fbpx
Lajme

Nagavci përkrahte grevën e mësimdhënësve katër vjet me parë, tash i kundërshton 

Sot sektori i arsimit publik e ka filluar grevën. Greva ka nisur nga sistemi parashkollor, kurse mësimdhënësit do të jenë në vende të punës, por nuk do të kryejnë asnjë detyrë që do ta kryenin në rrethana normale. Grevat që dikur përkraheshin nga Lëvizja Vetëvendosje sa ishin në opozitë, tani po kundërshtohen nga kolltuku i pushtetit, raporton Paparaci.

E për këtë çështje, kryetari i këshillit grevist të BSPK-së, Rrahman Jashari ka paralajmëruar se deri në realizimin e kërkesave të tyre, në grevë do të përfshihet i gjithë sistemi arsimor.

Ai ka thënë se nuk dihet se kur do të përfundojë greva, derisa i bën thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë qasjen dhe të realizojë kërkesat për mbështetje prej 100 euro për sektorin publik.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci përmes një postimi në Facebook ka shkruar se gjatë një viti e gjysmë qeverisje kanë realizuar një mori punësh e u janë përgjigjur edhe shumë emergjencave që vijnë si rezultat i gjendjes në të cilën e kanë gjetur sektorin e arsimit dhe është shprehur kundër grevës.

Por, për dallim nga tash, ajo më 2015 e mbështeste grevën që e paralajmëronte SBAShK-u.

Nagavci në konferencë për media asokohe deklaronte që janë mësimdhënësit që duhet tu rriten paga e jo qeveritarë.

“Disa nga problemet kryesore në sektorin publik në Kosovë janë kaosi me pagat e të punësuarve, pabarazia në paga për pozita ekuivalente, jotransparenca gjatë klasifikimit të pozitave, por edhe diskriminimi për kategori të caktuara. Është e papranueshme për ne që projektligji parasheh rritje të pagës për, deputetët, presidentin e qeveritarët përderisa kategori të caktuara të punëtorëve të arsimit rënditen me pagë më ulët madje edhe se shoferët dhe ata që punojnë si mbrojtje e afërt e qeveritarëve”, kishte deklaruar Nagavci asokohe si deputete.

Madje Nagavci kërkonte që të bëhej presion nga prindërit e gjithë shoqëria mbi qeverinë për cilësi e mësimdhënie cilësore.

“Presioni i prindërve dhe i gjithë shoqërisë duhet të jetë mbi Qeverinë për krijimin e kushteve, për mësimdhënie cilësore. Situata që e kemi sot në arsim, përfshi dhe rezultatet e fëmijëve tanë në testin PISA janë pasqyrë e degradimit që këto qeveri i kanë bërë arsimit, e ndërhyrjeve të mëdha partiake në të gjitha nivelet e shkollimit që nga çerdhet e deri në fakultete, që nga pas lufta e deri sot. Situata në arsim mund të përmirësohet, por jo me këtë përbërje të qeverisë e cila është e fokusuar të pagat e veta dhe ku Ministria e Arsimit është bërë çerdhe për punësimin e militantëve partiakë”, deklaronte asokohe Nagavci.

Kurse tash si ministre e Arsimit, Arbërie Nagavci jo vetëm që nuk po i mbështet kërkesat e sindikalistëve, ajo ka filluar një tur nëpër komuna në takime me DKA-të dhe mësimdhënës.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj këto vizita i ka vlerësuar si neglizhim të sindikatës që ai e drejton dhe vazhdimisht ka kërkuar dialog, sindikatë- MASHT.

Edhe shefi i Nagavcit, Kurti të mërkurën deklaroi se është koha për punë e jo për greva, teksa u çoi mesazh sindikalistëve që mos të kërcënojnë me diçka të tillë.

Ai para gazetarëve shtoi se janë në komunikim të vazhdueshëm me sindikatat për t’i parë nga afër kërkesat e tyre.

“Andaj, duam të vazhdoj dialogun social, por nuk mendojmë që është koha për grevë Duhet të ketë emancipim, jemi për dialog social pa kërcënime”, tha ai para gazetarëve.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close