është shkelje e parimit të demokracisë, cënon vullnetin e deputetëve dhe godet që në fillim betejën për mënyrën e ndryshimit të qeverisjes, për çfarë morëm mandatin nga qytetarët e vendit.
Andaj është e padrejtë, pra dhe e papranueshme kërkesa për dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit . Nuk ka asnjë arsye serioze dhe parimore se pse duhet të shqyrtohet një kërkesë e tillë.
Zt. Konjufca është zgjedhur në atë pozitë, ai ka mandat. Është përgjegjësi e tij e jo privilegj. Ai ka marrë përsipër misionin që të udhëheq Kuvendin dhe të kthej dinjitetin në institucionin më të lartë të vendit. Të drejtoj me profesionalizëm seancat, të largoj përfundimisht gjuhën fyese, denigruese e të urrejtjes nga foltorja e kryeparlamentarit, të trajtojime seriozitet e sipas rregullores punën e Kuvendit, me dashamirësi opozitën e me integritet të gjithë bashkëpunëtorët.
Beteja për t’i kthyer dinjitetin Kuvendit është vetëm një nga punët e mëdha që duhet të kryejmë, nga premtimet që u kemi dhënë qytetarëve. Kemi shumë punë tjera po aq të rëndësishme, shumë beteja për të fituar.
Me LDK-në duhet të shtojmë e forcojmë bashkëpunimin, të rrisim besimin ashtu që të përballojmë me sukses presionin që mund të kemi përball luftimit të krimit e korrupsionit, përballë proceseve të rëndësishme që do të kemi, ashtu që të shofim gjithmonë interesin më të mirë të Republikës së Kosovës. Nuk është rruga e duhur që të bëjmë presion tani duke vendosur kushte të pakapërcyeshme, duke vënë interesat partiake mbi interesat e vendit.
Glauk Konjufca është njeriu i duhur në vendin e duhur, është obligim I joni që sa më parë të plotësojmë pozitat tjera të lira qeverisëse me njerëz kompetent, të ndershëm e me integritet dhe fillojmë punën për zbatimin e programit qeverisës.