fbpx
Lajme

“Enver Malokun e vrau Shërbimi Sekret Serb sepse e afirmoi luftën e UÇK-së”

PËRKUJTIM ENVER MALOKUN SOT DUAN TA VRASIN PËR SË DYTI !!

„Enver Maloku afirmonte sistematikisht luftën çlirimtare të forcave të UÇK-së“ Xhemail Mustafa

Enver Maloku (1954-1999) ka qenë një nga themeluesit e QIK-ut dhe prej vitit 1993 e deri në vdekje e drejtoi me shumë sukses këtë Qendër, e cila u bë hal në sy e okupatorit serb. Gjatë kohës kur në krye të QIK-ut ishte Enver Maloku, përveç në shqip, kjo Qendër emitonte lajme edhe në anglisht, frengjisht dhe gjermanisht dhe ishte burimi më i shpejtë, më i saktë dhe më i besueshëm i informimit në vend dhe në botë për ngjarjet e stuhishme në Kosovë.

Tërë veprimtaria gezetare e publicisitike e Enver Malokut e viteve ’90 i kushtohet lirisë e pavarësisë së Kosovës Enver Maloku, pasi i shpëtoi një atentati në korrik të vitit 1998, u vra në një atentat të organizuar më 11 janar të vitit 1999. Enver Maloku ishte bërë halë në sytë e okupatorit serb, në prag të fillimit të bisedimeve në nivele ndërkombëtare për çëshjen e Kosovës dhe vrasja e tij ishte tentim për të vrarë të vërtetën për Kosovën dhe luftën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Me Enver Malokun, unë personalisht përveç si vendas dhe lidhjet nga rrethi miqësor i imi, në vitet 90 kam pasur edhe kontakte profesioni dhe organizimi. Unë isha anëtar i Komisionit për Informim në kuadër të Kryesisë së degës së LDK-së për Zvicër. Ishin vite të sukseseve dhe dëshprimeve tona njëkohësisht.

Sot në përkujtimin e 5 vjetorit të rënies së tij, më së shumti më dhemb se rënien prej dëshmori të tij, qarqe të caktuara duan ta politizojnë dhe ta materializojnë për kapital partiak, për qëllime të ngushta, duke tentuar ta vrasin moralisht. Më dhemb se i bëhet një vrasje e dytë, një atentat i dytë, një njeriu të madh të Kosovës. Enver Maloku nuk u vra pse ishte me këtë apo atë lider politik, por Enver Maloku u vra se ishte personalitet me peshë në luftën informative me okupatorin serb.

Nuk janë të vërteta pohimet e disave që mundohen të nxjerrin kapital nga vrasja gjoja e „dyshimtë“ dhe „në tradhti“ e Enver Malokut. Vrasësi dhe adresa e vrasësve të Enver Malokut është e kthjelltë si dita me diell, e ai është okupatori serb. Për gjykata është me rëndësi dorasi dhe ai do të gjendet, por adresa e vrasësit është e qartë, është po ajo adresë që ka vra Afrim Zhitin dhe Fahri Fazliun, ajo adresë që ka vra Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën, është ajo adresë që ka vra Fehmi Aganin dhe Xhemail Mustafën dhe shumë dëshmorë të tjerë. Si sot kujtoj angazhimet e tij në Faqe interneti dhe në gazetat dhe revistat shqipe të kohës në depërtimin e lajmit të shpejtë dhe të saktë për gjendjen në Kosovë. Enver Maloku kishte pengesa dhe kërcnime. Disa herë Faqja e Internetit e Qendrës për Informim e Kosovës ishte sulmuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë dhe kërcënuar për likuidim dhe hudhje në erë të gjithë ndërtesës së QIK-ut, veprim të cilin e bënë realitet pak javë pas vrasjes së Enver Malokut. Vetëm disa ditë para vrasjes në një bisedë për Gazetën “Bujku” në Prishtinë i pyetur për shpërblimet që mund t’i jipeshin për punën e bërë, Enver Maloku shprehet kështu: “Ndoshta ju befasoj me përgjigjen. Shpërblim mund të jetë likuidimi politik, moral dhe fizik. Jemi në luftë dhe secili jemi kandidat potencial për t’u vrarë e likuiduar”.

