Një qytetar duke u prezantuar si i biri i Sami Lushtakut, mashtroi Hisen Berishën, Rrustem Berishën e të tjerë
2016: Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, e ka dënuar me një vit burg efektiv dhe me 800 euro gjobë, të akuzuarin për veprat penale të mashtrimit në vazhdimësi, Ramadan Bunjaku.
Bunjaku akuzohet se gjatë viteve 2015 dhe 2016, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, i kishte mashtruar në vazhdimësi disa persona duke iu prezantuar rrejshëm si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dhe në njërin rast edhe si i biri i ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut.
Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi i çështjes, Hanefi Jashari, i cili fillimisht i shqiptoi të akuzuarit Bunjaku dënim me burg nga katër muaj për secilën nga katër veprat penale, si dhe me gjobë nga 200 euro për secilën vepër, e në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej një muaji.
Ndërsa si dënim unik, të akuzuarit Bunjaku i’u shqiptua dënimi me burg prej 12 muajve dhe me gjobë prej 800 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi ndaj Bunjakut u shpall pasi fillimisht i njëjti e ka pranuar fajësinë për veprat penale të cilat i ngarkoheshin.
Në pyetjen e gjykatësit Jashari se, a ju kishte kthyer paratë të dëmtuarve dhe se a është në dijeni Sami Lushtaku për veprën që ka bërë, i akuzuari u përgjigj se po.
“Po, j’ua kam kthyer krejtve paratë. Sami Lushtaku e din çka kom ba. Unë personalisht nuk kam kontaktu me të, por dikush i familjes, se unë familjarët, xhaxhallarët e krejt i kom pas në luftë” tha i akuzuari Bunjaku.
Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar as prokurori Musa Mehaj, sipas të cilit ky pranim i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare, pa kurrfarë presioni, dhe është mbështetur në provat materialet në shkresat e lëndës.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 21 prill të 2016, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Ramadan Bunjaku akuzohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore i ka sjellur në lajthim të dëmtuarit Fitim Selmani, Fadil Hadërgjonaj, Rrustem Berisha dhe Hysen Berisha, duke i’u shkaktuar dëme pasurore.
Sipas aktakuzës, më datën 5 shkurt 2016, në Prishtinë tek “Plepat” i akuzuari Ramadan Bunjaku duke u prezantuar si Ramadan Lushtaku – i biri i Sami Lushtakut , të dëmtuarit Fitim Selmani i kishte marrë para kinse babai i tij Sami Lushtaku gjendet në burgun e Dyzit dhe nuk qëndron mirë financiarisht, pasi që sipas tij i ka të bllokuara gjirollogaritë bankare dhe se familja e tij duhet ti jep 50.000 euro kaucion, që Lushtaku të lirohet dhe të shkoj në spital.
Në aktakuzë përshkruhet se një ditë më parë nga dita e 5 shkurtit, nga banka “Teb” në Prishtinë, i dëmtuari Selmani, i’a kishte dhënë 200 euro dhe sipas marrëveshjes së tyre në ditën kritike duke i’a dorëzuar edhe 600 euro, i akuzuari dhe atë me para në dorë kapet në flagrancë nga policia, i cili menjëherë arrestohet.
Ndërsa me 29 janar 2016, prokuroria pretendon se i akuzuari Bunjaku, tek porta e kazermës “Adem Jashari” në Prishtinë ishte prezantuar rrejshëm si ushtar i UÇK-së, dhe njëkohësisht si invalid i luftës, në atë mënyrë që i akuzuari Bunjaku përmes telefonit me Rrustem Berishën dhe Anton Qunin, bie në kontakt me të dëmtuarin Fadil Hadërgjoinaj duke i kërkuar të holla kinse për varrimin e nënës së tij dhe duke i shkaktuar dëm në shumë prej 50 euro.
Në aktakuzë thuhet se me 30 dhjetor 2015 në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Prishtinë, i akuzuari Bunjaku e sjell në lajthim të dëmtuarin Rrustem Berisha, duke u prezantuar rrejshëm si ushtar i UÇK-ës, brigada 138 Koshare, se kinse e ka nënën të sëmurë në Shkup, dhe se ka nevojë për ndihmë financiare për të paguar spitalin dhe për ta sjellë për festën e Vitit të Ri në shtëpi, duke i shkaktuar dëm në shumë prej 100 euro.
Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Bunjaku në fund të janarit të 2015-ës, në kafiterinë “Leo”, në Prishtinë, e ka sjellë në lajthim të dëmtuarin Hysen Berisha, duke u prezantuar rrejshëm si ushtar i UÇK- së, brigada 138, si ushtar i Fadil Hadërgjonaj dhe numrin e tij e ka siguruar nga Rrustem Berisha, se kinse nëna i ka vdekur para dy orësh dhe ka nevojë për ndihmë financiare, duke i shkaktuar dëm të dëmtuarit në shume prej 142 euro .
Me këto prokuroria e akuzon Ramadan Bunjakun se ka kryer vepra penale të “mashtrimit në vazhdimësi” nga neni 335 par.1 lidhur me nenin 81 të KPRK-së. /telegrafi/