fbpx
Lajme

I ndjeri babai i Agim Ramadanit: Xhafer Gashi m’i ka dhënë nga 100 euro çdo muaj, më ka shpëtuar

Telegrafi ju sjell më poshtë intervistën e realizuar më 2004, nga gazetarja Antigona Uka, me babanë e Heroit Agim Ramadani, të nderin Hysni. Intervista është botuar në Javoren Politike Shqiptare – “Zëri”.

“Dymbëdhjetë vjet më parë e larguam Agimin për në Zvicër. Atëbotë thashë që bile njani prej djelve të na shpëtonte, e kurrë nuk kam besue se mbetemi pa të…”. Sot, gati pesë vjet pas rënies së Agimit, mixha Hysni është i shtrirë në shtrat, me lëngatë… Pos paralizës që e ka kapluar që një kohë të gjatë, mërzia dhe dhembja e kanë molisur tmerrësisht. Kësaj gjendjeje të rëndë shëndetësore dhe shpirtërore i është shtuar edhe brenga e moskthimit të fëmijëve të Agimit në Kosovë: “Ma së rani ish me metë vetëm, kur s’ta çelë derën kush. Shok me mërzinë…”, thotë ai dhe shikimi i shkon te fotografia e të birit, Agimit…

Shtëpia e re është thuajse bosh. Mungon Agimi, mungojnë fëmijët e tij… Mungon zhurma, loja e fëmijëve, vaji i tyre… Brenda katër muresh sillet sall nëna e Agimit, as babai i tij tashmë s’mund të lëvizë. Është paralizuar, është sëmurë në trup e në shpirt…

Dy pleq të mbetur vetëm i kanë ndarë djemtë secilin në shtëpi të vet, ndërsa vetë e kanë planifikuar të jetojnë me fëmijët e Agimit. Porse, këta të fundit nuk kthehen dot nga Zvicra…

E, është vështirë për një gjysh, si mixha Hysni, të përballojë dhembjet e shpirtit, krahas paralizës torturuese. Është tmerrësisht vështirë për mixhën që ka shkelur të 76-tat, të presë një cingërimë telefoni e të çmallet me nipat e mbesën, veç përmes zërit të tyre. Zërit që, bashkë me shqipen, përzien edhe fjalë të pakuptueshme për gjyshin… Por, që gjyshi ua di pasojat… Brengë jetësore në pleqërinë e thellë janë bërë pikërisht fëmijët e Agimit. Frika nga asimilimi, moskthimi i tyre në Kosovë dhe njëkohësisht mospërmbushja e amanetit të Agimit…

Mixha Hysni, që jep përshtypjen e një plaku të urtë, fillon muhabetin me ne, krejt lirshëm, “pa dorëza”.

“Situata nuk është e mirë, pak po e pengojmë vetë e pak këta të huajt, UNMIK-u. UNMIK-u e shfrytëzoi Kosovën, nuk e ka pasur qëllimin e përparimit të saj. Ne sot po e shohim se kahet e pavarësisë së Kosovës po largohen. Standardet nuk jepen pa kompetenca. E, politikanët tanë janë çoroditur krejt, s’mund të gjejnë gjuhë të përbashkët. Në një Kosovë të vogël, secilin që don pozitë, populli e lexon…”

Çka mendon, mixha Hysni, a ka Kosova politikan që e vë interesin e Kosovës në plan të parë?

“Ka, por ata po pengohen. Më bën përshtypje dhe e çmoj si politikan të zotin Nexhat Dacin. Ai është këmbëngulës, nuk ka pasur dështime, por i mungon përkrahja. Të tillë nuk ka shumë. Rugova është i drejtë në shpirt, e do kombin, por ka një kryefortësi që… Ramushi është burrë e trim, ka luftuar në Dukagjin, ka shkruar në librin e tij për Agimin”.

Para luftës, mixha Hysni ka votuar për LDK-në: “Atëherë ishte nevoja më e madhe për këtë parti dhe unë u deklarova për të. Në LDK kam qenë edhe aty kam mbetur. Por, kjo nuk ka rëndësi, nuk jam kundër PDK-së, as AAK-së. Qëllimi kryesor është të jenë unike të gjitha partitë. Këtë e kam kërkuar nga të gjithë, sa herë kam pasur rast të bisedoj me ta. Vetëm në këtë mënyrë mund të përparojë Kosova. Nuk na duhen neve 700 vjet, sikur Zvicrës, për ta përparuar këtë kashore Kosovë”, shton i nxehur mixha.

E sot, kur mixha Hysni i sheh politikanët e përçarë, i dhimbset djali që dha jetën për këtë tokë.

