fbpx
Lajme

Djali i Remzi Hoxhës: Sali Berisha mbron vrasësit e babait tim, 9 persona të SHISH e kanë marrë babain tim

Në përvjetorin e zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, djali i këtij të fundit, Ardian Hoxha, në vitin 2011 e kishte akuzuar kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, se është duke mbrojtur vrasësit e të atit.

Gjatë një proteste që ai dhe familjarë të Remzi Hoxhës kanë zhvilluar para ambasadës britanike në Prishtinë, Ardian Hoxha është shprehur se Berisha u ka dhënë poste të rëndësishme njerëzve që kanë vrarë dhe zhdukur babanë e tij.

“Edhe pse me shumë vonesë, drejtësia në Shqipëri ka nisur të merret me zbardhjen e zhdukjes së babait tim, mirëpo ajo ende vazhdon të pengohet nga pushteti në Shqipëri. Jemi të lumtur që Gjykata e Lartë ka rikonfirmuar masën e arrestit me burg për Ilir Kumbaron, por shpresojmë që procesi të mos pengohet tutje nga pushteti.

Jemi dëshmitar të faktit se pushteti në Shqipëri mbron, përkrah dhe shpërblen vrasësit e babait tim, duke zhdukur gjurmët, duke u dhënë atyre poste shtetërore, duke bërë presion mbi prokurorinë dhe gjykatat, si dhe duke financuar avokatët e Ilir Kumbaros për të prolonguar sa më shumë ekstradimin e tij për në Shqipëri.

Tani më është vërtetuar se në zhdukjen, torturimin, dhe vrasjen e babait tim janë të implikuar anëtarët e SHIK-ut të kohës kur Sali Berisha ishte President i Shqipërisë. Janë 9 personat që e kanë marrë nga vendi i punës babanë tim, në ditën të shtunë të 21 tetorit të vitit 1995, në pikë të ditës, në mes të Tiranës. Prej këtyre 9 personave, 4 nga ta, Arben Sefgjini, Budjon Meçe, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi, janë duke u gjykuar tani.

Ka shumë fakte që janë deponuar në prokurori që vërtetojnë pjesëmarrjen e tyre në zhdukjen, torturimin dhe vrasjen e babait tim. Dua të pyes kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, përse iu del në mbrojtje të këtyre kriminelëve ?. Përse e pengon drejtësinë ?. Përse e pengon ekstradimin e Ilir Kumbaros ?.

Çdo ditë që prolongohet ekstradimi i Ilir Kumbaros për në Shqipëri do të thotë: 1 ditë më shumë liri për Ilir Kumbaron, më shumë të holla për avokatët e Ilir Kumbaros, dhe 1 ditë më shumë pushtet për kriminelët. Babai im ishte një nga kontribuesit më të mëdhenj të kauzës Shqiptare dhe ndoshta kjo ka qenë ajo që i ka penguar vrasësit e tij. Ndoshta edhe kanë qenë bizneset sekrete me Serbinë dhe kriminelët Serb të pushtetit të asaj kohe për të cilat ai “kishte njohuri”. Por ndoshta ka pasur edhe arsye tjera.

Në asnjë mënyrë nuk falet përdorimi i dhunës dhe eliminimi fizik i njeriut, në shekullin 21, “në mes të Evropës”. Të gjithë personat e përfshirë në këtë krim duhet të dalin para drejtësisë dhe qeveria të mos e pengojë drejtësinë. Duam të dimë të vërtetën për babanë tim, duam të gjejmë eshtrat e babait tim, duam t’ia bëjmë varrin siç ai e meriton, si një hero i Kosovës”, ka thënë Ardian Hoxha në një konferencë për shtyp.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close