Vëshguesi i OSBE: Serbët i përdorën automjetet tona si mburojë, i vranë dy ushtarë të Ramushit
Ish-oficeri kanadez , që shërbeu në Kosovë si vëzhgues i OSBE-së gjatë luftës së vitit 1998-‘99, Paul Mulhall, është i sigurt se UÇK-ja nuk ka bërë krime lufte dhe se ajo ka bërë luftë të pastër çlirimtare. “Unë kam qenë në zonat e luftës dhe i di rregullat që kanë ndjekur ata”, ka thënë Mulhall.
Sipas tij, të gjitha këto akuza janë produkt i ndërkombëtarëve, ndërsa ka theksuar se krijimi i Gjykatës Speciale po ndodh për shkak të dështimit të EULEX-it. Mulhall ka pranuar se UÇK-ja nëpërmes tyre kishte lajmëruar NATO-në për vendndodhjen e caqeve serbe.
Oficeri kanadez, Paull Mulhall, do të vinte në Kosovë si vëzhgues i OSBE-së, por në fakt ai thotë se misioni i tyre kishte karakter sekret.
Ai për “Rubikon” të KTV-së ka rrëfyer misionin e tij gjatë kohës së paqes së brishtë në Kosovën e para bombardimeve të NATO-së
Mulhalle ka thënë se ka pasur të vështirë të kuptojë sjelljet armiqësore të policisë dhe ushtarakëve serbë karshi tyre, ndërsa ka potencuar se për dallim nga situata në Bosnjë, ata, serbët kishin agjendë të fshehtë për të shfarosur UÇK-në.
“Ne e kemi pasur një situatë ku ekipi im ishte i përfshirë direkt. Ishte në lindje të Deçanit, në një territor që ishte nën kontrollin e UÇK-së. Ata (serbët) i patën përdorur automjetet tona si mburoja në një luftim me armë zjarri, dhe ne nuk e dinim këtë, pasi ishim shumë larg. Ky ishte gabimi ynë. Fatkeqësisht dy ushtarë të Ramushit u patën vrarë dhe ai na e bëri të qartë që këtë nuk duhet ta bëjmë sërish, sepse ne kishim njerëz që bisedonin edhe me të po ashtu. Ai ishte gabim ynë, i ndërkombëtarëve dhe nuk kishte të bënte asgjë me UÇK-në, por sa për respekt, ata nuk po qëllonin në drejtim të agjencive ndërkombëtare që ishte OSBE-ja, por serbët po i përdornin automjetet tona për mbrojtje dhe dy nga njerëzit tuaj u vranë. Kështu që ne mësuam të tërhiqeshim nga situata të tilla dhe nuk kemi pasur më incidente të tilla”, ka thënë Mulhalle në “Rubikon”.
Për herë të parë ai ka pranuar publikisht se UÇK-ja po informonte me detaje NATO-n nëpërmjet tyre për vendndodhjen e caqeve serbe.“Ne dëshironim të ndihmonim dhe tani që nuk ishim më në Kosovë, kishte disa kontakte sekrete me Ramushin dhe njerëzit e tij, të cilët kishin nevojë për mbështetje dhe ky informacion pastaj i dërgohej shpejtë NATO-s dhe caqet pastaj goditeshin nga NATO-ja. Ne kemi dhënë mbështetjen tonë aq sa mundeshim. Po, dhe unë po bisedoja me vëllanë e Ramushit, Dautin, një ditë për këtë dhe, unë nuk mendoj që njerëzit këtu dinin shumë për kontaktet tona, sepse ne e mbanim këtë të fshehtë, sepse ne e dinim kush kishte nevojë për mbështetje dhe është e qartë që një person me pushkë e ka të vështirë të luftojë kundër një tanku. Kështu që ne i ndihmuam”, thotë në vazhdim Mulhall.