“Tash kur i shoh si përçahen politikanët tanë, jo pak, por shumë më dhimbset Agimi. Më dhimbset se e kam ditur çfarë aftësish ka pasur. Agimi nuk ishte partiak. Po të ishte gjallë, Agimi do ta shikonte çështjen e kombit, se ai deshti bashkimin kombëtar. Ai ka pasur ideale të larta, ka qenë shumë i aftë, shumë i zoti. Agimi kishte horizont të gjerë, lexonte shumë… Agimi ka qenë unikat. Po të ishte gjallë, ai besoj se do të kontribuonte shumë për Kosovën. Ai ka qenë në gjendje të marrë vendime në kohët më të vështira, vendime të pjekura, të matura e në mënyrë paqësore…”

Por, fatkeqësisht, Agim Ramadani-Katana nuk është më. Po bëhen gati pesë vjet pa Agimin, por si pesë shekuj për prindërit e tij, për babën plak e të lodhur, që nuk shkon ditë të mos i kujtohet lajmi i rënies së të birit.

“Ishim zhvendosur në një mal rrëzë shtëpive. Radio nuk kisha, nuk mund të dëgjoja kurrfarë lajmi. Një zonjë e një shtëpie afër na e solli një tranzistor. Në mëngjesin e 20 majit të vitit 1999 e lëshova BBC-në, në gjuhën shqipe…”

Kushedi se kush ka folur, por ato fjalë të BBC-së kanë mbetur të ngulitura në mendjen e mixhës Hysni. Ai tash, pas gati pesë vjetësh, i thotë përmendsh, ashtu si i ka dëgjuar, në atë mënyrë që të ngjallë rrëqethje në tërë trupin: “Brigada 138, me emrin ‘Agim Ramadani’, luftëtarit të vrarë para një muaji, po përparon”. Kaq ka mjaftuar për të mësuar të vërtetën e hidhur.

“Atëherë, e ndala tranzistorin. Gruaja nuk e dëgjoi mirë, e po më thotë: ‘Qenka plagosur Agimi, a?’. ‘Jo bre’, i thashë. Por, dikur ia tregova të vërtetën, i thashë: ‘Mos u mërzit, Agimi paska ra”, evokon mixha Hysni. Atëbotë ishte bërë i fortë, nuk kishte derdhur pikë loti, ndërsa sot qan, qan me lot sepse dhembja e mërzia janë rritur dita-ditës, janë rënduar e bërë plumb…

“Te varri i Agimit, në Koshare, kam qenë vetëm dy herë. Më nuk kam mundur se u sëmura… Herën e fundit kam qenë në mars të vitit 2002, me gruan, me renë, me fëmijët e Agimit. Rruga e gjatë e më nuk munda të shkoj…”

Paraliza, që ia ka hendikepuar dorën, këmbën dhe një pjesë të fytyrës, e ka lëshuar pas një kohe të gjatë të përdorimit të barnave, por jo tërësisht.

“Këmbën e kam të palëvizshme. Nuk po e ndjej si timen, as nuk po mund të peshoj në të…”

Çfarë bën tërë ditën baba i Agimit, si arrin ta plakë ditën?

Herë duke lexuar ndonjë gazetë, herë duke shikuar televizorin… Edhe pse e ka goxha vështirë, se 62 vjet ka pirë duhan, qe 4-5 muaj është dashur ta lërë duhanin. E, mërzia rritet sidomos kur mungojnë vizitat…Gjatë kësaj kohe çdo minutë bëhet torturë e dyfishtë. Megjithatë, mixha Hysni nuk ankohet në vizitorët.

“Na vijnë, jo veç farefisi, por edhe funksionarët kosovarë, të cilëve u falënderohem shumë”.

Mungesa e Agimit është e papërballueshme, sidomos gjatë festave. Festa e Bajramit, e Vitit të Ri edhe një festë sado e pakuptimtë të jetë, mixhës Hysni do t’ia bëjë të dukshme, të pashmangshme, mungesën e të birit.

Kur e kujton më shumë Agimin, kur mendon më shumë për të?

“Paj, nuk më hiqet kurrë nga mendja, kurrë…”

Dy prindërit e Agimit jetojnë me pensionin prej 38 eurosh, që asnjërit nuk i mjafton për barnat e shumta, si dhe me një ndihmë e cila u ka ardhur nga komuna, por që s’janë të sigurtë nëse ka qenë ndihma që u ndahet familjeve të dëshmorëve…

“Mua, Xhafer Gashi, bashkëluftëtar i Agimit, më jep nga 100 euro çdo muaj, që gati dy vjet. Ai më ka shpëtuar…”, shton mixha Hysni.

Gjyshi i fëmijëve të Agimit nuk resht të mendojë dhe të shpresojë se ata do të kthehen në Kosovë. Të shkollohen, të krijojnë familje në tokën e tyre, në tokën për të cilën dha jetën babai i tyre dhe biri më i mirë i mixhës Hysni.

Ky ishte edhe amaneti i Agimit, por kushedi nëse do të përmbushet… /Telegrafi/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close