Spartak Braho: Historia që i djeg më shumë Sali Berishës, si është rekrutuar si agjent i jugosllavëve
Nga Xhevdet Shehu
Jo më larg se pardje, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim, ka bërë një deklaratë të tmerrshme kundër Sali Berishës. Ajo përdori një term eufemik “spin doctors”, që nga bashkatdhetarët tanë që nuk dinë ende anglisht, u kuptua si doktorët spiunë. Pavarësisht, nga konteksti, analogjia ishte mjaft e saktë.
“Jeni lodhur nga “spin doktorët”? Gjykojeni vetë. Ja çfarë tha në të vërtetë Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar. Ai gjithashtu diskutoi për integrimin ekonomik rajonal (përfshirë Ballkanin e Hapur dhe Procesin e Berlinit), Kosovë-Serbi, etj”, shkruan Kim.
Shprehja “spin doctor” në gjuhën angleze u referohet personave që tentojnë të bëjnë ‘lavazh truri’ duke interpretuar diçka në favor të interesave politike të tyre.
Para tre vjetësh unë kam botuar në DITA një intervistë të gjatë me deputetin Spartak Braho, i cili dha një sërë faktesh se si Berisha ishte rekrutuar nga agjenturat e huaja, kundër interesave tona kombëtare. Zhvillimet e ditëve të fundit na sollën në kujtesë ngjarje dhe fakte të shumta të së kaluarës.
Dje, unë u takova dhe bisedova sërish rreth kësaj teme me zotin Braho, pjesë nga biseda me të po i botoj në vijim.
Ja si më foli dje Spartak Braho:
-Unë nuk u befasova aspak nga deklarata e ambasadores amerikane, tha Braho. Unë e kam pohuar publikisht se Sali Berisha ka qenë një agjent i UDB-së dhe ka vepruar në mënyrë sistematike kundër interesave tona kombëtare. Bazuar në dokumentacione dhe rrëfime autentike të personit që e ka rekrutuar Berishën, thuhet shkoqur se Sali Berisha ka qenë jo vetëm një agjent potencial, por dhe aktiv i disa shërbimeve të huaja, kryesisht jugosllave, të cilat akuza deri tani ai nuk ka patur kurajo t’i kundërshtojë apo mohojë publikisht.
Ambasadorja amerikane Juri Kim, duke analizuar ngjarjet e datës 08 Janar e cilësoi dhe etiketoi Sali Berishën si “SPIN DOCTOR”.
Shumëkush edhe për shkak të veçorisë së këtij epiteti, nuk ka arritur të kuptojë ekzaktësisht kuptimin. Sipas diksionerit anglisht- shqip, Spin doctor ka kuptimin e një personi dredharak, i pasinqertë, mashtrues dhe manipulator (disingenuous, deceptive and manipulative tactics), të gjitha këto epitete që unë bazuar edhe në faktet, e kam cilësuar atë si spiun i vjetër dhe i regjur. Me sa duket edhe Zonja ambasadore e ka hapur dosjen edhe me mjetet dhe gjuhën e saj ka bërë përshkrimin e figurës së Sali Berishës direkt pas ngjarjeve të 8 Janarit: Spin Doctor.
Sali Berisha ka punuar pa hezitim si spiun kundër interesave kombëtare
Cili ishte agjenti “Penicilina”, bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe më vonë agjent i UDB – së, etj. Rrëfimi i pazakontë i ish-operativit të Sigurimit Ali Anadolli. Dëshmi autentike të veprimtarisë antikombëtare të Sali Berishës dhe një krahasim mes tij dhe Esat Toptanit.
– Zoti Braho, gjatë një sërë intervistash që kemi bërë së bashku, ju këmbëngulni në faktin se Sali Berisha ka qenë rekrutuar nga shërbimet e huaja sekrete, të cilave vazhdon t’u shërbejë besnikërisht. Kjo është një akuzë shumë e rëndë për një politikan shqiptar, për më tepër, ish-President dhe ish-Kryeministër i vendit. Shumë nga lexuesit e DITA-s na kërkojnë ta dokumentojmë këtë akuzë të rëndë ndaj zotit Berisha. Mund të na tregoni diçka më shumë për këtë?
– Padyshim. Unë i justifikoj të gjithë ata që duan të dinë më shumë sepse është folur shumë për këtë fakt. Flitet për Sali Berishën, një njeri që ka aq shumë kusure mbi supe. Unë mund të flas pambarimisht për këtë person, pasi kam patur rastin të njoh nga afër një pjesë të njerëzve dhe dokumentacionit që lidhej me të.
