fbpx
Lajme

Rrëfimi i agjentëve të KGB: Si e ndihmuam Enver Hoxhën të fitonte ndaj Koçi Xoxes

Ferdinand Dervishi

Kristofer Andrju (Christopher Andrew) dhe Oleg Gordievsky, i pari historian britanik dhe tjetri agjent i dyfishtë sovjeto-britanik, përgjatë ndër-timit të librit më të plotë për historinë e shërbimit famëkeq të spiunazhit sovjetik, KGB, me titull “KGB. Historia e operacioneve politike nga Lenini te Gorbaçovi”, kanë përfshirë të paktën dy histori shqiptare. E para ka lidhje me ndihmën që i kanë dhënë Enver Hoxhës, për të fituar mbi Koçi Xoxen, paraardhësit e KGB-së dhe e dyta sqaron saktësisht vlerën e informacioneve për krerët komunistë shqiptarë të agjentit britanik, Kim Filbi, që i shërbente KGB-së. 
Ishin vitet 1944-1947, kur Koçi Xoxe, i mbështetur nga jugosllavët, kishte pasur një karrierë të suksesshme në krye të Partisë Komuniste Shqiptare, madje në fund të kësaj periudhe, po me mbështetjen e jugosllavëve, ai kishte arritur të vinte nën kontroll pothuaj gjithçka, duke mënjanuar edhe vetë komandantin Enver Hoxha. Sipas dy autorëve të librit, shërbimi sekret sovjetik, që në atë kohë emërtohej MGB (Ministria e Sigurisë së Shtetit, 1947 – 1951), pasi ende nuk ishte formuar KGB (Komiteti i Sigurisë së Shtetit, 1954 – 1991), kishte shtrirë rrjetën e tij të spiunëve në të gjitha vendet e kampit socialist, duke luajtur një rol vendimtar në kalimin e tyre në vende të “demokracive popullore”. Por në Shqipëri, më shumë se sovjetikët, deri në vitin 1948, ishte shërbimi sekret jugosllav OZNA (Byroja e Mbrojtjes Popullore), pararendësja e UDBA-s (Zyra e Sigurisë së Shtetit), që bënte ligjin. 
Jugosllavët fuqizuan Xoxen
Sipas dy autorëve, suksesi i parë i rëndësishëm i shërbimit sekret sovjetik ishte pikërisht hedhja në erë e influencës së Titos në Tiranë. Tekstualisht sipas librit: “…suksesi i parë i rëndësishëm i MGB-së në luftën e fshehtë kundër UDBA-s ishte organizimi në Shqipëri i një puçi kundër Titos. Para ndarjes me Titon, Stalini kishte rënë dakord që Shqipëria të mbetej një satelit i Jugosllavisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore “këshilltarët” jugosllavë riorganizuan Partinë Komuniste të Shqipërisë nën udhëheqjen e Enver Hoxhës në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Koçi Xoxen në postin e ministrit të Punëve të Jashtme në qeverinë e kontrolluar nga komunistët. ‘Pa luftën e popujve jugosllavë – ka thënë Enver Hoxha pas luftës – kundërvënia e popullit shqiptar të vogël në numër, do të kishte qenë e pamundur.’ Nën trysninë e OZNA-s, partia e shqiptarëve u spastrua nga ‘trockistët’ dhe ‘devijuesit’: Anastas Lulo, kreu i Organizatës Komunistë të Rinisë u pushkatua për ‘anim nga e majta’; Llazar Fundo, një nga themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare më 1941-in, i kthyer nga internimi sovjetik më 1944-ën, ku kishte humbur iluzionet e dikurshme, u rrah deri në vdekje në prezencë të misionit ushtarak anglez; Mustafa Gjinishi, anëtar i Byrosë Politike, u ekzekutua për shkak të themelimit të një fronti antifashist të përbashkët me grupet ‘borgjeze’. PKSH-ja doli nga lufta praktikisht me pamjen e një dege të partisë jugosllave. Shërbimi sekret shqiptar ‘Sigurimi’ gjendej nën kontrollin e plotë të OZNA-s, ashtu si edhe shërbimet sekrete të vendeve të tjera evropianolindore gjendeshin nën kontrollin e NKGB-së (Komisariati i Popullit për Sigurinë e Shtetit, 1941-1946). 
Hoxhën gjithmonë e më shumë po e shqetësonte kërcënimi nga rivali i tij Xoxe, i cili, duke zënë vendin e ministrit të Punëve të Brendshme, drejtonte ‘Sigurimin’ dhe kishte mbështetjen e Titos. Në maj të vitit 1947 Xoxe ndërmori një proces ndëshkimor ndaj 9 anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, të cilët kishin shprehur pakënaqësi ndaj jugosllavëve. Të gjithë u dënuan me burgime të gjata për ‘veprimtari armiqësore’. Në mbledhjen e KOMINFOR-it (Byroja Informative e Partive Komuniste dhe Punëtore, 1947-1956) në gusht të vitit 1947, Shqipërinë e përfaqësonte partia jugosllave. Katër muaj më pas Stalini i thotë Gjilasit (Ish-ministër për Punët e Malit të Zi dhe më pas edhe Zv/president Jugosllavisë): ‘Ju duhet ta gëlltisni Shqipërinë, dhe sa më shpejt, aq më mirë!”.


