Dritëro Agolli 1999: Djemtë e Kosovës e kanë trashëgimi këtë që nga kohët e lashta, UÇK do t’i jap një përgjigje të merituar serbit
(Botuar me 30 mars 1999 në KOHA JONE)
-Intervistë ekskluzive e Dritëro Agollit dhënë gazetarit Pandi Gjata për gazetën KOHA JONE: “Shqiptarët janë si bari, e korr, por nuk zhduket”-
- Agolli si i shikoni zhvillimet më të fundit në Kosovë pas ndërhyrjes së NATO-s?
Gjendja në Kosovë është dramatike dhe tragjike. Serbët po përdorin tri armë për shfarosjen e popullit shqiptar. Armën e zjarrit, që djeg gjithçka. Ky zjarr nuk del prej drurit, por nga trupa njerëzish. Arma e dytë është e hekurit, e plumbit, e predhave e dinamitit, e cila vret njerëz në masë pa numëruar, se ç’është ky, e qysh. Mjafton që të jetë shqiptar e të vritet nga ky hekur. Arma e tretë është e hurit, e përzënies së shqiptarëve nga toka e tyre. Kjo armë është nga më çnjerëzoret dhe ka qenë e planifikuar që më përpara. Nuk doli nga kjo luftë spontanisht. Ajo ka qenë ëndërr e serbëve, e historianëve çnjerëzorë të Serbisë, e politikanëve, e intelektualëve të këqij, që të spastronin etnikisht atë pjesë të Shqipërisë. Nuk ka gjë më të poshtër sesa ta përdorësh pastrimin etnik si armë.
Por serbët këtë armë e kanë mbajtur gati prej kohësh dhe tani kur erdhi dita ata e nxorën dhe e shkrehën. Kështu që duke parë gjendjen kaq të llahtarshme të vëllezërve tanë, ne nuk mund të mos ndiejmë dhimbje shumë të fortë. Por unë mendoj se ndiejmë edhe një krenari për një pjesë tjetër të njerëzve që mbeten atje, për luftëtarët heroikë që luftojnë me vetëmohim për lirinë e Kosovës. Krenari për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe për popullin e thjeshtë që bashkohet me UÇK-në. Në një mënyrë ose në një tjetër është pranë UÇK-së. Nga gjithë kjo kasaphanë në Kosovë, unë jam i sigurt se radhët UÇK-së do të shtohen më shumë. Djemtë e Kosovës e kanë trashëgimi këtë që nga kohët e lashta. Ata bashkohen dita ditës me UÇK-në dhe unë besoj se ata do t’i japin një përgjigje të merituar serbit. Kjo që po bëhet në Kosovë nuk është bërë as edhe nga fashizmi në Shqipëri. Kjo që po bëjnë serbët është inkuizicion si në mesjetë, bile do të thoja më shumë se inkuizicion.
Pas dy operacioneve që ka ndërmarrë NATO, masakrat janë shtuar. Ç’duhet të bëjë ajo së fundmi?
NATO di të orientohet në situata të tilla. Ajo duhet ta ketë parashikuar edhe një formë tjetër të luftës kundër nazistëve serbë. Tani ajo po spastron terrenin për të qenë e sigurt më vonë për të dërguar këmbësorinë për ta shkelur vendin tamam. Sepse po nuk hyri këmbësoria nuk mund të quhet një vend i çliruar. Mua ma merr mendja që pas të gjitha këtyre duhet të ndërhyjë edhe me këmbësorë. Por kjo që po bën Milosheviçi është një destabilizim për krejt Ballkanin. Është një luftë fizike dhe psikologjike. Fut ankthin në gjithë Ballkanin e Evropën me këtë spastrim të tillë që ne zakonisht i themi lëvizje biblike e popullsisë. Duke patur këtë lëvizje të tillë NATO dhe SHBA, qeveritë e të gjitha vendeve që kanë pak mend e kuptojnë që nuk është një destabilizim vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Ballkanin dhe Evropën.