Dhe si një bashkëkohës me të në politikë mund të them me pak fjalë: Ka kaq shumë fakte për këtë njeri saqë është e pamundur të thuhen të gjitha edhe në gazetën tuaj të nderuar. Unë kam premtuar se do t’i sjell këto fakte. Por po ju them se nuk kemi të bëjmë me një agjent të thjeshtë.
Sali Berisha ka qenë një agjent kalibri, një superagjent pak a shumë, i ngjashëm me Kim Filbin, apo me Esat Toptanin. Ishte një agjent i shumëfishtë. Sepse spiunët kanë një huq, që, pasi firmosin njëherë diku, nuk dinë të tërhiqen, por zhyten thellë e më thellë në ndyrësinë e tyre…
-Kjo është vërtet tronditëse, zoti Braho. Po flasim për zotin Berisha. Le të flasim me fakte…
– Padyshim. Sali Ram Berisha fillimisht është rekrutuar nga Sigurimi Shqiptar dhe ka përzgjedhur pseudonimin “Penicilina”. Si mund t’jua vërtetoj këtë? Fare thjesht. Unë disponoj dëshmitë me shkrim të ish-operativit të Sigurimit të Shtetit, Ali Anadollit, i cili e ka rekrutuar Saliun si agjent në vitin 1967.
Ka rëndësi të theksohet viti, pasi në vitin 1968 Saliu është pranuar anëtar i PPSH-së për devotshmërinë e lartë që ka treguar. Ja se çfarë ka shkruar operativi i Sigurimit të Shtetit, shkodrani Ali Anadolli, i cili e ka rekrutuar Saliun fillimisht.
Lexoni se çfarë dëshmon Ali Anadolli në raportin e tij:
“Në vitin 1962, Sali Berisha erdhi në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Mjeksisë. Në atë kohë sektorin e mjekësisë ai mbulonte këtë sektor. Pasi mbaroi studimet u mbajt në spitalin e Tiranës si mjek kardiolog dhe më vonë si kardiokirurg. Në këtë kohë ai përgatit dokumentet për t’u futur në Parti. Një vëlla i tij, me emrin Selim, kishte mik kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Tropojës, Idriz Shehun.
Ai i kërkoi Idrizit ta ndihmonte të vëllanë për t’u pranuar në Parti. Idrizi i përgjigjet se në kushtet e Sali Berishës (me probleme në biografinë e familjes), për t’u pranuar në Parti, duhej që edhe ai ta ndihmonte shtetin me shërbime të veçanta, prandaj ai duhej takuar dhe t’i merrej mendimi nëse ishte dakord kështu. Pas takimit me Saliun në Tiranë dhe pasi mori miratimin e tij, i vëllai (i cili sot nuk jeton, pasi ka vdekur nga zemra, dhe që ishte i vetmi person pozitiv në fisin e tyre) u kthye në Tropojë.
Pas disa kohësh, bashkë me kryetarin e Degës, u nisën me makinën e tij për në Tiranë dhe u takuan me persona të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët e tërhoqën Saliun në bashkëpunim, me pseudonimin “Penicilina” dhe, pas kësaj, iu miratua edhe kërkesa për të hyrë në Parti.
Sali Berisha u studiua mirë nga Sigurimi i Shtetit dhe pranimi per rekrutimin e tij lidhej me ambicien e tij të madhe për karrierë. Në atë kohë ishte rregull që dosja e kuadrit që bashkëpunonte me Sigurimin e Shtetit nuk ruhej në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit por nga Drejtori në Drejtorinë e Punëve të Brendshme në Ministri.
Kur erdhi në pushtet, jo më kot, Sali Berisha e futi në burg ish Drejtorin në Ministri, Zef Loka, një burrë i ndershëm që e kishte ndihmuar shumë Sali Berishën në zgjidhjen e çdo problemi familjar.
– Të jenë të vërteta gjithë këto që thotë ky operativ i ish-Sigurimit të Shtetit? Mos ka një tendencë negative për të na errësuar figurën historike të Saliut?
– Jo. Unë nuk mendoj kështu. Nuk vërej asnjë tendencë negative. Ky operativ flet me data dhe fakte konkrete, na paraqet një raport me shkrim normal për punën e tij. I takon Sali Berishës t’i përgënjeshtrojë po qe se ka fakte që t’i mohojë këto.
