Nënkryetari në tentativë i Komunës së Prishtinës Rrahim Pacolli i kërkon 100 mijë euro nga Arbana Xharra
Sekretari i AKR-së, Rrahim Pacolli, ka ngritur padi ndaj ish-gazetares Arbana Xharra për, siç thotë ai, shpifje ndaj tij nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale. Ai ka kërkuar nga Xharra 100 mijë euro kompensim.
Kjo është bërë e ditur nga vetë Pacolli nëpërmjet rrjeteve sociale. Pacolli është përfolur shumë për marrëveshjen e AKR-së me Vetëvendosjen për balotazh. Sipas kësaj marrëveshjeje, kuloareve përflitej se ai do të merrte pozitën e nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, nëse kandidati i VV-së Shpend Ahmeti do të dilte fitues i zgjedhjeve.
Sipas tij, padia është ngritur për dëmshpërblim ndaj dëmit moral që është bërë ndaj tij.
“Siç edhe kam paralajmëruar, sot kam ngritur padi ndaj Arbana Xharrës e cila me disa publikime në rrjetet sociale ka shpifur ndaj meje. Padia ime është ngritur për dëmshpërblim ndaj dëmit që i është bërë personalitetit, nderit dhe moralit tim. Rr.P”, ka shkruar Pacolli.