fbpx
Lajme

“Qeveria e shpresës”, çdo ditë 117 qytetarë e lëshuan Kosovën në vitin 2021

Ikja e kosovarëve po vazhdon. Madje në vitin 2021, sipas Agjencisë së Statistikave, saktësisht 42 mijë persona kanë lënë Kosovën. As fjalimet për rritjen e pashembullt ekonomiketë kryeministrit Albin Kurti, nuk i kanë bindur kosovarët të qëndrojnë në vendlindje.

Në fakt, nga statistikat e publikuara nga ASK, kuptohet që 117 qytetarët e kanë lëshuar Kosovën për çdo ditë gjatë vitit 2021, me ikjen e mjekëve që është shumë alarmuese.

Premtimet s’kryejnë punë

Teksa vazhdonte turin e tij në fushatë, në fundin e janarit të vitit 2021, kryeministri i Kosovës Albin Kurti atë kohë kandidatë për këtë post, në një vizitë në Teqen e Madhe Ballkanike të Gjakovës, Kurti zotohej zëshëm se prioritet i tij do të jetë kthimi i trurit brenda vendit duke ndjekur modelet e suksesshme që kanë aplikuar shtetet tjera.

Mirëpo, edhe pas fitores së Vetëvendosjes dhe rritjes së entuziazmit për ndryshim, synimi i mijërave qytetarëve të Kosovës që të synojnë jetesën në një shtet tjetër nuk u shua.

Sipas Agjencisë së statistikave, numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2021 është vlerësuar të jetë gjithsej 42,728 banorë, duke përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë.

Pra, nëse bazohemi në këtë statistikë, përgjatë vitit 2021, mbi 3500 qytetarë e kanë lëshuar vendi brenda një muaji, apo rreth 117 qytetarë janë larguar çdo ditë nga Kosova.

Në bazë të këtij institucioni, pjesa dërmuese e emigrantëve për vitin 2021 ishin emigrantët legal për motive të bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi pune dhe shpërnguljes së përhershme.

Nga këto të dhëna, shtimi natyror në Kosove në vitin 2021 ishte 14,391 banorë ndërsa migrimi neto -38,606 banorë, kurse popullsia e Kosovës gjatë vitit 2021 u zvogëlua për -24,215 banorë.

Papunësia është problemi më i madh me të cilin ballafaqohen të rinjtë e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, në Kosovë në veçanti.

Anketat e realizuara me të rinjtë e të gjitha shteteve ballkanike tregojnë shifra të larta të përgjigjeve të të rinjve, të cilët thotë se papunësia dhe edukimi jocilësor po ndikojnë më së shumti në ofrimin e një perspektive të sigurt në jetën e tyre.

35.1% është mesatarja e papunësisë së të rinjve në rajon.

Ndërkaq, 62% e të rinjve e konsiderojnë papunësinë si problemin më të madh me të cilin ata ballafaqohen, të përcjellë nga 14% të tyre që mendojnë se pamundësia e qasjes në edukim cilësor është problemi i dytë për ta.

Albin opozitari, kritik ndaj ikjes

Në periudhën dhjetor 2021 – janar 2022, pa i llogaritur ambasadat tjera, vetëm në atë gjermane kanë aplikuar 105 mijë e 601 qytetarë të Kosovës të cilët duan ta sigurojnë një vizë pune, e po ashtu edhe një numër i madh i qytetarëve kanë aplikuar në ambasada të tjera.

Ndërkaq, të dhënat nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë thonë se nga shtetet e rajonit, vetëm Bosnja dhe Hercegovina ka kërkesa më të mëdha se Kosova për viza afatagjate.

Si lider opozitar, shifrat e lartpërmendura, kryeministri Albin Kurti shumë shpesh ka arritur t’i shndërrojw në kauza përmes.

Madje, në një fjalim në Kuvend, në periudhën kur Kosova qeverisej nga koalicioni PAN, Kurti sqaronte emigrimin e qytetarëve, duke e quajtur “ikje” e jo “shkuarje” që sipas tij njerëzit iknin nga keqqeverisja e vazhdueshme në Kosovë.

“Njerëzit më shumë po ikin se sa që po shkojnë, kur shkon është e rëndësishme ku po shkon, kur ik është e rëndësishme prej nga po ik, dhe këtu më shumë kemi të bëjmë me ata të cilët po ikin përgjithësisht prej Kosovës se sa për ata që specifikisht po shkojnë në një vend të caktuar”, thoshte Kurti, i cili e përmendte deficitin tregtar si arsye e ikjes.

