Rozeta Hajdari ia kishte paguar shkollimin zyrtarit të arrestuar nga policia Irfan Lipovicës me para të ministrisë
Për shkak të keqpërdorimeve prej 10 milionë eurove me Rezervat Shtetërore, Policia e Kosovës veç të tjerëve, ka arrestuar edhe Irfan Lipovicën, i cili në kohën e blerjes së rezervave ishte zëvendës-sekretar i ministrisë, i emëruar nga Rozeta Hajdari dhe të cilit ministria ia kishte paguar shkollimin në Universitetin Amerikan të Kosovës.
Ministrja Hajdari e kishte favorizuar Lipovicën duke ia mundësuar menaxhimin me 14.5 milionë euro të një projekti të Bankës Botërore, derisa nga kjo shumë e projektit ishin ndarë edhe 12 mijë euro që t’i paguhet AUK-u Lipovicës.
Lipovica, që aktualisht është Drejtor i Integrimeve Evropiane më MINT, kishte udhëhequr Projektin e Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport.
Për shkak të mungesës së shkollimit adekuat, Lipovica nuk do të duhej të udhëhiqte me këtë projekt, por në vend të emërimit të dikujt tjetër, ministrja Hajdari kishte vendosur t’ia paguajë shkollimin që i duhet dhe ta lë atë udhëheqës të projektit.
Lipovica në formularin e deklarimit të pasurit në Agjencinë Kundër Korrupsionit, kishte konfirmuar se ka një borxh prej plotë 12 mijë euro për studime, në Universitetin Amerika në Kosovë (RIT-AUK).
Por, më pas sqaronte në të njëjtin formular se ky borxh do të paguhet nga Ministria e Tregtisë.
“Obligimi ndaj universitetit RIT Kosovo do të mbulohet nga projektet e donatorëve që mbështesin ngritjen e kapaciteteve institucionale meqë fusha e studimit ka të bëjë me natyrën e punës që e bëj”, thuhet në deklarimin e pasurisë së Lipovicës bërë në vitin 2021.
Askush nuk e di përse Lipovica ishte aq i rëndësishëm për Hajdarin.
Ai madje edhe ishte dënuar për mos-deklarim të pasurisë në Agjencinë Kundër-Korrupsion.
Dënimi iu kishte shqiptuar me 30 nëntor të vitit 2021 nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Gjykata kishte kontestuar se Irfan Lipovica, si zyrtar i lartë publik në pozitën e U.D të Drejtorit së Tregtisë dhe Industrisë, në Prishtinë nuk e ka deklaruar pasurinë pas marrjes së postit ashtu siç parashihet me ligj.
E dënuar për mosdeklarim të pasurisë është edhe Rozeta Hajdari.
Edhe ajo nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë për vitin 2020 brenda afatit ligjor.
“E akuzuara R.H [Rozeta Hajdari] është shpallur fajtor dhe është dënuar me gjobë në shumën 700 euro, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve nga dita kur ky Aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm”, thuhej në njoftim. /Albanian Post/