Por unë jam i bindur që ai nuk do ta bëjë kurrë këtë. Sepse dosja e tij kriminale është shumë më e zezë nga ç’mendohet. Sali Berisha është një agjent i vërtetuar i UDB -së, që ka hartuar strategjinë e shkatërrimit të kombit shqiptar dhe po e bën atë realitet. Ai ka kohë që është bërë emisar i Serbisë, së bashku me disa bashkëpunëtorë të tij.
– Zoti Braho! Unë mendoj se kjo është një akuzë shumë e rëndë ndaj një personaliteti si zoti Berisha. Pavarësisht kontestimeve tuaja, zoti Berisha e ka dominuar skenën politike shqiptare pas vitit 1990. Apo jo?
-Po. Dhe ky është një nga absurditet më të çuditshme në këtë vend. Por që në të njëjtën kohë vërteton katërcipërisht misionin antishqiptar të tij. Le t’i rikthehemi historisë së jetës së tij haluçinante. Gjatë kësaj kohe (para viteve ’90 pra ), Sali Berishës i ishte rritur ndjeshëm temperatura e etheve për pushtet dhe zbatonte me përpikmëri mësimet e PPSH, deri sa u bë sekretar i organizatës së PPSH të spitalit.
Në këtë kohë filluan t’i shfaqen edhe simptomat e sëmundjes psikike si deliri i madhështisë, hakmarrjes, etj. Për shkak të kësaj sëmundjeje ai është dërguar nga Partia për mjekim edhe në Austri. Sëmundja mbikëqyrej dhe kurohej nga kolegu i tij psikiatër Ylvi Vehbiu. Në kohën kur Partia merrte nisma për të ndihmuar zonat veriore me mjekë, në një mbledhje të zhvilluar me kolektivin e spitalit, Sekretari i Partisë, Ilir Gjylbegu, kërkoi që kandidatura e Ylviut të mos përfshihej në transferim. Kur u kërkuan sqarime për shkakun e këtij rekomandimi, Iliri shpjegoi se Ylviu duhej të qëndronte pasi nuk kishte se kush të mbikëqyrte Sali Berishën në sëmundjen e tij. Ky “sqarim”, i kushtoi shumë pas 25 vjetësh Gjylbegut, kur Sali Berisha u bë kryetar i PD dhe President i vendit. Presidenti e largoi Gjylbegun nga profesioni për 3 vjet dhe u desh ndërhyrja e miqve që ky mjek, specialisti më i mirë në Shqipëri për profesionin e tij, të rikthehej në punë. Ylvi Vehbiu, me ardhjen e Berishës në pushtet, u largua pa u ndjerë për në SHBA pasi, siç u tha disa shokëve, duke e ditur sëmundjen e Sali Berishës, do të bëhej kurbani i tij i parë. “Mjerë Shqipëria!” u shpreh Ylviu dhe Sali Berisha bëri çmos për ta gjetur! Gjatë kësaj kohe, Sali Ram Berisha martohet me Liri Rexhep Ramën. Rexhepin, mbas çlirimit të vendit, bashkë me disa studentë të tjerë i dërguan për studime në Jugosllavi, në Institutin e Fizkulturës. Kur u prishën marrëdhëniet me ish Jugosllavinë, të gjithë studentët u kthyen menjëherë në Shqipëri, ndërsa Rexhepi është kthyer pas disa vjetësh.
Në Jugosllavi, vjehrri i Sali Berishës, Rexhepi, u tërhoq në bashkëpunim nga UDB-ja. Për këtë ndikoi fakti se motra e Milicës (e shoqja e Rexhepit, tezja e Lirisë dhe vjehrra e ardhshme e Saliut ), ka qenë gjatë luftës oficere e OZNA-s (paraardhësja e UDB-së) dhe pas çlirimit të Jugosllavisë, kolonele e UDB-së, mbështetëse e Rankoviçit dhe e operacioneve të tij për shfarosjen e shqiptarëve. Djali i saj (djali i tezes së Lirisë), gjatë luftës në Bosnje, ishte këshilltar ekonomik i Millosheviçit.
– Sidoqoftë, zoti Braho mua m’u duk i ekzagjeruar krahasimi që i bëtë pak më parë Berishës me Esat Toptanin...