Ditën e varrosjes së Enver Malokut, ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës ajo që i organizoi varrimin dinitoz

Enver Maloku kishte pengesa edhe nga brenda “institucioneve” që pikërisht sot mundohen ta qesin si të vrarë në rrethana të dyshimta dhe për qëllime që vetëm ata i imagjinojnë. Gjatë atyre periudhave kemi mbledhë ndihma materiale dhe kemi ndihmuar funksionimin normal të QIK-ut, sepse pikërisht “Institucionet e Republikës së Kosovës” ia kishin ndërprerë financimin dhe ndihmën. Si rezultat i atyre ndihmave gati gjysmë private, Enver Maloku kishte nxjerrë në dritë disa libra në gjuhën angleze për Kosovën dhe historinë e çështjes së Kosovës. Pikërisht gjatë vjeshtës së vitit 1998 bëhej puna për mundësinë e daljes edhe në mal të agjensisë dhe gazetës. Në këto rrethana Enver Maloku gati ishte i izoluar nga të ashtuquajturat “Institucione të Republikës së Kosovës”.

Enver Maloku nuk ka pas lidhje me kompromitimet e mëvonshme të “Institucioneve të Republikës së Kosovës” , nuk ka pas lidhje me shkuarjen dhe takimet e liderit “tonë” të atëhershëm Ibrahim Rugova me Millosheviqin dhe spekulimet tjera. Ditën e varrosjes së Enver Malokut, ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës ajo që i organizoi varrimin dinitoz. Në fjalën e tij të përmortshme, z. Xhemail Mustafa atëherë pat thënë: ”Ata që i kanë përcjellë shkrimet e Enver Malokut, veçmas serinë e komenteve të përditshme në gazetën e mbrëmjes “Informatori”, e kanë të qartë se ai idetë dhe gjithë potencialin e vet intelektual e profesional po i vinte në shërbim të përpjekjeve të popullit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai e afirmonte sistematikisht luftën çlirimtare të forcave të UÇK-së dhe, nëpërmjet një gazetarie kritike, angazhohej sistematikisht për krijimin e intitucioneve të lirisë e të pavarësisë së Kosovës.

Këto dhe shumë tekste të tjera gazetareske të Enver Malokut paraqesin, pa dyshim, fondin më të mirë të gazetarisë kritike në Kosovë në këtë gjendje okupimi dhe përpjekjesh për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës. Në një bisedë që pata vetëm një ditë para se t’i vihej prita vdekjeprurëse, Enver Maloku po manifestonte një gatishmëri, një energji e një fond të pashoq idesh për punë e për angazhime në funksion të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës për liri e për pavarësi “. Përfaqësuesi politik i UÇK-së, Bardhyl Mahmuti, në konferencën për shtyp në Gjenevë pas vrasjes së Enver Malokut deklaroi se “pas këtij atentati të paskrupullt qëndrojnë shërbimet sekrete serbe, ndërsa i ndjeri ka qenë edhe më parë i kërcënuar”. I pyetur nga një gazetar rus a ka dëshmi për këtë, z. Mahmuti u përgjigj se “sot shërbimet sekrete serbe të dirigjuara nga Beogradi kanë në shënjestër në Kosovë, pos luftëtarëve të UÇK-së, edhe gazetarët, intelektualët dhe pasi t’i vrasin përmes njerëzve të tyre, përhapin spekulime vetëm e vetëm për të krijuar huti, në një luftë speciale për t’i përçarë shqiptarët, të cilat qëllime sot janë të kota, sepse sot shqiptarët janë të vendosur për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb…”.

Koincidenca: Dy ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në rreshtin që i bëjnë nderime dhe homazhe Enver Malokut, disa muaj më vonë bien dëshmor në beteja me ushtrinë serbe dhe varrosen në po ato varreza në Bardhosh (ish-Bradash) të Besianës (ish-Podujevës). A thua e meriton Enver Maloku sot të mos quhet dëshmor!!?? Nga kush po bëhet linçimi moral i Enver Malokut, për të larë kompromitimet e veta gjatë luftës!!?? I përjetshëm qoft kujtimi për dëshmorin, mikun dhe bashkëpuntorin Enver Maloku!

Shefqet Cakiqi-Llapashtica

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close