Reagon Sveçla: Përgëzoj Inspektoratin Policor të Kosovës
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për aksionin e Inspektoratit Policor ndaj disa zyrtarëve policorë dhe doganorë në Gjakovë dhe në Prizren.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se kushdo që e cenon integritetin e institucionit, padyshim do të përballet me drejtësinë sipas ligjeve në fuqi.
“Në kuadër të kësaj, të gjithë ata që tentojnë apo e njollosin punën e ndershme dhe profesionale të zyrtarëve tjerë policor, nuk kanë vend në Policinë e Kosovës. Policia e Kosovës nuk do të jetë më asnjëherë vendi ku thyhet ligji e bëhet korrupsioni”.
“Përgëzoj Inspektoratin Policor të Kosovës dhe institucionet vartëse të MPB-së të cilët me seriozitet dhe ndershmëri punojnë maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe në përmirësimin e shërbimeve ndaj tyre. Qëllimi ynë kryesor është të garantojmë integritet dhe profesionalizëm brenda të gjitha agjencive që drejtojmë”,ka shkruar Sveçla.
Ai ka thënë se si ministër i Punëve të Brendshme, do të vazhdoj të jap mbështetjen e tij për secilin zyrtar policor veç e veç dhe për policinë në tërësi në arritjen e qëllimeve të tyre për të garantuar rend, ligj e siguri për të gjithë qytetarët në tërë territorin e Kosovës, transmeton Klankosova.tv.