Revanshi i Enver Hoxhës


“Konflikti sovjeto-jugosllav i vitit 1948 ndihmoi Hoxhën të fitonte luftën për pushtet ndaj Xoxes. Në kohën kur këshilltarët sovjetikë braktisën Beogradin, oficerët e MGB-së u dyndën në Tiranë. Pas ndarjes së Titos nga Moska, Hoxha urdhëroi largimin e menjëhershëm të të gjithë jugosllavëve që shërbenin (në Shqipëri, red.) dhe sulmoi rivalin e tij. Xoxe ndërmori përpjekje të pasuksesshme që të shpëtonte, duke u shtirur si i besuar i sovjetikëve. Atë dhe mbështetësit e tij i arrestuan ndërsa postin e ministrit të Punëve të Brendshme e zuri prosovjetiku Mehmet Shehu, i cili me ndihmën e këshilltarëve të MGB-së organizoi pastrimin dhe riorganizimin e “Sigurimit”. Pas pesë muajsh marrje në pyetje dhe torturash nga “Sigurimi”, nën vëzhgimin e këshilltarëve nga MGB-ja, Xoxja dhe mbështetësit e tij dhanë dëshmi të hollësishme… Xoxja pranoi se gjatë kohës së luftës ishte rekrutuar nga zbuluesit anglo-amerikanë, se kreu i misionit ushtarak anglez i tha atij që në vitin 1943 se Tito ishte një spiun anglez dhe se ai kishte marrë pjesë në marrëveshjen që kishte për qëllim gëlltitjen e Shqipërisë nga Jugosllavia. Më qershor të vitit 1949 Xoxen e pushkatuan për këto krime imagjinare. Gjyqi ndaj Xoxes dhe dënimi i tij ishin preludi i një serie të tërë gjyqesh demonstrativë ndaj përkrahësve realë dhe (më shpesh) imagjinarë të Titos, të organizuar nga MGB-ja në shumicën e vendeve të Evropës Lindore. Deri në vdekjen e Stalinit më 1953-in, Tito u konsiderua, ashtu si edhe Trocki, një heretik i madh. Por ndryshe nga paraardhësi, ai doli i padëmtuar, madje fitues nga lufta pesëvjeçare me MGB-në. Në këtë kohë MGB-ja arriti disa suksese të shquara në luftën kundër shërbimeve sekrete perëndimore. Por si në rastin e NKVD-së së viteve ’30, pjesa kryesore e energjisë të MGB-së kishte shkuar në luftë kundër një armiku imagjinar”.
Kim Filbi dhe Shqipëria
Agjenti i famshëm i KGB-së sovjetike, Kim Filbi, i vendosur në kupolën e shërbimit sekret britanik, është një tjetër personazh i lidhur me historinë e Shqipërisë komuniste, që ka zënë vend në faqet e librit të Kristofer Andrju dhe Oleg Gordievskit. Sipas dy autorëve, Filbi ka ndihmuar me të dhëna MGB-në sovjetike, sidomos në periudhën 1947-1949, kur drejtonte në Turqi bazën e SIS (Shërbimit Sekret Inteligjent Britanik). Tekstualisht: “…ai (Filbi, red.) kishte mundësinë të dekonspironte agjentët që kalonin kufirin, duke zbuluar kontaktet dhe adresat e familjeve të tyre në Bashkimin Sovjetik. Posti i oficerit ndërlidhës mes SIS-it britanik dhe CIA-s amerikane, që ai zuri në Uashington nga 1949 deri në 1951, e lejonte atë që ta furnizonte kujdestarin e tij me materiale për operacionet, si të zbulimit britanik, ashtu edhe të atij amerikan. Ai paralajmëroi MGB/KI (Komiteti i Informacionit i MGB-së, red.) në Shqipëri për zbarkimin e parë nga deti në tetor të vitit 1949, që e kishte përgatitur SIS-i, për planet e depërtimit përmes kufirit, të verës 1950, për desantët e parë të CIA-s, në nëntor të vitit 1950…” Pra, edhe nga brenda fortesës së KGB-së sovjetike, nga vjen një prej dy autorëve të këtij libri, pohohet se Kim Filbi ka ndihmuar komunistët shqiptarë përmes shërbimit sekret sovjetik. Por deri në vitin 1950 dhe jo më tej. Pasi siç është e njohur, në këtë kohë mbi Kim Filbin nisën të binin dyshime dhe në qershor 1951 atë e tërhoqën nga shërbimi aktiv, duke e kthyer mbrapsht në Londër dhe duke e vënë nën survejim të plotë. Prandaj përkundër pasaktësive që hasën me shumicë, madje edhe nga historianë seriozë, Kim Filbi nuk ka gisht në mbarëvajtjen e radiolojës së famshme të Sigurimit Shqiptar me CIA-n – vitet 1952-1953 – të quajtur “Liqeni i Vajkalit”. Kur për dy vjet me radhë celula e CIA-s në Greqi besoi se kishte kontakt me krerët e një grupi diversionist të futur në territorin shqiptar, por në fakt kishte rënë në lojën e Sigurimit që arrin të sjellë, të vrasë e arrestojë, përmes këtij kurthi, një numër kundërshtarësh të regjimit komunist. 

