fbpx
Lajme

Bala: Kur i kam pa 2000 euro në konto, e fëmijën i kisha lanë me 25 kilogramë mill, desh u tranova

Intervista e të ndjerit, Haradin Bala dhënë për Gazetën “Epoka e Re” në vitin 2013/

[Te dy pjeset botohen te plota edhe ketu me kerkesat kembengulese te lexuesve]

POPULLIN E KISHA PAS, SHTETIN JO

– Nuk e kam pas në mendje të jap asnjë intervistë derisa Fatmir Limaj me bashkëluftëtarët e tjerë të lirohen. Kam kthyer mbrapa shumë mediume të huaja, por “Epoka…” nuk po ndalet
– Një vit e gjysmë kam pas probleme me përzgjedhjen e avokatëve
– Gëzim ma të madh në jetë nuk kam pas se kur Fatmir Limaj është shpall i pafajshëm
– Nuk u mërzita për dënimin tim
– Familjen në Kosovë e kisha përgatitur se mund të dënohem 40 vjet
– Me Sheshelin u takuam në sallën e sportit në burg

Ishte moment i vështirë të shkosh në burg e ta lësh familjen vetëm me 25 kilogramë miell e pa asnjë metelik. Dërgimi im në burgun e Scheveningenit në Holandë e vështirësoi edhe më shumë jetën time. Kisha humbur shpresat se familja do të vijë për të më vizituar, duke ditur gjendjen e jetesës atje. Por, Zoti nuk po lekë askënd pa qare. Pasi u vendosa në burg, të nesërmen përmes telefonit e thirra gruan, ajo më lehtësoi dhimbjen, më tha se janë shumë mirë, kanë bo miell e sheqer. Me tona e tona kishin zbarkuar ushqim në shtëpi për familjen. Pas kësaj telefonate u ndjeva më lehtë. Popullin e kisha pas vete

Mal QORRAJ

Prishtinë, 14 janar – Haradin Bala, i cili i ka kaluar dy javë nga lirimi i tij, i pafajshëm prej Tribunalit të Hagës, ka rrëfyer tërë ngjarjen nga fillimi i ditës kur është arrestuar më 17 shkurt të vitit 2003 e deri te kthimi i tij në Kosovë. Në këtë bisedë, të parën për një medium në Kosovë, Bala ka thënë se arrestimi i tij ka qenë pa paralajmërim. Ai ka kujtuar atë ditë si një ditë shumë të rëndë për të dhe familjen tij.

“Epoka e re”: Z. Bala, si e kujtoni ditën e arrestimit tuaj, 17 shkurtin e vitit 2003?
Haradin Bala: Nuk e kam pas në mendje të jap asnjë intervistë derisa Fatmir Limaj me bashkëluftëtarët e tjerë të lirohen. Kam kthyer mbrapa shumë mediume të huaja, por “Epoka…” nuk po ndalet. Arrestimi im ka qenë pa paralajmërim. Kanë ardhur forcat e KFOR-it në ora dy të mëngjesit në shtëpi. Gjithë familja ishte në gjumë. Ata banë bastisjen dhe më morën mua. Shtëpia ka qenë e rrethuar prej KFOR-it. Nuk e di, më duket krejt ushtarët e KFOR-it kishin pas ardhur! Mua më nxorën jashtë dhe me futën në një veturë. Brenda në veturë ishte një përkthyes dhe më tregoi se po më kërkon Tribunali i Hagës. Kur dëgjova më erdhi befasi: Tribunali i Hagës! Pse a thua?! Prej shtëpisë sime me përcjellje u nisëm drejt për në Bonstill. Shkuam në Bonstill. Në hyrje pritshin hetuesi dhe një përkthyes. Nuk e di ky përkthyesi a ka qenë anglez apo amerikan, por e kish pas studiuar gjuhën shqipe. Më treguan se kush janë dhe hetuesi më tha se ‘prej këtij momenti je i arrestuar, se të kërkon Tribunali i Hagës’. U thash a s’gjetët diku më ngatë. Kjo për mua ishte një e papritur e paëndërruar. Kuptova aty, nga Bonstilli, se paskan filluar lojërat. Ne shqiptarët me lojëra e montime jemi mësuar.