“Emigrimi që ndodh tek ne, natyrisht që ka shkaqe të fuqishme ekonomike, neve na ka ikur paraja, kur ik paraja, ikin njerëzit, me këtë deficit tregtar ne po zbrazemi nga paraja e më pas edhe nga njerëzit”, thoshte Kurti si opozitar.

Mirëpo, pavarësisht që edhe nën qeverisjen e Kurtit, largimet e njerëzve dhe dëshirat e tyre për largim nuk janë zbehur, kryeministri Kurti nuk është deklaruar rreth këtij fenomeni. Përkundrazi, edhe pse me një rritje të inflacionin mbi 14 për qind, Kurti vazhdon të thotë se Kosova ka shënuar rritje të dukshme ekonomike.

Megjithatë, zëvendësi i tij Besnik Bislmi, teksa fliste për fenomenin e ikjes së mjekëve nga Kosova, nuk ngjasonte aspak me gjuhën e Vetëvendosjes opozitare.

Bislmi, për të cilin Kurti së fundmi tha që nuk e zë gjumi për shkak të marrëveshjes për faturimin e energjisë në veri, nuk dukej i shqetësuar për largimin e mjekëve nga Kosova, teksa ka pasur raportime se çdo dy ditë nga një mjek largohet nga Kosova.

Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Integrime Evropiane, kur është pyetur nga deputetët për këtë çështje, ai ka thënë se mjekët largohen edhe prej Gjermanisë dhe vendeve tjera evropiane.

“Po, kanë ikë mjekët prej Kosovës, kanë ikë mjekët gjithmonë. Por, a e dini pse shkojnë mjekët në Gjermani? Jo pse është rritur popullsia e Gjermanisë, po se mjekët gjermanë ikin prej Gjermanisë. Do të thotë edhe prej Gjermanisë ikin mjekët dhe pastaj shtrohet nevoja që me ardhë mjekë nga Ukraina, Kosova, Italia, Polonia. Mobiliteti është vlerë e BE-së. Politikat kryesore të BE-së janë me rritë mobilitetin e fuqisë punëtorë ”, thoshte Bislimi.

Në pushtet ndryshojnë interpretimet

Fenomeni i emigrimit nga Kosova është edhe njëra prej temave më të diskutuara në opinionin publik.

Megjithëkëtë, analistë të ndryshëm në Kosovë kanë komentuar mbi motivet e largimit nga Kosova.

Në një shkrim të titulluar “Për kulturat e mjekëve që ikin” historiani Durim Abdullahu shkruante se pavarësisht me problemet esenciale që ka sistemi shëndetësor në Kosovë, ikja e mjekëve nuk është zgjidhje.

Ashtu siç ka mijëra të papunë profesionistësh fushash të ndryshme, në Kosovë ka edhe rreth 600 mjekë të papunë. Por ikja nuk është zgjidhje. Ikja e mjekëve nga Kosova, vërtetë është arratisje nga vendi i tyre që iu dha dijen dhe titullin mjek, por në një jetë jo shumë të jetueshme dhe cilësore.

Megjithatë, kjo nuk i justifikon rrëfimet e tyre nga Gjermania prej të shpëtuarish të dalë në selamet, rrëfime me forma që i bën të duken sikur mezi kanë gjetur azil politik apo sikur janë puritanët e një feje që migruan për ta ruajtur besimin e tyre”, shkruante Abdullahu.

Kurse sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Avdi Smajljaj, ikja e qytetarëve nuk ndalet me parulla e as me lutje.

“Atdheu ka nevojë për dashuri të vërtetë ndaj tij, e jo për parulla atdhedashurie. Qytetarët edhe mund të hamendësohen me parulla, por jo edhe atdheu, i cili ofron atë që mbjellin qytetarët e tij në te. Nuk ka gënjeshtër më të dëmshme, sesa gënjeshtra ndaj vetvetes. Ikja nga përballja me realitetin, faktet, të vërtetetën, siç bëjmë ne, është tregues se ne gënjejmë vetveten’, shkruane Smajljaj.

Kurse krejt opinion diferencues dhe interesant mbi këtë fenomen ka profesori tjetër Sadri Ramabaja, njëherish edhe mbështetës i pa rezervë i qeverisë aktuale.

Sipas tij, me krizën ekonomike që po përballet edhe Evropa, do t’i nxisë qytetarët që të kthehen në Kosovë.“Unë mendoj qe viti i ardhshëm do të jetë i detyrimit të aftësimit edhe atyre që janë në Kosovë sepse sot kompani në Londër janë kontaktu qe të mos shesin më bileta… Unë mendoj që vitin e ardhshëm do e kemi trend të kundërt, të kthimit të atyre që kanë shkuar jashtë, sepse gjendja është e rëndë”, thoshte Ramabaja në një studio televizive.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close