Christopher Andrew 
Christopher Maurice Andrew, lindur më 1941, është historian në Universitetin e Kembrixhit, i përkushtuar pas historisë së shërbimeve sekrete. Ai është gjithashtu historiani zyrtar i Shërbimit të Sigurimit Britanik, MI5. Reputacionin si historian profesorit ia kanë siguruar studimet e përbashkëta me dy ish-oficerë të lartë të KGB-së, Oleg Gordievsky dhe Vasili Mitrokhin.

Oleg Gordievsky 
Oleg Antonovich Gordievsky. Lindur në Moskë më 1938-ën ishte një Kolonel i KGB-së dhe rezident i saj si dhe shef i zyrës në Londër nga 1974 deri më 1985. Njëkohësisht ai ka bërë edhe agjentin e dyfishtë në shërbim të spiunazhit anglez. I spiunuar nga një amerikan që u shiste informacion sovjetikëve, atë e kthyen në Moskë më 1985-ën, ku e morën në pyetje dhe e torturuan. U arratis nga Finlanda dy muaj më pas me ndihmën e Shërbimit Sekret Britanik. 

Kush është Kim Filbi
Harold Adrian Russell Philby, i njohur si Kim Filbi (1 janar 1912 – 11 maj 1988) ishte një spiun sovjetik i infiltruar në kastën më të lartë të drejtuesve të Shërbimit Sekret Britanik, i cili me veprimtarinë e tij ka shkaktuar dëmet më të mëdha historike për spiunazhin britanik e amerikan. Vetëm pak vite më parë, ish-Kryeministri britanik, Toni Bler, ka kërkuar ndjesë publike për disfatat që mbanin firmën e Kim Filbit. Dyshimi i parë për Kim Filbin u hodh më 1946-ën nga Xhejms Angelton, që e kishte dëgjuar Filbin të thoshte: “Ky vend mund t’ia dalë me një dozë të ashpër socializmi”. Drejtori i Përgjithshëm i CIA-s, Bedell Smith, u dërgoi një ultimatum britanikëve që ta pushonin Filbin, ose në të kundërt ata do të ndërprisnin marrëdhëniet mes dy agjencive. Amerikani i bëri të qartë gjithashtu homologut të tij britanik, Stjuart Menzes, se Filbi nuk ishte i pranueshëm më tej nga CIA si një ndërlidhës me SIS-in dhe se duhet të largohet nga SHBA. Kim Filbi u zhduk më 23 janar të vitit 1963, në Bejrut, një javë para se të merrej në pyetje. Pak kohë më pas Kim Filbi u shfaq në Moskë, ku u zbulua se nuk ishte Kolonel i KGB-së, por thjesht një agjent. Këtu shpejt ai u dha pas alkoolit. Më 1968-ën publikoi librin e tij të famshëm “Lufta ime e heshtur”. Vetëm pas vdekjes, më 1988-ën, atë e vlerësuan ashtu siç ai kishte shpresuar sa ishte gjallë, duke e shpallur “Hero të Bashkimit Sovjetik”.

