VV mori 48 mijë vota në Ferizaj, Qeveria Kurti ia shkurton së tepërmi investimet kapitale qytetit
Gjatë seancës së djeshme për rishikimin e buxhetit, deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, foli veç tjerash për shkurtimin e investimeve kapitale nga Qeveria Kurti për 73 milionë euro. Sipas tij, me këtë shkurtim për investimet kapitale, Qeveria Kurti diskriminoi edhe qytetarët e Ferizajt,
“Shkurtimi i investimeve kapitale për afër 73 milionë euro, manifestohet, përveç tjerash, edhe në diskriminimin që i bëhet komunës së Ferizajt. Ferizaj për nga numri i banorëve është i treti në nivel të vendit, por për nga kontributi në mbushjen e buxhetit të Kosovës është i dyti, menjëherë pas Prishtinës. Është ndër komunat më të shkelura nga qeveria Kurti. Shumë projekte të cilat ndikojnë drejtëpërdrejtë në jetën e qytetarëve të Ferizajt, respektivisht në cilësinë e shërbimeve për ata, jo vetëm që nuk janë përkrahur por janë shkurtuar ndjeshëm nga kjo qeveri.
Për ndërtimin e objektit të Spitalit në Ferizaj nuk janë ndarë mjete shtesë (dyqind e pesëdhjetë mijë euro për vitin 2021 kanë mbetur të njëjta me rishikim, ndërsa unë përmes amendamentit kam kërkuar që të shtohet shuma për një milion e treqind mijë euro). Ndërtimi i Spitalit Rajonal të Ferizajt, ishte dhe vazhdon të jetë nevojë e kahmotshme e mbi 108 mijë banorëve të Ferizajt dhe rreth 150 mijë qytetarëve të qyteteve përreth, duke përfshirë Kaçanikun, Shtimen, Hanin e Elezit, Shtërpcën dhe Vitinë, që do të ofrojë shërbime për çerek milioni qytetarë. E ju vazhdimin e ndërtimit të këtij projekti shumë të rëndësishëm për shëndetin e qytetarëve tanë, e keni bllokuar tërësisht”, shkruan Reçica, duke shkëputur tekstin nga fjala e tij në Kuvend, përcjell Periskopi.
“Edhe për asfaltimin e rrugëve në fshatin Jezerc, nuk janë ndarë mjete (treqind mijë euro për vitin 2021 nuk janë ndryshuar. Unë kam kërkuar që kjo shumë të shtohet për nëntëqind mijë euro). E njëjta vlenë edhe për zgjerimin e rrugës në fshatin Bibaj-kyqja në autostradën “Arben Xhaferi”, (treqind mijë euro për vitin 2021 nuk janë shtuar. Unë kam kërkuar që të shtohet shuma nëntëqind mijë euro). E njëjta vlenë edhe për Qendrën Multifunksionale në Ferizaj, ndërtimin e sallës sportive në Greme – Ferizaj, ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prelez të Muhaxherëve, asfaltimin e rrugës Sojevë –Mirosalë –Pojatë -Softaj të Ferizajit. Pra, nuk ka përkrahje financiare për këto projekte me rëndësi për ferizajasit.
Rishikimi i buxhetit nga qeveria Kurti ka bërë që të shkurtohen mjetet për projektet në komunën e Ferizajt. Pra, kjo qeveri që ka marrë më së shumti vota në Ferizaj, tani po i “shpërblen” ata me më pak mjete buxhetore.
Pesëdhjetë mijë eurot e parapara në Ligjin për ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 për ndërtimin e pishinës gjysmë olimpike në Ferizaj, në rishikimin këtij ligji janë reduktuar në vetëm njëzet e pesë mijë euro! Pra njëzet e pesë mijë euro më pak. Gjithashtu pesëdhjetë mijë eurot e parapara në Ligjin për ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 për ndërtesën e Teatrit në Ferizaj, në rishikimin këtij ligji janë reduktuar në vetëm një mijë euro! Pra katërdhjetë e nëntë mijë euro më pak. Njëqind mijë eurot e parapara në Ligjin për ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, për renovimin e stadiumit të qytetit në Ferizaj, në rishikimin këtij ligji janë hequr! Njëqind mijë eurot e parapara në Ligjin për ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 për asfaltimin e rrugës Talinoc i Muhaxhereve – Rahovicë, faza I, Ferizaj, në rishikimin këtij ligji janë reduktuar në vetëm dhjetë mijë euro!
Shihet qartë që qëllimi i shkurtimeve buxhetore për projektet për komunën e Ferizajt janë puro politike me tendencë të drejtëpërdrejtë që të ndikohet në rezultatin zgjedhur të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.
E dini shumë mirë ju dhe më mirë se ju e dinë qytetarët e Ferizajt që asnjë shkurtim buxhetor dhe asnjë presion nuk mund të ndikojë që Agim Aliu si kryetar model, bindshëm t’i fitojë zgjedhjet e 17 tetorit, dhe atë qysh në raundin e parë.
Votat e deputetëve të VV-së nga Ferizaj në Ferizaj:
Hekuran Murati – 16.547
Valon Ramadani – 7806
Dimal Basha – 6167
Enver Haliti – 4999
Burim Karameta (Guxo) – 4148
Alban Bajrami – 4124
Ekrem Mustafa (Guxo) – 3962
Haki Abazi – 1097
Gjithsej: 48,850 vota.”, shkruan tutje ai.