Nuk është figurë publike, por është një ndër aksionistët e parë të UÇK-së, Jakup Nura që tmerroi Serbinë
Jakup Nura lindi me 13 shkurt 1966 në fshatin Prelloc të Skenderajt. Ai pavarësisht që nuk është figurë publike, ishte një nga shokët më të ngushtë të Adem Jasharit. Ai ishte ndër të parët që bashkë me Adem Jasharin, Kadri Veselin e Hashim Thaçin filluan sulmet e armatosura nga viti 1991 e tutje. Ai ishte herët i kyçur në grupet e para të ilegales, të cilët me grykë të pushkës iu përgjigjen dhunës së policisë serbe ndaj popullit shqiptar.
Në fillim të vitit 1997, me vendimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, ai u dënua me 20 vjet burg për veprat e tij kriminale të terrorizmit. Kështu e cilësoi Serbia veprimtarinë e tij të hershme çlirimtare.
Haki Morina një patriot i madh ka shkruar për Jakup Nurën:
Jakup Nurën ua prezentoj me kënaqësi. Pse?
Sepse ky ishte dhe mbeti çlirimtar i vërtetë. Hero i gjallë. Shembëlltyrë e përpjekjeve për liri e pavarësi. Për asnjë moment nuk ra në kurthin e famës e të lavdisë, që ta jep vepra madhështore e dikurshme.Mbeti i thjeshtë, i afërt, njerëzor përgjithnjë!Këta njerëz meritojnë përuljen tonë. Dhe e meritojnë, në radhë të parë, sepse nuk na lejojnë t’ju përulemi. Nuk na lejojnë, sepse ata nuk e duan përuljen e askujt, por e duan dinjitetin e gjithkujt. Në këtë rast, po ua prezentoj një foto të re me Jakupin, dhe një foto të vjetër të tij, më duket e vitit 1992 në Tiranë, me Adem Jasharin dhe Kadri Veselin.