fbpx
Lajme

Vjedhja në QKUK, Prokuroria së shpejti me veprime konkrete

Kanë kaluar më shumë se një javë që kur persona të panjohur kishin vjedhur 21 shishe me produkte sevofluran (anestetikë) që përdoren në Klinikën e Anesteziologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Lidhur me këtë, U.D drejtori i Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu i ka suspenduar nga detyra deri në përfundim të hetimeve dy persona përgjegjës në mini-barnatorën lokale në Klinikën përkatëse.
Ai në një përgjigje për ‘Indeksonline’ ka treguar se menjëherë janë ndërmarrë të gjitha masat administrative, sipas legjislacionit në fuqi.
“Do të jemi të vendosur për respektim të ligjshmërisë dhe nuk do të lejohet askush të keqpërdorë detyrën zyrtare”, është shprehur ai.
Ai ka treguar për Indeksonline se ditën e shtunë, është njoftuar me telefon nga drejtori i Klinikës së Anestezionit, dr. Nehat Baftiu, dhe shefi i Anestezionit dr. Rexhep Gjyliqi, lidhur me “zhdukjen” e paqartë të disa paketimeve (shisheve) sevofluran, që përdoren në Klinikën e Anesteziologjisë.
“Menjëherë kam kërkuar raport me shkrim lidhur me rastin, poashtu kam kërkuar të ftohet policia dhe instancat tjera kompetente. Kam marr masa suspendim- pezullim ndaj përgjegjësve (2) që kanë pasur çelësat e kësaj mini- barnatore lokale që shërben për Klinikën e Anestezioni dhe kam kërkuar të hetohet rasti në tërësi nga organet kompetente”, ka thënë Sejdiu për Indeksonline.
Sipas tij, në bazë të informatave dhe raportimeve nga Klinika e Anestezionit, mungojnë 21pako ( shishe) sevofluran.
Indeksonline ka mësuar se një shishe e tillë me anestetikë në Klinikën e Anesteziologjisë kushton 149 euro. E nga gjithsej 21 pako të anestetikëve që janë vjedhur, shuma e përgjithshme kalon mbi 3 mijë euro.
Sejdiu thotë se janë në pritje të hetimeve nga policia dhe organet tjera kompetente, e poashtu, janë kërkuar deklarata shtesë nga gjithë punëtorët që kanë qasje në ato hapësira të sallave.
Po ashtu sipas tij, janë ndërmarrë të gjitha masat për punë normale në bllokun operativ kirurgjik dhe puna është zhvilluar normalisht.
Indeksonline ka kontaktuar edhe me organet e hetuesisë për të marr informacione rreth hetimeve që po zhvillohen mbi këtë rast.
Në një prononcim për ‘Indeksonline’, zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ibrahim Berisha ka treguar se janë duke i kryer të gjitha veprimet hetimore.
Sipas tij, shumë shpejt pritet të këtë veprime konkrete përkitazi me rastin.

“Jemi duke hetuar rastin. Janë marrë veprimet hetimore dhe është në procedurë e sipër ai rast. Nuk e di saktësisht sa persona janë intervistuar, por në pyetje janë marrë disa persona”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, shumë shpejt pritet aty të merren disa veprime konkrete./Indeksonline/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close