fbpx
Lajme

Një ‘polic nga Gjilani’ në mënyrë misterioze kërcënon gazetaren e cila ishte duke hulumtuar një rast për lirim nga karantina

Kur gazetarja e Periskopit Yllka Ahmetxhekaj nisi të hulumtonte një çështje që ka të bëj me të liruarit nga karantina te Qendra e Studentëve në Prishtinë, nuk kishte besuar që do të ndërpritej në gjysmë të punës nga Policia e Kosovës.

Gjatë ditëve të kaluara, ajo po kryente një hulumtim për të parë se a kishte pasur shkelje të mundshme nga autoritetet me rastin e lirimit nga karantina të një qytetareje.

Gazetarja Ahmetxhekaj kishte biseduar me një qytetare (emër i njohur për redaksinë) dhe babain e saj (po ashtu) i cili madje i kishte dhënë numrin e kontaktit të së bijës.

Por, pas këtyre bisedave normale ajo ishte thirrur në mënyrë misterioze nga një zyrtar i Policisë së Kosovës që nuk pranoi të identifikohej edhe pse tregoi se ishte pjesë e Njësisë Hetimore në Gjilan.

Ky i fundit i kishte thënë znj.Ahmetxhekaj thjesht se “keni kryer vepër penale” në lidhje me kontaktimin e qytetares në fjalë – pa treguar se për çfarë vepre penale bëhej fjalë, edhe pse i kishte përmendur rastin e kontaktimit të qytetares së përmendur më lart.

Gazetarja duke dashur të kuptojë më shumë për telefonatën pyeti avokatin e njohur Arianit Koci i cili deklaroi se “nuk kishte kryer kurrfarë vepre” me rastin e kontaktimit të qytetares.

Kryeredaktorja e Periskopit më vonë thirri në Njësinë e Hetimeve në Gjilan për të kuptuar më shumë mbi rastin, por ata nuk kishin njohuri për emrin e policit që e kishte bërë thirrjen. Natyrisht, është e pakuptueshme se si në Polici nuk mbahen regjistra mbi thirrjet që bëhen nga numri zyrtar.

Përgjatë muajve të kaluar Periskopi ka marrë sulme të shumta në formë ofendimesh e kërcënimesh nga shumë qytetarë por Policia e Kosovës përkundër që këto kërcënime shumicën e kohës ishin publike nuk ka marrë asnjë veprim.

Pengimi në punën e gazetarëve do të duhej të hetohej nga organet kompetente. Periskopi do ta lajmërojë rastin në Inspektoriat të Policisë duke mos përjashtuar mundësinë edhe të angazhimit të avokatit deri në zbulimin e autorit të këtij kërcënimi. /Periskopi

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close