“Epoka e re”: Kur e morët vesh se nuk jeni i vetëm?
Haradin Bala: Kur hetuesi në Bonstill ma dha aktakuzën mora vesh se jam me tre shokë të tjerë (Agim Murtezin, Isak Musliun dhe Fatmir Limajn). Emrat e tyre kishin qenë të fshirë me ngjyrë të zezë. Nuk e dita se kush janë ata të tjerët. E lexova aktakuzën time, shkruante për krime… Ke bo krim që ke dalë në luftë për ta mbrojtur veten. Ishte pas dashur me ndenjtë në shtëpi dhe me ardhë ata me të pre e mos me shku në Hagë, por ne dolëm në mal për të luftuar dhe nuk jam pishman hiç. Në Bonstill kemi ndenjur një natë. Isakun e kishin pas arrestuar 11 ditë përpara. Ai kish qenë në Bonstill dhe nuk jam takuar me të në Bonstill. Edhe atë Agimin e kishin pas marrë. Të nesërmen rreth orës katër pasdite na thanë se kemi për të udhëtuar për Hagë. Erdhi një kombi në Bonstill dhe na quan deri te vendi ku ishin helikopterët dhe aty e kam pa Isakun për herë të parë, por nuk kemi komunikuar. Nuk na lenin për të komunikuar mes vete. Po e shikoj atë tjetrin. Nuk e njihja Agimin. Të dyve u kishin pas dhënë nga një uniformë të llojit të burgut. Na dërguan në aeroportin e Gjakovës, deri atje na kanë përcjell me katër helikopterë. Në aeroport të Gjakovës na priste një aeroplan transportues i forcave ushtarake amerikane. Hymë në aeroplan të tre. E gjeta njërin shok, Isakun. Ne me Isakun jemi njohur më herët, kemi pas nejtë nja dy javë në Llapushnik. Por, atë Agimin nuk e njihsha, por e kishin pas arrestuar gabimisht. Na futën në aeroplan dhe na lidhen me pranga të plastikës. Brenda në aeroplan kishte edhe ushtarë të KFOR-it. Me ne ishin edhe hetuesi dhe përkthyesi.

“Epoka e re”: Qysh e morët vesh se po ju transferojnë jashtë Kosovës?
Haradin Bala: Kur më arrestuan dhe më thanë për atje në burg, atëherë më ka rrok derti i familjes. Ditën kur jam arrestuar nuk i kam pas 25 kilogramë miell në shtëpi, për gjërat e tjera nuk po flas. U nisëm me aeroplan për në Holandë. Kur zbritëm na priste një veturë e tipit “BMW”, e cila na përcolli deri në burg. Kur hipëm në veturë na i zgjidhen duart dhe na vunë syza të zeza. Kur hymë brenda në burg humbëm të tre. Nuk e pashë Isakun. Mua më mbyllën me një dhomë. Dikur na ka ftuar drejtori i burgut në bisedë. Po them edhe një herë, nuk i kam pas 25 kilogramë miell në shtëpi. Asnjë metelik nuk e kam pas në xhep. Asnjë cent. Mendoja vetë me vete, humba krejt prej vendit tim, e që vjen dikush të më shoh këtu prej familjes, kurrë e përjetë. Se unë e disha qysh e kam situatën në shtëpi. Shumë rëndë e përjetova momentin kur hyra në burg. S’di qysh me ta përshkru. Na thirri drejtori i burgut dhe na i tregoi procedurat qysh shkojnë atje. Nuk kisha nerva ta dëgjoj se me kish kap huji me dhezë një cigare. I thash drejtorit të burgut: o lejë ato sene, po a ka duhan këtu. Po, më tha, e kemi për obligim me ta dhënë një paqetë cigare. M’i dha një paqetë ‘Marlboro’ dhe një shkrepëse. Cigare ‘Marlboro’ kam pirë vetëm kur vëllai i madh, i cili tashmë ka ndërruar jetë, më sillte prej Zvicre.

