fbpx
Lajme

Serbët më të civilizuar se shqiptarët; më shumë rend në veri se në jug: Paraqitja banale e Spahiut në Shqipëri

Të mbrosh veprimet e Qeverisë Kurti që u qortuan nga partnerët më të mëdhenj të Kosovës është e vështirë. Për ta bërë një gjë të tillë, Nexhmedin Spahiu kësaj here përdori edhe fjalë të turpshme që përçmojnë shoqërinë shqiptare duke e cilësuar si “barbare” e “anarkike” dhe më pak të civilizuar se serbët në veri.

Nexhmedin Spahiu është kthyer në një prej analistëve më të zëshëm në mbështetje të veprimeve të Albin Kurtit në veri të vendit. Por, zgjerimi i kësaj mbështetjeje kësaj here e çoi atë drejt racizmit internal gjatë një paraqitjeje televizive në Top Channel.

Serbët më të civilizuar, më të kulturuar

Sipas Nexhmedin Spahiut, të gjitha thirrjet e partnerëve perëndimorë dhe të gjitha përpjekjet e Qeverisë për shtensionim të situatës nuk kanë ndonjë domethënie. Situata veçse është e shtensionuar. E qetë. Mbizotëron rendi dhe ligji. E kështu me radhë.

Madje, sipas tij, më shumë rend dhe ligj ka në veri të Kosovës se sa në jug të Kosovës.

Situata është e qetë… situata është nën kontrollin e… është i vendosur rendi dhe ligji. Madje mund të them se rendi dhe ligji në veri të Kosovës po funksionon më mirë se sa në jug të Kosovës.” – shprehet ai.

Dhe duke folur për arsyet, ai pretendon që serbët në veri janë më të kulturuar e më të civilizuar se sa shqiptarët në jug. Këta të fundit, sipas tij, janë “anarkik e barbarë”.

“Jo vetëm se serbët janë më të civilizuar se sa ne shqiptarët, më të kulturuar. Këtë e them natyrisht me keqardhje. Por duhet ta pranojmë.” – u shpreh ai, për të vazhduar më pas edhe me këto fjalë:

“…problemi me qeverisjen mbi serbët është shumë më i kollajtë se sa mbi shqiptarët të cilët kanë prirje anarkike, edhe prirje barbare që të mos respektojnë ligjet…”

Meqë po e nuhaste një frymë mosbesimi ndaj fjalëve të tij, ai merr në përdorim vagullt ‘ambasadorë të huaj’. Sipas tij, edhe këta ambasadorë të huaj – pra, ambasadorë jovendorë – kishin të njëjtën bindje me të.

“Shumë ambasadorë të huaj thonë: shiko, është vendosur rendi dhe ligji në veri të Kosovës por ju nuk mund ta vendosni atë në jug ku atë e shkelni vetë…” – pretendoi Spahiu.

Nacionale nuk ka gjetur asnjë deklaratë publike të ndonjë ambasadori të huaj që pretendon se është vendosur rendi dhe ligji në veri të Kosovës dhe që nuk po vendoset rendi dhe ligji në jug.

Kujtojmë se këto fjalë nga z. Spahiu vetëm sa përforcojnë idenë shoveniste serbe që pretendon se komuniteti serb ka përparësi kulturore në raport me komunitetin shqiptar. Kjo ide në mënyrë të ulët ishte përforcuar edhe nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.

“Kemi punë me njerëz të cilët faktikisht kanë dalë nga mali…” – thoshte ajo.

Çka tha tjetër Spahiu?

Spahiu ishte i përçudshëm edhe në pjesën tjetër të intervistës.

Ai pretendoi se njohja e Ukrainës nuk është se i duhej shumë Kosovës, përveç për efekt propagandistik.

“Ç’është e vërteta njohja e Ukrainës në këtë moment do të ishte e rëndësishme për Kosovën. Dmth më tepër në kuptimin thjesht propagandistik se sa në atë real politik sepse Kosova nuk ka ndonjë marrëdhënie me Ukrainën, sepse edhe po të na njoh nuk është se do të bënte ndonjë biznes ku ta di çfarë me të…” – pretendoi ai.

Kujtojmë se profesori amerikan Edward P. Joseph tash e disa muaj në mënyrë publike bën fushatë që Ukraina ta njohë Kosovën, duke treguar se si kjo do të shërbente si katalizator për të marrë njohje nga pesëshja mos-njohëse e shteteve të BE-së.

Më tej, Spahiu pretendoi se qortimet dhe masat ndëshkuese të partnerëve perëndimorë ndaj Kosovës duheshin parë si qortimet e një prindi ndaj fëmijës.

“Ato qortime të bashkësisë ndërkombëtare drejt Albin Kurtit, qeverisë së tij, janë qortime që prindi i bën ndaj fëmijës së vet. Janë qortime të cilat thjesht kanë karakter jo vetëm edukimin por edhe në një mënyrë mesazhin palës tjetër… që kur ti fëmiju juaj, grindet me komshiun, atëherë kur i ngre veshin fëmijut tuaj, i jep mesazh edhe komshiut.” – u shpreh z. Spahiu.

Ai përdori edhe gjuhë të pakujdesshme gjatë kësaj paraqitjeje televizive, duke e përdorur termin “pushtim” të objekteve komunale siç e bënte edhe Serbia.

“Çfarë mund të thuhet… para 26 majit, para se Albin Kurti t’i merrte, t’i pushtonte thjesht objektet komunale në veri të Kosovës…” – tha ai në një moment.

“Tek pas pushtimit të këtyre objekteve…” – tha në një moment tjetër.

Në fund, po iu lëmë me një nga thëniet e tij më emblematike të kësaj interviste:

“Para se të jesh një person i bukur dhe i mençur është me rëndësi që të jesh njeri. Që të jesh i gjallë. Të mos jesh kufomë.”

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close