fbpx
Lajme

Thaçi takoi Bidenin në Mynih, Kurti e Osmani as shtrengim duarsh me Sekretarin Blinken

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryediplomatja Donika Gërvalla për tri ditë qëndruan në Mynih të Gjermanisë në Konferencën për Siguri.

Osmani, Kurti e Gërvalla nuk ishin pjesë e agjendës zyrtare të kësaj konference, shkruan Demokracia.com.

Ata nuk arritën të sigurojnë asnjë shtrëngim duarsh apo fotografi me zëvendëspresidenten amerikane Kamala Harris apo sekretarin Antony Blinken, shkruan Demokracia.com.

Madje, presidentja Osmani mori pjesë edhe në një takim nën nivelin e përfaqësimit të saj. Ajo e shoqëroi kryediplomaten Gërvalla në takim me homologet e saj gra nga vende të ndryshme.

Ndonëse fotografitë duken kryesisht si takime në mes pauzash, presidentja Osmani vlerësoi se ishin tri ditë intensive në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

“Së bashku me Kryeministrin Kurti dhe Zëvendëskryeministren Gërvalla, diskutuam në një numër panelesh e tryezash dhe takuam përfaqësues të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare. Në të gjitha këto organizime si dhe takime e diskutime bilaterale, përçuam mesazhin se Kosova është shembull i shkëlqyeshëm i kontributit për paqe e stabilitet në rajon, duke kryer njëkohësisht një sërë reformash brenda vendit të cilat po përkrahen fuqishëm nga qytetarët por edhe nga partnerët ndërkombëtarë.”, ka shkruar ajo.

Por, në të kaluarën, kur Kosova përfaqësohej nga ish-presidenti Hashim Thaçi, ai arrinte të takohej në këtë forum me liderët më të rëndësishëm të botës, që ishin prezentë aty.

Në konferencën e vitit 2019, ish-presidenti Hashim Thaçi ishte takuar me presidentin aktual të SHBA-së, Joe Biden.

Thaçi atë kohë ishte takuar edhe me Nancy Pelosin, kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve dhe kryetarin e Komitetit për Politikë të Jashtme të SHBA-së.

Në takimin e vitit 2020, ish-presidenti Thaçi ishte takuar me senatorë të rëndësishëm amerikanë, por edhe me të dërguarin e posaçëm të ish-presidentit Donald Trump, ish-ambasadorin Richard Grenell, si dhe këshilltarin e presidentit Trump për sigurinë.

Në vitet e shkuara, Kosovës i jepej e drejta e fjalës për çështjet që trajtoheshin në konferencë.

Në konferencën e vitit 2018, ish-presidenti Hashim Thaçi kishte mbajtur fjalim në panele me pjesëmarrës të rëndësishme.

Gjatë konferencës, presidentja Osmani u takua me senatoren amerikane Amy Klobuchar, me të cilën u diskutua bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së. Presidentja Osmani rikonfirmoi qëndrimin se SHBA vazhdojnë të mbesin aleati kryesor dhe partneri strategjik i Republikës së Kosovës. Presidentja, po ashtu, ka theksuar se përkrahja amerikane është jetike në përmbushjen e objektivave të politikës së jashtme, sidomos në procesin e anëtarësimit në NATO dhe OKB. Osmani në takime të ndara ka takuar sekretarin gjeneral të INTERPOL-it, Jurgen Stock dhe drejtoreshën e EUROPOL-it, Katherine de Bolle. Gjatë qëndrimit në Mynih ka takuar edhe David Harris, drejtor ekzekutiv i Komunitetit hebrejo-amerikan, me të cilin ka diskutuar për raportet me SHBA-në dhe Izraelin, si dhe për gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të thelluar edhe më tej raportet me të dyja shtetet.

Në vazhdën e takimeve, presidentja Osmani ka takuar kryesuesin e Konferencës për Siguri, Wolfgang Ischinger.

Kurse, kryeministri Kurti në këtë konferencë është takuar me ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, përfaqësuesin e BE-së, Josep Borrell, lideren opozitare të Bjellorusisë, Sviatlana Tsikhanouskaya, kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov,  bashkëdrejtuesin e Partisë së Gjelbër gjermane, deputetin Omid Nouripour, me presidentin e Kryqit të Kuq ku ka folur për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës dhe me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák./Demokracia.com/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close