fbpx
Lajme

“Si ia shkaktuat vetës një fatkeqësi të tillë – si nuk i pa politika pasojat që vijnë?”, ish-komandanti i parë i KFOR-it

Erhard Buhler – gjenerali gjerman që shërbeu si komandanti i parë i KFOR’it – nuk është i befasuar me tensionet në veri, sepse ato i kishte parashikuar, por ai nuk mund ta kuptojë dot se si politika e jashtme e Kosovës nuk e ka kuptuar fare pasojnë e veprimeve të fundit.

Për Buhler është krejtësisht e pakuptueshme se si një shtet, në këtë rast Kosova, rrezikon kaq shumë, për një çështje që është fare minore si kjo e targave.

“Koha e këtyre eskalimeve s’do mund të ishte më e papërshtatshme se tash”, thotë Buhler në këtë intervistë për Albanian Post.

“Ballkani Perëndimor aktualisht ka vëmendje shumë të madhe dhe simpati nga ana evropiane, dhe gjithashtu nga shtete individuale por kruciale si Gjermania. Në rastin e Kosovës, liberalizimi i vizave përfundimisht është shumë afër, edhe shtetet tjera po bëjnë hapa drejt integrimit në Evropë. A e ka konsideruar ndonjë nga shtetet impaktin negativ që do të kishte për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor ringjallja e konflikteve? A është kaq e rëndësishme çështja e targave që të rrezikohet ky proces?”, pyet gjenerali gjerman.

“Është akoma më keq kur aleatë të rëndësishëm të Kosovës, veçanërisht SHBA-të, por edhe shtetet e Evropës, nuk e kanë mbështetur kohën e masave. Si mund t’i ndodhte një fatkeqësi e tillë e politikës së jashtme? A nuk ishte Ministria e Punëve të Jashtme dhe diplomacia e aftë të shohë se një reagim i tillë po vinte?”, thotë ai për Albanian Post, derisa shton se “kam frikë që menaxhmenti në Ministrinë e Jashtme nuk po i vendosë prioritetet si duhet”.

Ish-komandanti i KFOR-it habitet se si qeveria e Kosovës nuk e ka kuptuar edhe një gjë fare të thjeshtë.

“Është e vërtetë gjithashtu se përkrahësit kryesorë të Kosovës megjithatë e mbështetën në masat e reciprocitetit edhe gjatë verës. Por, në momentin e parë që ka kërcënime për eskalim, ndërrohet mendja. Një politikë e jashtme kompetente dhe me eksperiencë duhet të jetë e aftë të bëjë vlerësime të tilla të zhvillimeve”, pohon ai.

“Në verë të këtij viti kam thënë se nuk do t’i rekomandoja masat për targat në këtë kohë. Nuk mund të jetë në interes të Republikës së Kosovës, apo të shteteve të Ballkanit Perëndimor, që situata të eskalojë mbi një çështje që në esencë është minore. Pikëpamja ime nuk ka ndryshuar si pasojë e ngjarjeve të fundit, por veç se është konfirmuar dhe fuqizuar”, deklaron Buhler për AP-në.

Si njohës deri në detaje i situatës në Ballkan, e veçanërisht në Kosovë, ai pohon se ka kaq shumë probleme tjera me të cilat duhet të merret qeveria, saqë ngjan krejt e pavend kjo situatë me targat.

“Të dyja shtetet, Kosova dhe Serbia, kanë probleme të tjera që janë shumë më të rëndësishme për qytetarët sesa tabelat e veturave. Për Republikën e Kosovës do të ishin për shembull: sistemi publik shëndetësor, sistemi i edukimit, mungesa e energjisë elektrike, papunësia, shërbimet komunare, korrupsioni që akoma ekziston përkundër paralajmërimeve të mëdha me ndërrimin e qeverisë dhe mungesa e rendit dhe ligjit, madje edhe brenda vetë institucioneve”.

Sa për Veriun, thotë se përherë ka qenë për vendosje të rendit atje, “por jo me çdo çmim”.