Enveri, rusëve: Strategjia ime, do shaj Xoxen, jo jugosllavët

Pasi kishte vrarë Koçi Xoxen dhe hedhur baltë me shumicë dhe sa herë që i jepej rasti ndaj Titos, Enver Hoxha vihet në pozitë të vështirë, kur pas vdekjes së Stalinit, politika sovjetike ndaj jugosllavëve ndryshon. Gjithsesi, Hoxha përpunon një strategji, sipas të cilës të ndajë nga akuzat dhe të mos futë në një thes edhe Koçi Xoxen edhe jugosllavët. Pra, të vazhdojë të hedhë vrer mbi Xoxen dhe grupin e tij, por të rregullojë gjuhën dhe më tej edhe marrëdhëniet me jugosllavët. Jemi në maj 1956, vetëm pak javë pas Konferencës së Partisë së Tiranës, ku goditja e kultit të individit të Stalinit, sipas shembullit sovjetik të Hrushovit, për pak hodhi në erë kastën e Enver Hoxhës. Duket, për shkak të këtij pësimi, Hoxha i tronditur e kupton se nuk është koha që të vendoset më tej kundër linjës së Hrushovit. Për këtë arsye ai përpunon një strategji për politikën e mëtejme me jugosllavët, ku madje arrin të cilësojë si të gabuar edhe Rezolucionin e INFORMBYRO-së të vitit 1948, që e ndihmoi të fitonte rivalitetin mbi Koçi Xoxen. Këtë strategji Hoxha e diskuton me ambasadorin sovjetik në Tiranë, L. Krillov, më 12 maj 1956. Më poshtë përkthimi i dokumentit origjinal.
Dokumenti
Nga raportet e Krillovit L.I.
SEKRET
Ekz: Nr. 3 
28 maj 1956
N: 196
Procesverbali i bisedës me Sekretarin e Parë të KQ të PPSH-së, Enver Hoxha.
12 maj 1956. 
Sot isha i ftuar në bisedë me Sekretarin e Parë të PPSH-së, Enver Hoxha, përgjatë së cilës ai rrëfeu se në 10-11 maj u mbajt Plenumi i KQ të PPSH-së, që gjykoi problemet e raportit kryesor të KQ dhe direktivat për planin e dytë pesëvjeçar.
Përgjatë gjykimit të këtyre raporteve nga ana e pjesëmarrësve të plenumit kishte shumë vërejtje kritike për punën e KQ dhe Këshillin e Ministrave. Folësve u tërhoqi më shumë vëmendjen ajo pjesë e raportit kryesor, ku flitet pikërisht për marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe për çështjen e Koçi Xoxes. Anëtarët e KQ në thelb ranë dakord për formulimin e kësaj pjese të raportit, e cila ishte paraqitur nga Enver Hoxha, por në fjalimet e tyre shokët sollën një numër të madh shembujsh të sjelljes jomiqësore të palës jugosllave në marrëdhëniet me Shqipërinë. Dhe shokët madje bënë një tentativë për ta zgjeruar këtë kapitull në mënyrë të tillë, që aty të flitej më shumë për fajin e Jugosllavisë në përkeqësimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Kjo krijoi frikë – tha Enver Hoxha – se në kongres mund të ziejnë të njëjta pasione dhe mund të mbahen fjalime të njëjta. Por kjo nuk duhet lejuar. Prandaj në plenum