“Epoka e re”: Kur kontaktuat me familjen?
Haradin Bala: Ishte çast i vështirë të shkosh në burg e ta lësh familjen vetëm me 25 kilogramë miell dhe pa asnjë metelik. Dërgimi im në burgun e Scheveningenit në Holandë e vështirësoi edhe më shumë jetën time. Kisha humbur shpresat se familja do të vijë për të më vizituar, duke ditur gjendjen e jetesës atje. Por, Zoti nuk po lekë askënd pa qare. Pasi u vendosa në burg, të nesërmen përmes telefonit e thirra gruan, ajo më lehtësoi dhimbjen, më tha se janë shumë mirë, kanë bo miell e sheqer. Me tona e tona kishin zbarkuar ushqim në shtëpi për familjen. Pas kësaj telefonate u ndjeva më lehtë. Popullin e kisha pas vete.

“Epoka e re”: Qysh i kaluat ditët e para në burg?
Haradin Bala: Dy ditë e dy net nuk më ka marr gjumi sepse isha në një pozitë që mu vështirësua jeta edhe mua atje. Nuk kisha pare, nuk e disha gjuhën angleze. Ishte një drejtor i burgut aty irlandez, të cilin kisha dashur për ta përshëndetur sepse ka qenë njëri korrekt. Unë kisha dëgjuar për Tribunalin e Hagës në vitin 1992, se pati shkuar ky gjenerali kroat Bllashkiq. Pse shkoi edhe vetë atje s’e kam paramenduar. Drejtorit të burgut i thash: O zotni, më lehtë e kaloi pa bukë sesa pa duhan. Dhe i thash se fatkeqësia më e madhe është se unë jam arrestuar dhe nuk kam as pare me vete. S’mund t’i thosha që as në shtëpi s’kam pas. Zero-zero isha, pa asnjë cent. Me vete kam pas vetëm letërnjoftimin dhe patentshoferin. Më tha mundesh me marrë hua dhe kur të vijnë paret ne t’i ndalim. Ne shqiptarët veresi e marrim hekurudhën me gjithë tren, veç a na presin. Nuk e kemi gajle a ia kthejmë borxhin. Pastaj na dhanë aktakuzën brenda dhe e pashë se aty ishte edhe Fatmir Limaj. Një natë na mbajtën në katin e parë, kurse ditën e dytë në katin e dytë. I kishin pas larguar serbët prej atij kati dhe na dërguan vetëm ne dyve, mua dhe Isakun. Serbët aty që ishin në burg kishin bo propagandë se shqiptarët hajnë njerëz dhe na ndanë neve në një kat të veçantë. Pesë ditë pas nesh ka ardhur edhe Shesheli.

“Epoka e re”: Limaj në burg ka ardhur pas jush?
Haradin Bala: Pas dy ditëve kishte mbërri Fatmiri. Kur dolëm në korridor të burgut ai kish hy brenda dhe kish qenë duke i ndreq do sene. Pasha Zotën kur e kam pa Fatmir Limajn në burg e kam përjetuar shumë rëndë. Për mua e Isakun ka qenë pak më ndryshe, mungesën mund ta kenë ndjerë vetëm familjet tona, por kur e disha se kush është Fatmiri dhe çfarë mund të kontribuojë ky për Kosovën, beso më shumë mu dhimbske Kosova se Fatmiri. Pasi u çmallëm pak me Fatmirin, ai na pyeti për kushtet qysh janë. A ka me ble ndonjë gjë. Ne i treguam se të gjitha janë. Vetë me vete ne veresi jemi t’u marrë. Në këto fjalë erdhi një përkthyese boshnjake, se hala nuk kishim përkthyes zyrtarë. Ajo i tha Limajt të ka ardhur për vizitë vëllai dhe t’i ka lanë do pare. Ky e pyeti sa pare. Më duket ka thënë 4 000 mijë apo 5 000 mijë euro. Fatmiri i tha asaj përkthyeses ato pare ndaj për të tretë. Kur i kam pa 2 000 mijë euro në konto, e fëmijën i kisha lanë me 25 kilogramë mill, desh u tranova. Sa zor me ka ardh. Kisha pas harruar se shqiptarët shkojnë në Kosovë dhe nuk i lanë me heq keq.

“Epoka e re”: Dhe kur morët vesh se kur do të fillojë procesi?
Haradin Bala: Peter Marth, avokati im, më tregoi se edhe dy vjet s’mund të fillojë procesi. U ndala e shikova dhe mendova: qysh more, çfarë me bo ne këtu dy vjet?! Unë e disha veten të pastër për ato që më akuzonin.