– Dosja e Saliut për veprat etij kriminale dhe antishqiptare është shumë më tepër e zezë se sa ajo e Esatit. Prandaj edhe mua më duket sikur po i bie më qafë Esatit dhe po e bëj më të zi se ç’është në të vërtetë duke e krahasuar me Saliun. Marrëveshjet e Saliut janë shumë më të poshtra dhe sidomos veprat që ka kryer do të tregohen në breza si model i antishqiptarizmit. Esati nuk pati kohë t’i realizonte planet e tij, sepse e vrau Avni Rustemi në Paris. Ndërsa ky Esati modern me emrin Sali Berisha erdhi në pushtet, në majat më të larta dhe për tridhjetë vjet me radhë nuk ka të ngopur në oreksin e tij të pashuar për t’i shkaktuar gjëma të njëpasnjëshme këtij vendi e këtij populli. Natyrisht edhe me mbështetje të shërbimeve të tjera agjenturore, ku dallon ai francez…
– Këto akuza i janë përmendur pjesë-pjesë zotit Berisha, por ai nuk ka reaguar asnjëherë dhe nuk është përpjekur t’i përgënjeshtrojë. Mos do të thotë kjo se ai është i pastër dhe i quan akuzat gjepura?
-Jo, unë mendoj se heshtja e tij tregon për të kundërtën, se ai nuk është në gjendje t’i kundërshtojë këto që fliten. Do të dalin një ditë dokumentet autentike të bashkëpunimit me agjenturat e huaja si një superagjent. Por, shikoni aktet antikombëtare të këtij njeriu. Lexoni librin “Çështja shqiptare – riformësimi i Ballkanit” të autorëve anglezë James Pettifer dhe Miranda Vickers. Ata thonë se gjatë kohës së studimeve në Francë, (vitet 70), Sali Berisha ka dekonspiruar te shërbimi fshehtë francez rrjetin e agjentëve shqiptarë të zbulimit, emrat e të cilëve i janë përcjellë me siguri UDB-së. Por akti më i poshtër i këtij njeriu ndodhi kur Berisha mori pushtetin dhe sabotoi luftën e UÇK-së. Shikoni se çfarë shkruajnë autorët anglezë në faqet 156-157 të këtij libri:
“Hapat e parë në këtë drejtim u hodhën në vitin 1991 kur një grup prej 54 kosovarësh filluan përgatitjen ushtarake në akademinë e Tiranës. Sapo kryeqytetet perëndimore morën njoftim për këto zhvillime, qeveria e Partisë Demokratike u vu nën një presion të madh, sidomos nga qeveria angleze, për t’i mbyllur këto kampe përgatitjeje dhe për të arrestuar personelin më të rëndësishëm. Mund të pohohet se qeveria e Partisë Demokratike e tradhtoi kombin duke iu nënshtruar këtyre presioneve dhe duke vepruar kundër UÇK-së së sapolindur.
Qeveria e Partisë Demokratike nuk i respektoi të drejtat njerëzore të veprimtarëve kosovarë kur ajo ishte në pushtet. Themeluesi i UÇK-së, Adem Jashari, i cili do të martirizohej në mars të 1998-ës në Prekaz të Drenicës (në Kosovën qendrore), ndërsa krejt familja e tij do të shndërrohej në një legjendë që në ditët e para të luftës së Kosovës, ishte arrestuar dhe burgosur në Tiranë në vitin 1993. Zëdhënësi politik i UÇK-së Hashim Thaçi u burgos më 1996 dhe më vonë i shpëtoi për fije vdekjes kur shoku i tij i dhomës, gazetari Hysni Vulaj u vra nga një grup kriminelësh me pagesë. Zahir Pajaziti, komandanti karizmatik i grupit të Llapit, i cili u vra nga policia serbe më 1997, ishte arrestuar nga qeveria e Berishës më 1995.” Jasharët dhe Hashim Thaçi i dinë mirë këto veprime ndaj tyre.”
Pikërisht në këtë kohë qeveria e Berishës thyente embargon e OKB-së ndaj ish-Jugosllavisë dhe furnizonte me naftë makinerinë e luftës të Millosheviçit. Sali Berisha ngriti edhe shoqërinë “Shqiponja” pranë PD-së, të cilën e administronte Tritan Shehu. Më vonë ishte Sali Berisha që i bënte thirrje delegacionit kosovar në Rambuje që të mos e firmoste marrëveshjen që çoi në çlirimin e Kosovës.
Doni fakte të tjera për aktet antikombëtare të këtij njeriu? Jam ne dijeni të deklasifikimit të mjaft dokumenteve te UKB të cilat do të na njohin me fakte të tjera në të ardhmen. Duhet patur parasysh edhe fakti se dokumentacioni agjenturor i Sali Berishës që arkivohej në SHIK, me urdhër te Gazidedes etj., u asgjësua, po njerëzit që janë marrë me kundërzbulimin janë akoma gjallë dhe disponojnë dokumente autentike.