Nga vërshimet në Gjermani humbën jetën 130 persona, fajet nuk i ka Sami Lushtaku
Nga përmbytjet në Gjermani numri i të vdekurve kishte arritur në 133 në vitin 2021, ndërkaq numri i viktimave nga përmbytjet në gjithë Evropën Perëndimore arriti në 150.
Gjermania dhe Belgjika janë shtetet më të goditura evropiane nga përmbytjet, ku në Belgjikë janë raportuar të paktën 20 të vdekur.
Shirat e rrëmbyeshëm që përmbytën mbi 20 qytete dhe komunitete në Gjermani dhe Belgjikë kanë shkatërruar rrugë dhe qasja në internet dhe shërbimet telefonike është ndërprerë po ashtu, duke e bërë edhe më të vështirë që të vlerësohet numri i të zhdukurve.
Mjafton disa kërkime në google, dhe lehtësisht mund të vërtetohet se si reshjet e shiut dhe vërshimet e mëdha kanë tronditur shumicën e vendeve të zhvilluara në botë.
Pavarësisht se gjithandej Kosovës ka probleme me vërshimet, respektivisht përmbytje, me Drenicën filluan talljet dhe thirrjet raciste. Problemet natyrore i kthyen në betejë politike për të sulmuar liderin e Drenicës z. Sami Lushtaku.
Komentet fyese ndaj Drenicës janë shfaqur sërish pas vërshimeve në Skenderaj. Shumë analistë e quajtën racizëm krahinor, e disa vunë në spikamë paragjykimet kulturore e politike ndaj rajonit që dha shumë për Kosovën. Por kjo shpërfaqje raciste nuk është asgjë e re, sepse komentet negative ndaj Drenicës ekzistojnë së paku që 70 vite, të cilat u ngjizën nga ish-sistemi komunist që sundoi Kosovën për dekada. Pse gjithë kjo urrejtje, padurim e paragjykim ndaj Drenicës?
Që në krye të herës, duhet theksuar se krejt kjo ndërmarrje përçmuese ndaj Drenicës ka lindur nga pushteti i Fadil Hoxhës, lider komunist, i cili përdorte terme pezhorative ndaj Shaban Polluzhës, drenicasit më të famshëm të gjysmës së parë të shekullit 20-të. Ndërsa ajo u mirëmbajtë pas luftës së fundit nga jugonoslatgjikët dhe pasardhësit biologjikë të ish-nomenklaturës komuniste të Kosovës.
“Analfabet, banda e Polluzhës, shërbëtor i okupatorit…”
Fadil Hoxha, komunisti nga Gjakova, nuk e ka fshehur asnjëherë padurimin ndaj figurës së Polluzhës, por edhe të kryengritësve tjerë nacionalistë. Në librin “Fadil Hoxha në veten e parë”, që ka edhe shënime e parathënie të Veton Surroit, gazetar e pasardhës i Rexhai Surroit, lider komunist e diplomat gjatë regjimit të Titos, përdoren terme denigruese ndaj figurës së Polluzhës.
Aty përshkruhen luftimet me grupet e Shaban Polluzhës, të cilat cilësohen banda, që ka kuptimin e një grupi të bashkuar për vjedhje, vrasje e krime të tjera. Ndërsa vetë Polluzha vlerësohet si analfabet, shërbëtor i okupatorit gjerman, pra si një përkrahës i nazizmit.
“Bëmë çdo gjë që mundëm, ne në Shtabin Operativ dhe shokët në Byronë e Komitetit Krahinor të PKJ-së, që të mos ndodhnin konfliktet me grupet e Shaban Polluzhës dhe Adem Vocës, mirëpo pa sukses.” – shkruhet fillimisht në libër.
Hoxha në këtë libër shpjegon edhe momentin se si erdhi deri te vendimi për “shkatërrimin e bandës së Polluzhës”.
“Bëmë vlerësimin e gjithanshëm të situatës dhe shkruam urdhrin, në të cilin caktuam brigadat që do të vepronin rreth Drenicës në mënryë që kryengritja të mos zgjerohej edhe në viset e tjera. Pos Brigadës së Parë, e cila gjendej atje, caktuam edhe të dytën dhe dhamë detyra konkrete për sulm të përgjithshëm dhe për shkatërrimin e bandës së Shaban Polluzhës, në rast se do të na sulmonin.” – shkruhet tutje.
Aty përshkruhet momenti i luftimeve, teksa Hoxha synon të revidojë historinë, duke pretenduar se tentoi të evitonte përplasjen e armatosur me kryengritësit e Polluzhës. Aty akuzohet edhe populli i Drenicës, si përkrahës të një shërbëtori të okupatorit e “kriminelit të luftës”.
“Luftimet me ato banda ishin shumë të ashpra, posaçërisht me njësitë e Shaban Polluzhës nëpër Drenica, të cilat kanë pasur përkrahjen e shumë fshatrave të Drenicës.” – shkruan Hoxha në faqen 251, teksa flet se tentoi të evitonte përplasjen.
Hoxha e shpjegon edhe momentin e vrasjes së Polluzhës, teksa rrëfen për vrasjen e tij dhe të të birit të liderit drenicas.
“Lufta kundër asaj njisie, si quhej, të Shaban Polluzhës, nji pjesë e të cilës shpejt asht shpërnda, ka ikë, por nji pjesë e tyne kanë luftue kundër nesh, sidomos Mehmet Gradica edhe të tjerë, si edhe Shabani. Asht vra Shabani, asht vra i biri. Kjo ka zgjatë nja nji muej ditë, por aty janë vra edhe bukur do partizanë tanë. Nuk e di numrin tamam.” – kujton Hoxha.
Përveç Polluzhës, në këtë libër flitet edhe për Mehmet Gradicën, një tjetër figurë e rëndësishme e Drenicës. Hoxha ka qëndrim krejtësisht anatemues ndaj kësaj figure, duke e quajtur kriminel lufte. Me kalimin e faqeve, dehumanizimi i rajonit të Drenicës bëhet edhe më i qartë. Hoxha e cilëson më të afërt një udhëheqës serb të luftës, me emrin P. Brajeviq, të cilin lideri komunist e vajton, duke shkruar për plagosjen e tij nga “bandat e Polluzhës”.
“Në luftë u vranë shumë njerëz tanë. Është plagosur edhe P. Brajeviqi” – shkruan Hoxha.
Natyrisht, padurimi ndaj Drenicës ka të bëjë edhe me humbjen e privilegjeve ekonomike e politike që për burim kishte pozitën sunduese të familjeve komuniste në kohëne Fadil Hoxhës. Pas lufte, si pasojë e një subkulture snobiste, kanë lindur shumë rrëfenja paragjykuese e steriotipizime ndaj politikanëve, por edhe qytetarëve, nga rajoni i Drenicës. Këto paragjykime, që janë ndërtuar gjatë kohës së komunizmit hoxhian, do të vazhdojnë të “vërshojnë” opinionin publik në raste, sikurse ndodhi pas vërshimeve në Skenderaj.
Një interpretim të ngjashëm në lidhje me burimin e racizmit ndaj Drenicës e ka dhënë edhe Adri Nurellari, zyrtar i PDK-së.
“Që prej fillimit të pushtimit të Kosovës në 1912 Drenica ka qenë një qendër rezistence e papërkulur brez pas brezihe kjo është arsyeja pse jugosllavët si dhe kolaboracionistët shqiptarë shërbëtore të tyre, kultivuan përçmim dhe e lanë të pazhvilluar duke mos investuar në atë rajon.” – ka shkruar ai.