fbpx
Lajme

SKANDALOZE| Gërvalla e shndërron ministrinë në “çerdhe” familjare, vajza e mitur e saj kreu praktikë në MPJD me ligje gjermane

Vula e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës nën qeverisjen e Donika Gërvallës po përdoret edhe për punë familjare. Një dokument i rëndësishëm është nënshkruar dhe vulosur nga ky institucion për vajzën e saj. Nora Schwarz, vajza 16-vjeçare e ministres Gërvalla-Schwarz, ka marrë certifikatë për kryerje të praktikës në kabinetin e MPJD-së për nevoja të shkollimit të saj në Gjermani, pa e kryer fare.

“Kushërinjtë janë për shtëpi. Familja është te shpija. Fisi është për dasmë, për gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministria”, këto ishin vetëm disa nga moralizimet e Albin Kurti në një tubim me qytetarë, ku ishte i shoqëruar edhe nga Vjosa Osmani e Donika Gërvalla.

Por, zëvendësja e tanishme e Albin Kurtit, e cila është lidere e Listës Guxo, partisë së krijuar nga presidentja Vjosa Osmani, ministrinë që po e drejton e ka shndërruar në “çerdhe” familjare.

Ministrja Gërvalla e ka vendosur ministrinë, asistenten dhe vulën e MPJD-së në dispozicion të vajzës së vet. E një shembull i tillë, që një e mitur të përfundojë praktikë dhe të certifikohet nga institucionet e larta, nuk është hasur deri më tash në Kosovë. Kjo praktikë në kabinetin e nënës së saj, e cila drejton një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit, siç shkruan në dokumentin zyrtar, është kryer sipas dispozitave të ligjit gjerman, raporton Demokracia.com.

Vajza e ministres Gërvalla-Schwarz, Nora Schwarz, sipas punonjësve të kësaj ministrie, është parë gjithsej 2-3 herë në objektin e MPJD-së duke e vizituar nënën e saj prej kur ajo është ministre, por nuk ka kryer kurrfarë praktike në këtë dikaster qeveritar. Përkundër kësaj, vajzës së ministres i është lëshuar një certifikatë nga MPJD, e nënshkruar nga asistentja personale e Gërvallës, e cila mban vulën e MPJD-së, por që nuk figuron askund si e protokolluar dhe e arkivuar, sikur ky institucion të ishte kompani private e familjes Gërvalla.

Në njërin nga dokumentet e siguruara nga Demokracia.com tregohet sesi kabineti i ministres Donika Gërvalla – Schwarz shpreh gatishmëri që nxënësen Nora Schwarz nga Gjimnazi në Oelberg, Konigswinter-Oberpleis, ta angazhojë si praktikante në kabinetin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës.

“Ne jemi gati të presim nxënësen midis 10 janarit dhe 28 janarit 2022, Nora Schwarz, të gjimnazit (Gymnasium) am Oelberg, Königswinter-Oberpleis për një praktikë studentore në institucionin/shtëpinë tonë. Ne u informuam për kuptimin dhe qëllimin e praktikave të studentëve dhe gjendjen e tyre të sigurimit (sigurimi i aksidenteve dhe përgjegjësisë) si dhe u informuam se nuk do të paguhet asnjë shpërblim financiar as për shkollën dhe as për studentët. (Ju lutemi kthejeni këtë deklaratë sa më shpejt të jetë e mundur në Gymnasium am Oelberg, Weilerweg 25, 53639 Königswinter – Oberpleis ose dërgojeni me faks në 02244/934101)”, thuhet në dokumentin që mban vulën e MPJD-së dhe nënshkrimin e asistentes së Gërvallës, Besiana Havollit.

Ndërsa, në dokumentin tjetër të siguruar nga Demokracia.com, që është emërtuar si “Certifikatë e praktikës”, thuhet se Nora Schwarz e ka përfunduar praktikën në kabinetin e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Aty thuhet se Nora Schwarz ka përfunduar praktikën në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës nga data 10.01.2021 deri 28.01.2021, që duket se e kanë ngatërruar vitin në atë fillim janari, pasi që në dokumentin që mban datën 04.10.2021 ku i ishte shprehur gatishmëria për mbajtjen e kësaj praktike janë datat e njëjta, por vetëm viti është 2022. Por, edhe ky dokument që i referohet vitit 2021, po ashtu, në fund tek nënshkrimi dhe vula e ka datën 4 shkurt 2022.

Në këtë dokument thuhet se Nora Schwarz gjatë kësaj kohe e ka kryer praktikën me orar nga 09:00 deri në 16:00.

Detyrat e vajzës së ministres Gërvalla, sipas këtij dokumenti të siguruar nga Demokracia.com, kanë qenë shoqërimi dhe përcjellja e aktiviteteve të ndryshme në kabinetin e nënës së saj, organizimi i një databaze digjitale për kontaktet e ministres dhe kabinetit.

