fbpx
Lajme

Prokuroria e Hagës do t’i shfrytëzojë rrëfimet e 26 dëshmitarëve të vdekur kundër liderëve të UÇK-së

Nesër, ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, do të dalin sërish para Gjykatës Speciale.

Në prag të seancës, avokatët e të akuzuarve kanë dorëzuar parashtrimet me shkrim në drejtim të gjyqtarit të procedurës paraprake.

Avokati i Thaçit, Gregory Keohe, duke folur për dëshmitarët e ftuar nga Prokuroria, ka thënë se nga 326 dëshmitarë, 65 prej tyre do të mbështeten në dëshmitë me shkrim. Sipas avokatit të Thaçit, 26 nga këta 65 dëshmitarë, kanë vdekur.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar synon të mbështetet në 326 dëshmitarë në përputhje me listën e saj të dëshmitarëve, duke përfshirë: 261 dëshmitarë me dëshmi të drejtpërdrejta me rreth 1 mijë e 863 orë të dëgjimit, dhe 65 dëshmitarë përmes dëshmive me shkrim, nga të cilët 26 janë të vdekur. Gjatë konferencës së fundit, Prokuroria tregoi se po planifikon ta zvogëlojë kohën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe të shpaloste më shumë prova”, thuhet në parashtrimin e avokatit të Thaçit, të cilin e ka parë gazeta Nacionale.

Avokati i Thaçit ka bërë të ditur se ekipi i tyre po vazhdon me hetime, por që punën e tyre po e vështirëson Prokuroria, me numrin e madh të redaktimeve.

“Hetimet tona mbeten të penguara nga një sërë faktorësh, përfshirë: redaktimet e gjera nga Prokuroria e Specializuar, zbulimi i vonuar ose i pjesshëm pasi rreth 100 dëshmitarë mbeten anonimë për mbrojtjen. Këtu përfshihen 69 dëshmitarë të cilët mbeten anonimë deri në 30 ditë para gjykimit, dhe 24 dëshmitarë të tjerë që do të mbeten anonimë deri në 30 ditë përpara nisjes së gjykimit”, thuhet në parashtresë.

Avokati i Thaçit ka theksuar se do të jenë të gatshëm që ta dorëzojnë dosjen paraprake deri më 16 shtator 2022, por kjo datë është e kushtëzuar nga Prokuroria e Specializuar.

DICK  M A R T Y

Në anën tjetër, ekipi mbrojtës i Kadri Veselit ka pasur disa kërkesa në lidhje me kërcënimin ndaj Dick Martyt, me synimin për ta fajësuar Kosovën. Si rezultat, avokati i Veselit, Ben Emmeron ka kërkuar që gjykata ta ruajë dëshminë e Martyt, i cili është në rrezik serioz.

“Mbrojtja gjithashtu tash për tash është duke e shqyrtuar nevojën për kërkimin e masave të tilla për ruajtjen e dëshmisë së z. Dick Marty, përderisa besohet se elemente brenda shërbimeve serbe të inteligjencës vazhdojnë të paraqesin kërcënim për jetën e tij. 19 Raportohet se “shtëpia e tij tash është e pajisur me kamera vëzhgimi dhe një dhomë të sigurt, policët me rroba civile duke vëzhguar jashtë, afër shtëpisë. Marty duhet të veshë jelek anti-plumb, kur del jashtë në publik”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes së Veselit, transmeton gazeta Nacionale.

Edhe avokati i Veselit ka kërkuar reflektim nga Prokuroria, sidomos për çështjen e redaktimeve dhe masave mbrojtëse ndaj dëshmitarëve.

Ekipi i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, ka bërë të ditur se hetimet do t’i vazhdojnë edhe në muajt e verës. Kurse, kanë theksuar se 16 shtatori mund të jetë datë kur ata do ta dorëzojnë dosjen paraprake, gjithmonë duke u varur edhe nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

PËRPLASJET

Me parashtrime në distancë, duket se ka pasur dallime ndërmjet avokatëve dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Kjo lë të nënkuptohet nga një parashtrim i avokates së Jakup Krasniqit. Ajo në parashtrimin e saj para seancës së nesërme, ka shkruar se Prokuroria e Specializuar nuk ka qenë e gatshme të ofrojë një datë për gjykimin.

“Diskutimet inter-partes ishin të shkurtra. Më 13 prill mbrojtja e Thaçit dërgoi një email në ZPS në emër të të gjitha ekipeve mbrojtëse për të nisur diskutime. Më 3 maj 2022, avokati i Veselit dërgoi një propozim të detajuar, ku parashikohej viti kalendarik kur duhet të nisë kjo çështje. Zyra e Prokurorit të Specializuar u përgjgj se caktimi i kornizës kohore të përshtatshme, është punë e Trupit Gjykues. ZPS-ja nuk bëri asnjë sygjerim se çfarë afati kohor e konsideronte të përshtatshëm, por përsëriti se janë duke e rishikuar listën e dëshmitarëve dhe vlerësimet kohore e pastaj të merren vendimet”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.

“Mbrojtja ka vazhduar të ndërmarrë hapa për avancimin e hetimeve dhe konfirmon se hetimet janë në vazhdim. Disa hetime nuk mund të përfundojnë përpara se Prokuroria të përfundojë detyrimet e saj me zbulimin e materialeve. Siç e pranoi edhe gjyqtari në konferencën e fundit, kur mbrojtja nuk ka marrë të gjitha materialet, është e vështirë për mbrojtjen të bie dakord mbi faktet me Prokurorinë”, thuhet më tutje në parashtrim.

Pas plotësimit të aktakuzës me pika të reja, konferenca e parë pritet të mbahet nesër.

Në anën tjetër, procesi është në procedurën paraprake, dhe gjykimi vlerësohet se nuk do të nisë as këtë vit.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close