fbpx
Lajme

Oficer kanadez dhe vëzhgues i OSBE: Unë isha atje, UÇK nuk ka luftuar kundër popullit serb

Ish-oficeri kanadez , që shërbeu në Kosovë si vëzhgues i OSBE-së gjatë luftës së vitit 1998-‘99, Paul Mulhall, është i sigurt se UÇK-ja nuk ka bërë krime lufte dhe se ajo ka bërë luftë të pastër çlirimtare. “Unë kam qenë në zonat e luftës dhe i di rregullat që kanë ndjekur ata”, ka thënë Mulhall.

Sipas tij, të gjitha këto akuza janë produkt i ndërkombëtarëve, ndërsa ka theksuar se krijimi i Gjykatës Speciale po ndodh për shkak të dështimit të EULEX-it. Mulhall ka pranuar se UÇK-ja nëpërmes tyre kishte lajmëruar NATO-në për vendndodhjen e caqeve serbe.

Oficeri kanadez, Paull Mulhall, do të vinte në Kosovë si vëzhgues i OSBE-së, por në fakt ai thotë se misioni i tyre kishte karakter sekret.

Ai për “Rubikon” të KTV-së ka rrëfyer misionin e tij gjatë kohës së paqes së brishtë në Kosovën e para bombardimeve të NATO-së

Mulhalle ka thënë se ka pasur të vështirë të kuptojë sjelljet armiqësore të policisë dhe ushtarakëve serbë karshi tyre, ndërsa ka potencuar se për dallim nga situata në Bosnjë, ata, serbët kishin agjendë të fshehtë për të shfarosur UÇK-në.

“Ne e kemi pasur një situatë ku ekipi im ishte i përfshirë direkt. Ishte në lindje të Deçanit, në një territor që ishte nën kontrollin e UÇK-së. Ata (serbët) i patën përdorur automjetet tona si mburoja në një luftim me armë zjarri, dhe ne nuk e dinim këtë, pasi ishim shumë larg. Ky ishte gabimi ynë. Fatkeqësisht dy ushtarë të Ramushit u patën vrarë dhe ai na e bëri të qartë që këtë nuk duhet ta bëjmë sërish, sepse ne kishim njerëz që bisedonin edhe me të po ashtu. Ai ishte gabim ynë, i ndërkombëtarëve dhe nuk kishte të bënte asgjë me UÇK-në, por sa për respekt, ata nuk po qëllonin në drejtim të agjencive ndërkombëtare që ishte OSBE-ja, por serbët po i përdornin automjetet tona për mbrojtje dhe dy nga njerëzit tuaj u vranë. Kështu që ne mësuam të tërhiqeshim nga situata të tilla dhe nuk kemi pasur më incidente të tilla”, ka thënë Mulhalle në “Rubikon”.

Ai ka treguar se me raste ata janë përdorur nga serbët si mburojë për të luftuar UÇK-në. Ndërsa vetëm pas luftës thotë ta ketë kuptuar se vëzhguesit rusë që punonin me ta në fakt luanin lojë të dyfishtë, duke u raportuar edhe serbëve.

“Përderisa po largoheshim nga Peja, isha në automjetin e parë që po largoheshim dhe i pashë kushtet e rrugës. Tanket po hynin në Pejë. Dy automjete tona rrëshqitën dhe u përplasën me tanke. Ishte interesante, një kolonel rus, që më vonë u bë gjeneral në Çeçeni, e pashë këtë në TV; ai doli kërceu mbi tank dhe filloi ta godiste ngasësin. Unë menjëherë e kuptova që ata po punonin së bashku, ngaqë ai pati guximin ta bënte këtë. Ai po e godiste, sepse tanku e goditi automjetin e tij dhe atij nuk i pëlqeu kjo dhe nuk ishte faji i ngasësit, por ai e përdori autoritetin e tij si kolonel rus për ta fajësuar. E goditi atë në kokë, kështu që, unë u detyrova t’i them ktheu në automjet se po largohemi. Dhe pastaj ai u ul dhe tha- në rregull”, ka theksuar Mulhall.

Për herë të parë ai ka pranuar publikisht se UÇK-ja po informonte me detaje NATO-n nëpërmjet tyre për vendndodhjen e caqeve serbe.

“Ne dëshironim të ndihmonim dhe tani që nuk ishim më në Kosovë, kishte disa kontakte sekrete me Ramushin dhe njerëzit e tij, të cilët kishin nevojë për mbështetje dhe ky informacion pastaj i dërgohej shpejtë NATO-s dhe caqet pastaj goditeshin nga NATO-ja. Ne kemi dhënë mbështetjen tonë aq sa mundeshim. Po, dhe unë po bisedoja me vëllanë e Ramushit, Dautin, një ditë për këtë dhe, unë nuk mendoj që njerëzit këtu dinin shumë për kontaktet tona, sepse ne e mbanim këtë të fshehtë, sepse ne e dinim kush kishte nevojë për mbështetje dhe është e qartë që një person me pushkë e ka të vështirë të luftojë kundër një tanku. Kështu që ne i ndihmuam”, thotë në vazhdim Mulhall.

Mulhall ka thënë se Gjykata Speciale ishte e domosdoshme, pasi që EULEX-in dështoi, ndërsa ka potencuar se në këtë fazë atë që ndërkombëtarët duhet ta bëjnë është që Kosovën t’ua kthejnë kosovarëve.

Ish-ushtaraku kanadez i ka quajtur të padrejta akuzat për krime lufte ndaj UÇK-së dhe, sipas tij, kjo është bërë nga ndërkombëtarët, që duan ta ulin presionin te populli i Kosovës dhe të hedhin dritë te ta, kur kanë plot errësirë në anën e tyre.

“Mendoj se një shembull është dërgimi i Ramushit dy herë në Hagë. Dhe ai asnjëherë nuk u dënua për ndonjë gjë. Kryeministri Thaçi, tani do ta akuzojnë edhe atë. Unë nuk kam qenë shpesh rreth tij, por kam qenë në perëndim. Dhe unë kam qenë atje, e edhe kanadezë të tjerë dhe ne themi se e kemi parë se çfarë ka ndodhur dhe nuk kemi propozuar asnjëherë ndonjë akuzë dhe nuk kemi pasur asnjëherë ndonjë akuzë, le të themi, për ndëshkim. UÇK-ja ka luftuar kundër serbëve, por ata nuk kanë luftuar kundër popullit serb, ata kanë luftuar kundër ushtarëve. Dhe unë po ndjehem i shqetësuar kur po dëgjoj akuza se këta persona kanë qenë të përfshirë në trafikim të pjesëve trupore dhe në gjëra të tjera dhe në vrasje. Kjo nuk më pëlqen. Nuk mendoj që janë të vërteta. Unë kam qenë atje, kështu që askush nuk na ka pyetur dhe kjo më duket e habitshme”, ka theksuar Oficeri kanadez, Paull Mulhall.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close