“Epoka e re”: Sa e keni pasur vështirë të gjeni avokat? Kush jua ka paguar mbrojtjen?
Haradin Bala: Mua e Isakut mbrojtjen na ka paguar Tribunali. Ata na i emëronin avokatë, gjenin avokatë nëpër rrugë, dikush i ndante paret me ta. Më patën emëruar një avokat që as që kisha dëgjuar për to. Me thanë këtë e ke avokat kryesor. Unë u thash kush e ka lyp këtë avokat. Kam pas problem me përzgjedhje të avokatëve nja 1 vit e gjysmë. Nuk doja për të punësuar njerëz të sokakëve. Sekretari i Tribunalit bënte dallavere. Ai ishte bullgar dhe një ditë më ftuan në takim në zyrën e drejtorit të burgut, ku ishte i pranishëm edhe presidenti i Tribunalit. Edhe avokati Peter Marth. Donin të ma impononin avokatin dhe më thoshin pse nuk e pranon. Ua bëra të qartë se kjo është e drejtë e imja se kënd dëshiroi të marr avokat. I thashë presidentit të Tribunalit të Hagës se ju na keni sjellë për krime lufte dhe a po mendoni se jemi kriminelë. I thash shikoje sekretarin tënd mos është ma kriminel se unë. Zgjodha një avokat i cili kishte pas përvoja të mëhershme aty. Ne listë kishin qenë edhe dy shqiptarë, Nekibe Kelmendi dhe Tomë Gashi. Më duket Tomën e futën në listë kur e kam kërkuar unë. Njëherë Tomën nuk e pranonin dhe më propozuan Nekibe Kelmendin. I thash: O ti zotni, unë po ju them këtë, nëse jo, dënomëni e bëni çfarë të doni. E pranuan Tomën. Në Kosovë e dimë se Toma është avokat i fortë e atje, nën zero. Toma fliste me juridiksion, e i thash: leje ti juridiksionin, se këtu është si në pazar të lopëve.

SHTETIN NUK E PATA PRANË (2)

– Gëzim ma të madh në jetë nuk kam pas se kur Fatmir Limaj është shpall i pafajshëm
– Nuk u mërzita për dënimin tim
– Familjen në Kosovë e kisha përgatitur se mund të dënohem 40 vjet
– Me Sheshelin u takuam në sallën e sportit në burg

“Epoka e re”: Pas fillimit të seancave si ju kanë ecur ditët?
Haradin Bala: Kemi pas probleme edhe kur kanë filluar seancat. Në fillim na i vënin syzat e errëta vetëm ne të treve, askujt tjetër aty në burg nuk ia vënin syzat. Ne këtë çështje e ngritëm përmes avokatëve. Sa herë që kishim seanca neve na vënin syza të errëta. Erdhi koha dhe u përgatit procesi për të filluar gjyqi. Shkuam dhe prapë me syza të errëta. Prapë e ngritëm këtë problem, të cilin e kishim ngrit edhe më herët. Gjykatësi urdhëroi të na hiqen syzat dhe tha se kjo punë është kryer. Pasi përfundoi seanca prapë na i vënë syzat. Të nesërmen unë isha i sëmurë, se kisha probleme shëndetësore me zemër, isha i vdekur nga shëndeti. Kur ishte koha për seanca në Tribunal mua më dërgonin të parin. Edhe kur përfundonin seancat gjithmonë i pari nisesha për në burg, pra në mënyrë mos me prit për shkak të shëndetit.
Në seancën e ardhshme dola i pari për të shkuar dhe prapë mi vunë syzat e errëta. U thash atyre gardianëve: çfarë po ndodh? Ata thanë nuk kemi urdhëresë t’i heqim. U thash, kthemni pra lart në dhomë, se nuk do të shkoj në gjyq hiç. U tregova se gjykatësi më ka thënë se nuk do të keni problem ma me syza. Ata më thanë le të vjen gjykatësi dhe atëherë flasim. Kështu që, unë u ktheva në dhomë në burg. Atëherë i kanë marrë Fatmirin dhe Isakun për t’i dërguar në seancë. Unë nuk disha se a shkuan ata dy në seancë, por më vonë mora vesh se edhe Limaj e Isaku kishin refuz të shkojnë në seancë për të njëjtën arsye.
Transportin nga burgu deri në Tribunal e bënte Ministria e Punëve të Brendshme holandeze. Na treguan në burg se ka ardhur një kërkesë nga ministri i Punëve të Brendshme. Ai kishte kërkuar nga ne të shkojmë ne seancë për ta vazhduar gjykimin. Ministri kishte thënë mos të ndërpritet gjykimi. Dikur ka ora 5:00 na erdhi vendimi prej ministrit që të shkojmë në seancë. Neve na i hoqën syzat, por mos t’i kundërshtonim nuk do të na i kishin heq.

