Procesi drejt fundit? Nga 312 dëshmitarë kanë mbetur për të dëshmuar edhe rreth 60, Thaçi e Veseli në 2025 në Kosovë
Heqja e 10 dëshmitarëve të Prokurorisë së Specializuar dhe marrja e dëshmive me shkrim nga 13 dëshmitarë të tjerë, vlerësohet një hap i vogël drejt shkurtimit të procesit ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Në pajtim me urdhrin e Trupit Gjykues të 21 shkurtit, ZPS-ja njoftoi sot, më 21 maj, se nuk do të mbështetet më në dëshmitë e dhjetë dëshmitarëve. Gjithashtu, ZPS-ja do t’i paraqesë deklaratat e 13 dëshmitarëve me shkrim në vend të dëshmive të drejtpërdrejta në gjykatë”, u tha në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Hagës.
Duke marrë parasysh ndryshimet e fundit, edhe sa dëshmitarë do të ftohen për të dhënë dëshmi në gjykatore të Speciales?
Fillimisht Prokuroria e Specializuar e Hagës kishte bërë të ditur se do t’i ftojnë për dëshmi mbi 300 dëshmitarë.
Megjithatë, kjo shifër ndryshoi me kalimin e kohës.
Në seancën e muajit shkurt ku u diskutua për listën e dëshmitarëve, Prokuroria e Specializuar bëri të ditur se synon të thërrasë për dëshmi edhe 144 dëshmitarë. Deri në atë kohë kishin dëshmuar rreth 50 dëshmitarë, pra që i bie se Prokuroria e Specializuar në total planifikon 195 dëshmitarë.
“Numri i mbetur është 144. Këtu përfshihen edhe dëshmitarët viva-voce. Numri i saktë është numër që nuk mund të japim dot tani. Ne synojmë të përdorim me efikasitet kohën, të kemi më shumë kohë në dispozicion, më shumë seanca. E pranoj që duhet të jemi më të shpejt në çështjen tonë. Dhe të harmonizojmë gjykimin. Kemi shkurtuar rreth 55 orë prej qershorit”, ka thënë prokurori Hawling.
Por, para dy javësh në njërën prej seancave, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, theksoi se deri më tash kanë dëshmuar mbi 100 dëshmitarë, duke theksuar se disa dëshmitarëve iu pranuan dëshmitë me shkrim. Edhe kjo me qëllim që të mos humbet kohë në process, dhe për disa të tjerë pasi ishin të vdekur ose të sëmurë.
“Kemi pasur 60 dëshmitarë deri më tani, kemi pranuar 13 dëshmitarë sipas rregullit, dhe deklaratat e 33 dëshmitarëve kemi pranuar që kanë vdekur ose nuk janë të disponueshëm për arsye të ndryshëm. Numri i dëshmitarëve të Prokurorisë ka qenë 105 përfshirë këto që sapo citova, trupi gjykues ka pasur 427 parashtrime për të cilat është dashur të marrin vendim, kërkesa nga palët ose vendim, dhe janë marrë 367 vendime nga trupi gjykues. Kjo është punë e përbashkët që vjen në bazë të punës në sallën e gjyqit. Punë e jashtëzakonshme”, tha kryegjyqtari Smith, raporton Nacionale.
Nëse numri i dëshmitarëve që Prokuroria ka theksuar se do t’i thërrasë ka qenë 195 atëherë, përllogaritja është kjo:
Deri më tash 64 dëshmitarë kanë dëshmuar LIVE në gjykatë;
10 dëshmitarë i hoqi Prokuroria e Specializuar e Hagës ditën e djeshme;
13 dëshmitarëve dëshmia iu mor me shkrim me vendimin e djeshëm të Prokurorisë;
46 dëshmitarë të tjerë kryegjyqtari Smith tha se janë marrë me shkrim gjithashtu sipas rregullave të Speciales;
Atëherë, nga numri total i dëshmitarëve që ka qenë rreth 195 i Prokurorisë së Specializuar, zbritet numri 132 i dëshmitarëve që deri më tash kanë dëshmuar në gjykatë, ose dëshmitë e tyre janë marrë me shkrim. Disa u hoqën nga ZPS-ja. Atëherë i bie që në gjykatore mund të shkojnë për të dëshmuar edhe pak më shumë se 60 dëshmitarë.
Ky numër megjithatë, mund të ulet edhe më tutje pasi Prokuroria ka theksuar se në tetor do ta rishqyrtojë sërish listën e dëshmitarëve.