ne u morëm vesh që të mos përqendrojmë vëmendjen në çështjen e Koçi Xoxes, por të themi thjesht se partia ka arritur një fitore të madhe, duke demaskuar dhe bërë të padëmshëm grupin kriminal të Koçi Xoxes. Për sa u përket marrëdhënieve me Jugosllavinë, këtë pjesë të raportit kryesor Enver Hoxha mendon ta shtjellojë sipas shembullit të mëposhtëm. Marrëdhëniet mes Partive Komuniste të Shqipërisë dhe Jugosllavisë që përpara çlirimit të këtyre dy vendeve ishin shumë të përzemërta. Gjatë rrjedhës së gjithë kësaj kohe në zhvillimin e marrëdhënieve zunë vend gjithashtu edhe gabime thelbësore, të cilat duheshin rregulluar që atëherë, sipas një rruge normale, por me keqardhje kjo nuk u bë. Duhet theksuar me patjetër që pavarësisht këtyre, partia jonë jo vetëm që nuk e ka vënë në dyshim miqësinë me Jugosllavinë, por është përpjekur që me të gjitha forcat deri në momentin e fundit, të mos lejojë prishjen e kësaj miqësie dhe prishjen e marrëdhënieve ekzistuese. Kjo mund të vërtetohet nga dokumentet e njohura nga të gjithë si dhe nga dokumente që gjenden në arkivin e KQ të PPSH-së. Partia jonë nuk ka qenë plotësisht dakord (solidare) me rezolucionin e INFORMBYRO-së të vitit 1948. Ne e kemi pranuar dhe e pranojmë se u gënjyem, po ashtu si edhe partitë e tjera komuniste dhe punëtore, nga provokimi i poshtër i Berias, që na orientoi kundër Jugosllavisë. Në situatën e ndërlikuar të krijuar pas Rezolutës së Dytë të INFORMBYRO-së, neve gabimisht i bashkuam në një gabimet tona edhe mosmarrëveshjet mes partive dhe shteteve të Shqipërisë e Jugosllavisë, fajin dhe krimet e Koçi Xoxes, të kryera prej tij kundër partisë dhe shtetit, për të cilat ai mori dënim të drejtë dhe provokimin e rëndë të ndërtuar nga Beria. Në këtë situatë ishte e vështirë që të mos bëje një lidhje mes tyre. Këtu konsiston edhe gabimi ynë. Logjika e luftës më tej na çoi në gabime se përdorëm akuzat e parashtruara nga Beria ndaj Jugosllavisë. Tashmë gjithçka është e qartë. Partia i ka kuptuar gabimet e veta dhe i qëndron faktit se e shkuara e trishtuar është varrosur dhe se nuk ka më tej ndërhyrje për forcimin e miqësisë së sinqertë mes shteteve dhe partive tona. Në frymën e marksizëm-leninizmit dhe në themel të Deklaratës së Beogradit, kjo miqësi do të forcohet dhe zgjerohet pa u lodhur. Enver Hoxha mu lut që t’ia kaloja përmbajtjen e kësaj teze të raportit për këshillë KQ-së së Partisë Komunistë të Bashkimit Sovjetik. Unë i thashë se do e plotësoja me kënaqësi këtë lutje. Këtu biseda përfundoi.
Ambasadori i BS në Shqipëri
L. Krillov (firma) 

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close