“Epoka e re”: Si kanë qenë kushtet në burg, keni pasur televizor?
Haradin Bala: Kushtet kanë qenë të mira. Kemi pasur televizor, disa kanale: RTK, RTS, televizioni i Bosnjës. Kanë qenë disa kanale televizive. Sa për t’u informuar për ngjarjet ditore.

“Epoka e re”: Po mediet e shkruara?
Haradin Bala: Jo, nuk kanë ardh. Vetëm kur dikush gjatë vizitës na ka sjellë ndonjë gazetë.

“Epoka e re”: Kur ka ardhur familja t’ju shohë?
Haradin Bala: Familja ka ardhur pas dy ose tre muajve derisa i ka përgatitur dokumentet. Kur erdhën jam gëzuar shumë, se pashë se populli u kishte ndihmu. Në Tribunal e kemi pas edhe telefonin për përdorim me familje, pa limit. Bisedat na janë përgjuar për shkak të sigurisë së tyre. Çdo ditë përmes telefonit kam pas kontakt me familjen. Po e përsëris shumë këtë fjalë, por kur mora vesh se kanë ushqim u çlirova. Krejt popullata u ka ndihmuar. Institucionet tona janë frikësuar për të shkuar te familja, se kanë menduar se i marrin edhe ata. Institucionet, Zoti na ruajt, nuk na kanë ndihmuar! Populli po. Nuk e di nëse ka pas ndonjë deklaratë që kanë dhënë se këta djem…, ndoshta ka pas, e unë kam harruar. Por, e di se në ndihmë dhe në përkrahje i kam pas popullatën e diasporën dhe i falënderoj shumë.

“Epoka e re”: Të burgosurit e tjerë serbë e kroatë e kanë pasur mbështetjen e shtetit të tyre?
Haradin Bala: Familjet e serbëve e të kroatëve e kanë pasur mbështetjen e shtetit të tyre. T’ju them të drejtën nuk kam pas kontakte të shpeshta me ta, por ato takime që i kam pas me disa tregonin se kanë shtetin mbrapa në çfarëdo ndihme. Ata e kanë pas përkrahjen e shtetit të tyre. Shembull, familjet e atyre serbëve që kanë qenë në burg i kanë pas biletat e siguruara nga shteti, hotelin, edhe mëditjet.

“Epoka e re”: Familjarëve tuaj kush ua ka paguar udhëtimin gjatë vizitave?
Haradin Bala: Familjarëve të mi prej fillimit ua ka siguruar biletat falas “Eurokoha”, të cilën e falënderoj shumë, ndërsa për udhëtimin prej Dyseldorfit për në Holandë është përkujdesur Nexhmedin Ahmeti, nëse nuk gaboj në emër, më duket e ka vëllain dëshmor dhe është nga Podujeva. T’ju them të drejtën, ndoshta mund të gaboj se a është saktë prej Podujeve, sepse ata që na ndihmonin nuk donin të tregonin se kush janë. Por, ata na kanë bo mirë. Familja kur vinte për vizita në aeroport të Dyseldorfit, ai, Nexhmedini, i merrte me veturë dhe i sillte në Holandë. Tash për strehim në Holandë është kujdesur Sahit Rraci. Medet atij njeri qa i kemi bo ne! Besoj se nuk ka njeri që nuk ka dëshirë për të bo mirë, por mirë e përtej kufirit veç atë njeri e kam pa. Nuk di qysh ia kthejmë atë të mirë që ka bo ai për familjet tona.

