fbpx
Lajme

Vlaskovic: Burrin tim e kanë vrarë dy serbë me uniforma të maskuara të ish Ushtrisë jugosllave

“Burrin tim Milos Vlaskovic e kanë vrarë serbët, e jo shqiptarët. Unë në vitin 2001 i kam dhënë deklaratë dy inspektorëve të Sigurimit të Shtetit të MUP-it serb. Në bisedë ishte edhe djali im Vladimiri. Një nga inspektorët quhet NS. Edhe pse nga intervista me inspektorët ka kaluar shumë kohë, ata na kurrë nuk janë lajmëruar për vrasjen e burrit tim.

Shtëpitë e djegura të shqiptarëve.

Unë dhe djali im Vladimiri, dhe shumë të tjerë, përfshirë policinë dhe ushtrinë e tashme serbe, e dimë se Milos Vlaskovicin e kanë vrarë dy serbë me uniforma të maskuara të ish Ushtrisë jugosllave. Ju lutemi të na ndihmoni për të gjetur vrasësit e Milosit tim dhe vetëm ndëshkim meritor…”, thotë gruaja e Vlaskovicit.

“Babai ishte një njeri tolerant, dhe i drejtë për të gjithë. Kurrë me askënd nuk kishte mosmarrëveshje. E çmonin dhe vlerësonin serbët e shqiptarët. Pas pensionimit, pasi kishte më shumë kohë të lirë, shoqërohej edhe më shumë me shqiptarë dhe myslimanë nga Mazgiti dhe fshatrat përreth, ku kishte shumë miq. Ai, si unë dhe nëna ime, nuk mendonim të braktisim Kosovën. Babai, ne të tre, as nuk kishim në pronësi, e as donim të blinim parcela, tokë, shtëpi apo banesë në Serbi. Ne e kishim mirë në Kosovë. Kemi jetuar ndershëm dhe korrekt me të gjithë… Babai im nuk e miratonte, përkundrazi e dënonte persekutimin e shqiptarëve të Kosovës. Me përvojën që ai kishte, më kujtohet, neve dhe të tjerëve shpesh na thoshte se shqiptarët e dëbuar do të kthehen, sepse ata janë të lidhur për tokën dhe pronën… Shtëpia jonë ndodhej pranë xhamisë së fshatit, në vendin që quhej Mazgiti i Poshtëm ose Mazgiti boshnjak, sepse aty më herët kanë jetuar myslimanët.

Forcat serbe dhe pengjet shqiptare.

Në Mazgitin e Poshtëm ishte vetëm një familje serbe me gjashtë anëtarë, me mbiemrin P. Në Mazgitin e Epërm jetonin vetëm shqiptarët. Në pranverën e vitit 1999, nuk e mbaj mend mirë datën (ditën), forcat serbe dëbuan shqiptarët nga Mazgiti dhe fshatrat tjera përreth Obiliqit… Serbët lokalë nga fshatrat përreth sulmonin në mënyrë masive shtëpitë e braktisura shqiptare dhe ndërtesat ndihmëse (plevica dhe garazhe). Ata vidhnin mobile, makina, makineri të tjera për bujqësinë dhe çdo gjë që atyre u pëlqente. Unë personalisht e di se pushteti serb nga Komuna e Obiliqit, në krye me Zoran Milosevicin, si kryetar, kanë vendosur që serbëve nga fshatrat përreth asaj pjese të Kosovës, t’ju jepen dokumente të noterizuara, diçka si një certifikatë për menaxhimin dhe përdorimin e makinave të vjedhurave – kamionë dhe traktorë…

Më 16 qershor 1999, rreth orës 16:00, në oborrin e shtëpisë së familjes sonë erdhi fqinji N(R)Sh, shqiptar nga Mazgiti i Poshtëm, rreth 50 vjeç, shtëpia e të cilit ishte 200 metra larg nesh. I tha babait tim, si fqinj, se disa serbë kanë hyrë në shtëpinë time dhe se duan ta vrasin. Ai e lutu ta shpëtonte atë dhe vëllain e tij. Babai u përgjigj me po dhe menjëherë shkoi me N-në drejtë shtëpisë së N-së. Pas 10 minutave nëna ka dëgjuar të shtëna rafali në shtëpinë N. Ajo vrapoi poshtë rrugicës drejt shtëpisë N. Derisa vraponte, nga shtëpitë dhe oborret iu bashkuan edhe fqinjët myslimanë. Kur nëna dhe fqinjët myslimanë ishin 50 metra larg shtëpisë, kanë para se si nga ajo shtëpi, përmes derës, kanë vrapuar dy ushtarë serbë me uniforma të maskuara, duke shtënë nën nënën time dhe fqinjët. Ata ikën mbrapa shtëpisë N. Kur nëna hyri brenda, në një nga dhomat ka gjetur trupin e pajetë të babait tim Milos, në pozicion gjysmë të ulur në një divan apo shtrojë. Ishte i goditur me disa plumba në pjesën e zemrës”, është dëshmia e djalit.

“Dikush ka informuar KFOR-in dhe pas rreth një ore ose ndoshta dy orësh, kur u bë errët, ata erdhën. Kanë kryer hetimet dhe trupin e dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Ditën e nesërme, më 17 qershor 1999, trupin e mori dhëndri Miloslav Lakiceviç dhe e çon në Mazgit…

Fëmijë shqiptar (foto e vitit 1999)

Dhëndri ka shkuar te Zoran Milosevici i cili ka thënë se ai e di pse e kanë vrarë Milos Vlaskovicin, se nuk i vije keq, sepse i ka mbrojtur shqiptarët për çka e ka merituar vrasjen nga serbët.

N(R)Sh dhe vëllai i tij i kanë thënë nënës dhe fqinjëve tjerë se ushtarët serbë kanë hyrë në shtëpinë familjare dhe kanë dashur t’i vrasin. Kur N(R)Sh i luti ushtarët serbë që të mos i vrasin se nuk i kanë bërë gjë të keqe serbëve dhe se këtë mund ta vërtetojë fqinji Milos Vlaskovic, ata kanë mbajtur vëllain e N-së në shtëpi, ndërsa N-në, nën kërcënimin e armëve, e kanë detyruar ta thërrasin Milosin. Kur është kthyer me babanë, sipas dëshmisë së N-së dhe vëllait të tij, ushtarët serbë i thanë Milosit se pikërisht atë e kanë kërkuar. E kanë drejtuar armën te babai, e kanë urdhëruar të futet në një dhomë në shtëpinë e N-së. N. dhe vëllai kanë dëgjuar ushtarët tek debatojnë me babanë, tek e kërcënojnë dhe i bërtasin, e pas një kohe janë dëgjuar të shtënat rafal. Dy ushtarët kanë dalë nga dhoma, pastaj nga shtëpia, duke gjuajtur nënën dhe fqinjët myslimanë…

Mua dhe nënën time na irriton fakti se askush nga MUP-i i Serbisë nuk ka ndërmarrë asgjë për ta ndriçuar vrasjen e babait tim… As unë e as ajo nuk do të heshtim, sepse vrasësit ecin lirshëm e ndoshta qeshen me vuajtjet dhe dhembjen tonë”. /Telegrafi/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close