fbpx
Lajme

VIDEO: I ndau nga 100€ për fëmijë e pensionistë, por Albin Kurti ishte vetë kundër kësaj ideje

Qeveria e Kosovës sot ka votuar për subvencionimin e fëmijëve me nga 100 euro për këtë vit dhe po ashtu ndarjen e një shtese njëherëshe prej 100 eurosh për pensionistët.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se të gjithë fëmijët që janë përfitues të skemave, aktualisht do të përfitojnë nga 100 euro “gjatë ditëve në vijim”, shkruan Demokracia.com.

“Prindërit nuk kanë nevojë për aplikim, pasi mjetet do të kalojnë në xhirollogarinë e tyre”, ka thënë Murati.

Ministri ka thënë se pensionistët, shtesën prej 100 euro do ta marrin gjatë javës në vijim, pasi pensioni i rregullt del të premten dhe siç thotë ai, e kanë pasur të pamundur që shtesën ta bashkëngjesin me pensionin e rregullt.

Por, kur një ide e tillë ishte prezantuar në vitin 2020 nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ishte kundërshtuar nga kryeministri Albin Kurti.

Kurti thoshte se nuk beson që një masë e tillë do të ndihmonte, shkruan Demokracia.com.

“Nuk jemi të gjithë njësoj që të ndihmohemi të gjithë njësoj. Dikush ka nevojë për ndihmë më shumë dhe dikush më pak, prandaj shteti ynë duhet të tregojë ndjeshmëri për këtë. Nuk besoj që një masë e tillë do të ndihmonte në këtë kohë”, kishte thënë Kurti për idenë e ndarjes së 100 eurove.

Në vitin 2020, deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gazmend Abrashi, kishte kërkuar të ndaheshin nga 100 euro për secilin qytetar të Kosovës për muajin prill të vitit 2020.

“Të gjendet mundësia që të implementohet propozimimi i AAK-së i muajit prill që të ndahen nga 100 euro për secilin qytetar rezident të Kosovës ndihmë direkte nga buxheti i vendit. Shpërndarja të bëhet përmes komunave, duke u bazuar në evidencat e ekstrakteve familjare dhe atë që në fillim të vitit 2021”, tha ai.

“Konsiderojmë se kjo do të jetë një ndihmë direkte gjithëpërfshirëse për secilën familje në Kosovë bazuar në numrin e anëtareve të familjes”, kishte shtuar ish-deputeti i AAK-së.

Për vendimin e Qeverisë Kurti për ndarjen e nga 100 eurove për fëmijët e pensionistët, Agron Demi ka bërë një analizë përmes së cilës konkludon se nga skemat sociale të qeverisë nuk janë më të varfërit ata që po përfitojnë.

Sipas tij do të ishte “më mirë që kjo qeveri të identifikonte ata 319 mijë persona që jetojnë në varfëri dhe të ju ndante mjete buxhetore sa për ti nxjerrur nga varfëria”.

Qeverinë Kurti ai e quan “dembele” që nuk ka ndërmarrë asnjë hap në identifikimin e familjeve më në nevojë.

Ai tha se janë  se “më mesin e 385 mijë fëmijëve së paku 32,300 prindërit e të cilëve marrin të hyra mujore së paku 1.000 euro në muaj”, megjithatë të njëjtit i marrin nga 100 euro sikurse ata me më pak të hyra.

Postimi i tij i plotë:

Sipas të dhënave të fundit të Anketës së Fuqisë Punëtore, janë:

– 385,333 fëmijë nën moshën 15 vjeçare dhe

– 193,212 të moshuar mbi moshën 65 vjeç.

________________________

578,545 persona.

Këta do të marr nga 100 euro në dhjetor, apo në total 58 milionë euro.

Në mesin e këtyre 193 mijë pensionistëve, janë së paku 7,000 pensionistë që marrin pension edhe nga Gjermania dhe Zvicrra. Për këtë kategori tash Qeveria i ndanë 700 mijë euro.

Në mesin e 385 mijë fëmijëve, janë së paku 32,300 prindërit e të cilëve marrin të hyra mujore së paku 1.000 euro në muaj, sipas të dhënave të ATK. Për këtë kategori tash Qeveria u ndanë rreth 3.3 milionë euro.

Në anën tjetër sipas Raportit të KE për Kosovën, 18% e popullsisë në Kosovë jeton në varfëri apo me 45 euro në muaj (kjo shënon rritje nga matja e fundit e varfërisë më 2017).

Vitin e kaluar transferet sociale kanë mbërri në 12% të GDP, por vetëm 0.5% e kësaj shume ka shku për familjet e varfëra. Çka do të thotë se nga skemat sociale të qeverisë nuk janë më të varfërit ata që po përfitojnë.

A do të ishte më mirë që kjo qeveri të identifikonte ata 319 mijë persona që jetojnë në varfëri dhe të ju ndante mjete buxhetore sa për ti nxjerrur nga varfëria?

Por për një politikë të tillë duhet një qeveri që punon, e jo një qeveri dembele që për tri vjet nuk e ka ba asnjë hap me i identifiku familjet më në nevojë.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close