“Epoka e re”: Të gjithë kanë gjetur strehim aty?
Haradin Bala: Po, të gjithë. Te Sahit Rraci tri familje kanë nejt 1 vit e gjysmë. Rrallë ka ndodhur që të tri familjet të vijnë bashkë për shkak se aty banesa ishte e vogël. Gruaja ime më ka bo be se ata njerëz nuk kanë pas pare me ble një qese makarona, kishin qenë në zero, minus në bankë, edhe Sahiti dhe e shoqja. Sa kanë mundur kanë harxhu pare të veta për ne. Besoj se hala kanë borxhe për ne. Strehimin e ushqimin familjet tona i kanë pas të Sahitit.

“Epoka e re”: Edhe transportin prej banesës në burg?
Haradin Bala: Po, prej banese në burg. Të gjitha bre. Tri kilometra ka qenë Komorani prej shtëpisë time dhe ma shtrenjtë i ka kushtu gruas me shku në Komoran me marrë një injeksion se me ardhë në Holandë në vizita te unë. 15 ditë me ushqim, strehim, udhëtim me gjithçka, asnjë cent nuk ka pas nevojë me pagu gruaja.

“Epoka e re”: Baca Haradin, na tregoni qysh e keni organizuar mbrojtjen, qysh jeni përgatit ju, Limaj dhe Isaku?
Haradin Bala: Në fillim kishim problem me avokatë, ishte problem për t’i bindë avokatët për UÇK-në. Për ta ishte absurditet. Një vit kemi biseduar me ta deri i kemi bindur qysh jemi formuar si ushtri. Ne të tre filluam të koordinohemi, pra në çfarë drejtimi po shkojmë, pasi ishim tre dhe kishim të njëjtën akuzë. Fatmiri e mori strukturën komanduese, unë e mora alibinë dhe Isaku e mori Llapushnikun, pra si përgjegjës i pikës së Llapushnikut me dëshmu se nuk ka pas kamp, burg siç e quanin ata. Filloi gjykimi. Filloi Fatmiri, i erdhën dëshmitarët dhe dëshmuan. Edhe ne kemi pas drejt me dalë në cilësinë e dëshmitarit, pra me u përgjigj në pyetje të prokurorit në cilësinë e dëshmitarit. Fatmiri dëshmoi 7 ditë. Filloi mbrojtja ime, dëshmova edhe unë, atëherë Isaku. Ne kemi qenë të koordinuar, kemi bashkëpunuar. U krye edhe ky proces. Tash priteni fjalën përfundimtare. Prokurori për Fatmirin kërkoi 20 vjet burg. Për mua 18 dhe për Isakun 15. Vendimin e keni parë edhe ju. Ia nisi gjykatësi, kjo u vërtetua e kjo jo. Ka pas shumë gjëra në seanca të mbyllura dhe ato mbahen konfidenciale çdoherë. Aty nuk ke pas mundësi me ditë sa vjet kanë për të dënuar. Mund të shkojë dënimi edhe dy herë më tepër. Unë e Fatmiri ishim të përgatitur për çfarëdo dënimi. Fatmiri e mori një fletë dhe po e shoh duke shkruar F, H, I. Vetes ia shkroi 30 vjet burg, mua 25 dhe Isakut 20. Nuk e dinte se çfarë na pret. Me ta dhënë dënimin 10 vjet sikur me të thënë i pafajshëm. Ne ishim të përgatitur për çfarëdo dënimi në burg. Nuk e kishim gajle.
Filloi gjykatësi: kjo u vërtetua e kjo jo. Fatmiri ishte jurist dhe e kuptonte shumë mirë gjykatësin. Fatmirin e kisha afër dhe po ma ngjet për dore. E kuptova se donte të thoshte diçka me këtë gjest. E thirri Fatmirin, çohu në këmbë, e shpalli të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Më thirri mua: je i dënuar 13 vjet. Kur ka thonë 13 vjet u dhezë Fatmiri, u dridh. Kishte kamera në të gjitha anët, salla ishte akustike. Frymë me marrë të dëgjonte gjykatësi. I erdhi radha Isakut dhe, edhe ai u shpall i pafajshëm. Në Zot po ju boj be, gëzim ma të madh në jetë nuk kam pas kur Fatmir Limaj është shpall i pafajshëm. Unë gruan e kam pas përgatit përpara, i thosha nja 40 vjet kam me i marr. E pata përgatit familjen se aty nuk kish ligj e as drejtësi.

