fbpx
Lajme

Shkrimtari i njohur francez: Rugova, takim me Millosheviçin për të arritur te Klintoni

Gazetari dhe shkrimtari i njohur francez, Erik Laurent, ka pasur fatin të jetë dëshmitar i atyre ditëve, të takojë vetë diktatorin Sllobodan Millosheviç, të flasë me njerëz të përfshirë në bisedat e ngushta e të shfletojë dosje sekrete të CIA-s e Pentagonit.

Rugova, takim me Millosheviçin për të arritur te Klintoni

Pas tratativave të gjata, delikate dhe shumë ecejakeve diplomatike nga ana e amerikanëve, Millosheviçi dhe Rugova, që deri atëherë ishin shmangur me kujdes, pranojnë për herë të parë të takohen. Takimi është mbajtur në Beograd dhe nuk solli asnjë rezultat të prekshëm, “përveçse rrëzoi pak më shumë besueshmërinë e Rugovës dhe shtoi numrin e luftëtarëve të UÇK–së”, sipas fjalëve të një negociatori. Një diplomat britanik kishte thënë pas kësaj mbledhjeje: “Kjo është arsyeja për të cilën UÇK–ja është bërë shumë popullore, jo për shkak të qartësisë së pikëpamjeve të saj, por për shkak të dhunës serbe. Statuskuoja shqiptare dhe qetësia e Perëndimit e kanë shtyrë në një rrugë të pakthyeshme”.

Rugova, njeri me gjuhë të matur dhe me ecje të brishtë, i pasionuar pas Roland Bartes, kishte arritur të merrte nga Hollbruk dhe Hill, në këmbim të takimit me Millosheviçin, premtimin për një takim me Presidentin Klinton në Shtëpinë e Bardhë. Takimi u fiksua për më 27 maj 1998. Fatkeqësisht vëmendja dhe axhenda e Presidentit amerikan gjatë kësaj periudhe qenë plotësisht të zëna nga evenimente të tjera ndërkombëtare dhe “Kosova nuk ishte prioritet. Për të qenë më saktë, nuk ishte aspak”, sipas një bashkëpunëtori të Shtëpisë së Bardhë.

Kur Ibrahim Rugova u prit në Shtëpinë e Bardhë më 27 maj nga Bill Klinton dhe Al Gor, dy udhëheqësit amerikanë, sipas një bashkëpunëtori të tyre, kishin mendime të ndryshme. Takimi qe i shkurtër. Udhëheqësi shqiptar pa droje deklaroi se “pa një ndërhyrje urgjente të SHBA për t’i dhënë fund shkallëzimit të dhunës, vendi i tij do të shkonte drejt luftës”. Bill Klinton, me pamje të hutuar, tund kokën duke dëgjuar, dhe thotë: “A e dini ju që ne nuk tolerojmë kurrë një situatë të ngjashme me atë të Bosnjës në Kosovë?”. Megjithatë, asnjë propozim konkret nuk u formulua. Rugova i ofroi Presidentit amerikan një pjesë madhështore në kuarc, ekstrakt i një mine shqiptare, identike me atë që ai i kishte ofruar rreth një vit më parë Papa Gjon Palit II. Fytyra e Klintonit u çel menjëherë: “Është e mrekullueshme. E dini që gjenden minerale absolutisht të ngjashme në Arkansas?”. Dhe para një Rugove të shtrënguar ai vazhdoi të gjithë pjesën e mbetur të bisedës, duke përshkruar “bukuritë” e pafundme që gjendeshin në nëntokën e shtetit të tij.

Në fillim të muajit qershor 1998 bisedimet u ndërprenë midis Beogradit dhe liderëve nacionalistë shqiptarë, situata ushtarake nuk pushonte së godituri Kosovën, ku përleshjet midis forcave serbe dhe UÇK–së janë të shumta. Rreth 15 mijë refugjatë kosovarë kishin kapërcyer kufirin e Shqipërisë. Në Uashington, Shtëpia e Bardhë ishte plotësisht e paralizuar nga çështja “Levinski” dhe hetimi i prokurorit të pavarur, Kanet Star. Një dosje e vetme e huaj, sipas një bashkëpunëtori, ndodhej atëherë në zyrën e Presidentit, ajo e Irakut. Sulmet ajrore kundër Bagdadit po studioheshin. Në qershor, ministri amerikan i mbrojtjes, Uilliam Kohen, takoi kolegët e tij të NATO–s. Ai u kërkoi atyre të autorizonin Komitetin Ushtarak të NATO–s të planifikonte një ndërhyrje ushtarake në Kosovë. Presidenti Klinton bëri të ditur që “do të autorizonte dhe mbështeste përgatitjet ushtarake të NATO–s”. /panorama/Telegrafi/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close