“Certifikata e Praktikës. Zonja, Nora Schwarz, e lindur më ****2006 në Bonn (Republika Federale e Gjermanisë) me banim në ******* Bon ka kryer praktikën në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës në Prishtinë nga data 10 janar 2021 deri më 28 janar 2021. Orari i rregullt i punës në ministri ishte nga ora 9:00 deri në 16:00, ku përfshihej edhe pushimi i drekës. Angazhimi në ministri është kryer sipas dispozitave përkatëse të ligjit gjerman. Nora u angazhua në ministri në kabinetin (departamentin e stafit) të ministres. Detyrat e saj përfshinin: Shoqërimi dhe vëzhgimi i aktiviteteve të ndryshme në kabinet në veçanti; • Organizimi i pavarur i një databaze digjitale për kontaktet e ministres dhe kabinetit; • Mbështetje për aktivitete të ndryshme organizative si përgatitja e pritjes për trupin diplomatik nga ministrja dhe • Shoqërimi i ministres ose punonjësve në kabinet në bisedime dhe termine”, thuhet në këtë dokument të nënshkruar nga asistentja e Gërvallës dhe të vulosur me vulë të MPJD-së, pa kryer faktikisht kurrfarë praktike Nora Schwarz në MPJD.

Në fund të certifikatës nuk kishte si të mungonin lëvdatat për të bijën e shefes, shkruan Demokracia.com.

“Nora ishte në gjendje të përshtatej shumë mirë me punën në kabinet falë sjelljeve të saj miqësore dhe bashkëpunuese dhe njohurive shumë të mira të gjuhës angleze dhe shqipe. Edhe në çështje më komplekse, ajo ishte gjithmonë në gjendje të kuptonte shpejt temën dhe detyrën dhe ta zbatonte në mënyrë të pavarur“, shkruhet në certifikatën e praktikës që e ka siguruar Demokracia.com.

Ministria është arsyetuar në këtë dokument se për shkak të Covid-19 dhe pandemisë, praktika e Norës kishte vazhduar vetëm dy javë. Por, edhe përkundër kohës së shkurtër, siç thuhet në dokument, ajo kishte “shkëlqyer”.

“Nora i përmbushte gjithmonë detyrat që i ngarkoheshin, në kënaqësinë tonë të plotë. Për shkak të efekteve të pandemisë korona, edhe në ministrinë me sëmundje që preknin pothuajse 80 për qind të punonjësve në kabinetin e ministres, praktika në ministri nuk mund të vazhdohej pas dy jave. Gjithsesi, dy javët e praktikës shpresojmë të jenë një përvojë e mirë për Norën dhe një kënaqësi për ne me të. Personalisht dhe për angazhimin e saj, Norës mund t’i japim vetëm vlerësimin më të mirë. I urojmë gjithë të mirat në jetën e saj të ardhshme personale, akademike dhe profesionale”, thuhet në dokumentin që gjithashtu është nënshkruar nga asistentja Besiana Havolli, më 2 prill 2022.

Në dokumentin e MPJD-së çuditërisht theksohet se angazhimi i Nora Schwarz në ministri është kryer sipas dispozitave përkatëse të ligjit gjerman, duke mos u përfillur kështu nga kabineti i Gërvallës as ligjet e Kosovës.

Këto dokumente nuk janë nënshkruar nga ministrja Donika Gërvalla, por “barrën” ia ka vendosur mbi supe asistentes personale të saj, Besiana Havollit.

Havolli e ka nënshkruar certifikatën që Nora Schwarz e ka marrë nga Ministria e Punëve të Jashtme, por edhe deklaratën në emër të MPJD-së ku shprehej gatishmëria për pranimin e saj si praktikante në këtë institucion.

Demokracia.com ka kërkuar sqarime nga MPJD pse asistentja e Gërvallës është ngarkuar me këto dokumente dhe nënshkrime kur dihet roli i saj dhe nuk është fushëveprimtari e asistentes shprehja e gatishmërisë së ministrisë apo rekrutimi i praktikantëve, por ky institucion e ka zgjedhur heshtjen.

Po ashtu, MPJD nuk ka pranuar të flas për asnjërën nga pyetjet që i janë dërguar.

Këto janë pyetjet që i janë dërguar këtij institucioni.

Gjithashtu, Demokracia.com ka provuar ta sqarojë këtë çështje edhe me Gjimnazin në Oelberg, Konigswinter-Oberpleis, të cilit i është dërguar deklarata dhe më pas edhe certifikata e praktikës për Nora Schwarz nga kabineti i Gërvallës, por duke pasur parasysh që shkollat në Gjermani nuk ndajnë informacione me media për të miturit, as ky institucion gjerman nuk ka kthyer përgjigje.

Qeveria Kurti në fillim ishte cilësuar si “Qeveri e ministrave praktikantë”, ndërsa tani është bërë edhe qeveri e familjarëve praktikantë. /Demokracia.com/

Sqarim: Për shkak se vajza e ministres Gërvalla është e moshës së mitur, Demokracia.com ka vendosur të mos e publikojë asnjë fotografi të Nora Schwarz, në përjashtim të një videoje të transmetuar në televizionin publik, që është shpërndarë edhe nga familjarët e saj.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close