“Epoka e re”: Qysh e kalove atë natë pasi u dënove?
Haradin Bala: Kurrë më i kënaqur nuk kam qenë. Kam fjet në gjumë si me i pas pi 10 hapa. Si kam shku në burg u takova me drejtorin e burgut. Kur hyra në zyrë të tij më tha: si po ndihesh zoti Bala? I thash shumë mirë. Isha i kënaqur shumë, sepse Fatmiri ishte një njeri që i duhej Kosovës. Normal edhe unë isha i rëndësishëm për familjen time, por e disha se çfarë mund të bëjë për vendin Fatmiri dhe çfarë unë.
Dikur ka ardhur Ramushi. Tribunali ka pas një urdhëresë që në fillim mos me pas kontakte. Dhe në atë kohë nuk kishim drejt me pas komunikim me Ramushin. E luta drejtorin e burgut, i thash a ka mundësi t’i përshëndes atë djemtë poshtë, se aty është edhe kryeministri i vendit tim. Më lejoi drejtori. Na tha shkoni të tre, unë, Limaj e Isaku. Të nesërmen në mëngjes po më troket Limaj në derë, kishte ardhur për t’u përshëndetur. Në Tribunal ka qenë e ndaluar që para orës 7:00 të hapet dera, por bënin përjashtime sepse Limaj e Isaku në orën 6:00 të mëngjesit dilnin nga burgu se i priste aeroplani për Kosovë. Kur ma shtrëngoi dorën Fatmiri u mërzit shumë.

“Epoka e re”: Si reaguan serbët aty kur u liruan Limaj e Isaku?
Haradin Bala: Atyre u vinte keq qysh u lirua Fatmiri, se mua edhe të më dënonin 100 vjet për ta nuk çonte peshë. Ata nuk e kishin qëllimin te unë, po te Fatmiri. Ata donin që Fatmiri me u dënu. Një gjeneral serb, i cili ishte dënuar në shkallën e parë 20 vjet, kurse shkalla e dytë e dënoi me burg të përjetshëm, më tha: qysh bre komandantët shkuan prej shpie e ti ushtar u dënove?! E unë gjeneral i dënuar. I thash nuk kam çfarë të bëj që ti nuk ke pas ushtarë. Kurse një tjetër që po atë ditë e takova në burg, i cili ishte bashkëpunëtor i prokurorisë, më tha po më vjen keq, se të kanë dënuar shumë. I thash, jo bre, nuk janë shumë 13 vjet. Po i bie me e vra çdo gjashtë muaj nga një serb, e mbylli gojën dhe iku.

“Epoka e re”: Me Sheshelin jeni takuar?
Haradin Bala: Po. Veç me Mlladiqin e Karaxhiqin nuk kam pas rast të takohem, se ata janë arrestuar pasi unë jam transferuar në burgun e Francës.

“Epoka e re”: Keni pas ndonjë muhabet me Sheshelin?
Haradin Bala: Kemi pas çdo ditë nga një orë sport. Fatmiri dhe Isaku merreshin me aktivitete, kurse unë jo. Por, kisha dëshirë me i pa këta kur bënin ushtrime. Hymë në sallë dhe aty kish qenë edhe Shesheli. Isaku po i thotë: Ku je bre Sheshel, se ta kam pas qiten kafen në Berishë, qashtu mbeti, nuk erdhe me pi! Pa… qysh i erdh inati Sheshelit! Njeri ma budallë se Shesheli nuk kam pa, por edhe provokant i madh. Shesheli i tha Isakut: nuk e kam pas qëllimin me ardhë me pi kafe, por e kam pas qëllimin për të kaluar nëpër Carralevë. Dhe tha, dijani për nder Amerikës, se në Adriatik ju kisha ndjek. Më boni nervoz, e i thash dija për falënderim se Shqipëria na qëlloi e vogël, i thyemë depot dhe morëm çfarë pat. Po sa shqiptari ka pas me rrokë pushkën edhe Beogradin e kemi pas në plan me e bo kryeqytet të Republikës së Kosovës. Dhe u ndërpre komunikimi. (Vazhdon në numrin e nesërm / e enjte /

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close