“Gjithmonë kam qenë në favor të shtrirjes së rendit dhe ligjit në gjitha regjionet e Kosovës, gjithashtu edhe në Veri të Kosovës, sepse mungesa e ligjit dhe organizatat multi-etnike të krimit, eksploatimi dhe abuzimi me qytetarët paqësorë për qëllime nacionaliste, ka lulëzuar aty për shumë vite. Por, jo me çdo çmim”.

Për situatën e fundit me largimin e policëve serbë nga strukturat, vëren të mos ketë dëgjuar asnjëherë më parë për diçka të tillë. Për bindjen e tij, dikush duhet të jap llogari për këtë shkëputje zinxhiri.

“Refuzimi publik i shërbimeve nga zyrtarët policorë që ndodhi në Kosovë është një shembull i paparë kurrë në Evropë. E kuptoj pjesërisht këtë, sepse shefi serb i policisë në veri nuk zbatoi vendimin, e ndjehu se duhej ta bënte këtë publike dhe përfundimisht u suspendua. E kuptoj edhe solidaritetin e kolegëve të tij me të. Gjithsesi, mendoj se veprimi i tyre ishte i gabuar. Policia është e lidhur me ligjin, ata nuk duhet ta lejojnë vetën të politizohen, por as nuk duhet të tentohet të politizohet me ta”, deklaron Buhler.

“Këshillat e policisë duhet të dëgjohen. Nëse politikanët nuk e bëjnë dhe situata eskalon si rezultat, qeveria duhet të marrë përgjegjësi. Në një shtet konstitucional, Parlamenti do të duhej të thërriste për një hetim të këtij procesi dhe për thirrje në përgjegjësi”.

Sa për politikën destruktive të shtetit serb, Buhler deklaron se politikanët e tillë si presidenti serb, i sheh të papranueshëm në një të ardhme brenda Bashkimit Evropian.

“Roli i politikanëve serbë, mbi të gjitha i presidentit serb, Aleksandër Vucic, është i papërshkrueshëm në këtë kontekst dhe nuk korrespondon me vlerat që unë, dhe me shumë gjasë shumica e qytetarëve, duam t’i shohim te anëtarët e ardhshëm të Bashkimit Evropian”.

“Dërgimi i ushtrisë serbe në kufi me Kosovën për një çështje rreth targave është thjesht në shpërputhje me vlerat evropiane, njëjtë si retorika e vazhdueshme për luftën e këtij presidenti dhe ministrit të tij të mbrojtjes”, thotë Buhler, kurse shton se BE këtë gjuhë duhet ta dënojë.

“Pres deklarime dhe gjithashtu masa më decizive nga Bashkimi Evropian”.

Sylejman Selimi dhe Erhard Buhler

Buhler veç vendeve në Ballkan, njeh edhe njerëzit – qytetarët e thjesht.

Ata, pohon ai, ose “nga të gjitha grupet etnike, edhe serbët, nuk duan asgjë më shumë se të jetojnë në paqe, siguri dhe prosperitet”.

Kështu që është i bindur se  “pajtimi është çfarë duhet tani”.

“Prandaj është mirë që po flitet për një dokumente përfundimtar që provon të rregullojë çështjet në mes dy shteteve. Ishte gabim që kjo u la jashtë për kaq gjatë duke u marrë me marrëveshje teknike. Në këtë mënyrë, përgjegjësia vetëm kalohet nga gjenerata në gjeneratë, që fatkeqësisht rritë dallimet nacionaliste, sepse gjeneratat e reja që vijnë nuk i kanë përjetuar vuajtjet e luftërave në Ballkan”.

Krejt në fund, përkundër se i çuditur me sjelljen e politikanëve, e ka një ide pse ata zgjedhin tema të tilla si kjo e veriut.

“Votuesit në shtetet e Ballkanit duhet të votojnë politikanë që janë të gatshëm për pajtim, që i kontribuojnë paqes, sigurisë dhe prosperitetit të votuesve të tyre. Mos votoni për ata që duan të fshehin problemet e brendshme dhe dështimet me nacionalizëm dhe politika që shohin nga e kaluara. Veçse kemi politikanë të tillë mjaftueshëm nëpër botë”.

Kurse sa për Kosovën dhe pavarësinë e saj, “ajo nuk vihet asnjëherë në pikëpyetje”, deklaron Buhler./Albanianpost.com

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close