fbpx
Lajme

U arrestua me pompozitet: Shpallet i pafajshëm kryeinspektori Bedri Halimi

Pas rigjykimit, kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Bedri Halimi, si dhe katër inspektorë të Komunës së Prizrenit, Enver Bytyqi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi dhe Ruzhdi Daka, janë liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Aktgjykimi është shpallur të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala, sipas të cilit pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Shala tha se arsyetimin e vendimit palët do ta pranojnë në afat të arsyeshëm kohor.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 17 maj 2021 i kishte shpallur të pafajshëm katër të lartpërmendurit, lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Pas ankesës të ushtruar nga prokuroria, Gjykata e Apelit më 25 janar 2022 e kishte kthyer rastin në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale procedurale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ngritur më 18 nëntor 2019, Bedri Halimi duke punuar si Kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), kompetent për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional “Sharri” në Prevallë, me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me Vendimin e Ministrit të MMPH-së Nr.34/13 të datës 15.11.2013, me të cilin urdhërohet rrënimi i objekteve pa leje brenda Planit Rregullues Urban në Parkun Nacional, në atë mënyrë që edhe pse e ka hartuar planin për zbatimin e urdhëresës në 4 faza, atë nuk e ka përmbushur.

Sipas aktakuzës, në fazën e parë ishin rrënuar 180 objekte, në fazën e dytë nga 28 vendime për rrënim, janë zbatuar vetëm 20, duke mbetur edhe 8 vendime të pazbatuara.

Sipas prokurorisë, në fazën e tretë nga 45 vendime për rrënim, 16 ishin revokuar, ndërsa 29 vendime kanë mbetur të pazbatuara, kurse faza e katërt fare nuk ishte implementuar, ashtu që nga data 14.12.2013 e deri tash nuk ka zbatuar as një prej vendimeve edhe pse të njëjtat janë ende në fuqi.

Halimi ishte arrestuar edhe në janar të këtij viti, në rastin e njohur si Brezovica, për shkak të dyshimeve për për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti. Për rastin në fjalë ende nuk është marrë asnjë vendim.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close