Zyrtare | Presidentja Osmani drejt dështimit të peticionit në veri, nuk do të shpallë votimin për shkarkimin e kryetarëve të veriut dhe hedhë përgjegjësinë te KQZ-ja
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka hyrë rrugës për të dështuar procesin e votimit për shkakrimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave të veriut, pasi KQZ-ja të bëjë verifikimin e nënshkrimeve të mbledhura nga qytetarët serbë në këto komuna.
Që presidentja Osmani po refuzon të përfshihet në shpalljen e datës së votimit, raportoi Demokracia.com mëngjesin e së mërkurës, por ky lajm është bërë zyrtar nga Zyra e Presidentes Osmani, shkruan Demokracia.com.
Kjo gjë është bërë e ditur gjatë ditës së mërkurë, më 31 janar 2024, kur presidentja Osmani ka pritur në takim kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqin.
14:12 | PRESIDENCA: KQZ-JA… DO T’I NDËRMARRË TË GJITHA VEPRIMET
Në njoftimin e publikuar nga zyra e Osmanit, askund nuk përmenden hapat që do t’i ndërmarrë e para e shtetit pasi KQZ-ja të përfundojë procesin e verifikimit të nënshkrimeve që janë mbledhur nga qytetarët e komunave veriore.
“Në takim u diskutua lidhur me përgatitjet që po bëhen lidhur me kërkesën për zgjedhje të reja në veri të vendit, nëpërmjet mbledhjes së 20% të nënshkrimeve të trupit votues, ashtu siç parashihet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Udhëzimin Administrativ të hartuar për këtë çështje. Presidentja shprehu besimin e saj se KQZ-ja, si institucion përgjegjës për administrimin e votimit, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura dhe brenda afateve që ky proces të realizohet duke respektuar këtë të drejtë të qytetarëve në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
Njoftimi zyrtar:
09:12 | DEMOKRACIA.COM: PRESIDENTJA OSMANI REFUZON TË PËRFSHIHET NË SHPALLJEN E DATËS SË VOTIMIT PËR SHKARKIMIN E KRYETARËVE TË VERIUT
Disa orë para njoftimit zyrtar të presidentes Osmani, Demokracia.com raportoi ekskluzivisht se në katër komunat e veriut të Kosovës mund të mos ketë proces të votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë nga funksioni i tyre, që e fituan në zgjedhjet e 23 prillit 2023.
Demokracia.com ka mësuar nga pjesëtarë të ekipit të presidentes Vjosa Osmani se ajo nuk dëshiron të përfshihet në procesin që do të pasojë, pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të bëjë verifikimin e nënshkrimeve të qytetarëve që nënshkruan peticionet për kryetarët shqiptarë në komunat veriore.
Arsyeja kryesore për këtë refuzim të Osmanit është mungesa e bazës ligjore, e cila atë mund ta çojë në shkelje kushtetuese.
Presidentja Osmani mësohet se e ka njoftuar edhe kryeministrin Albin Kurti se ajo nuk do të nxjerrë asnjë vendim me anë të të cilit caktohet data e votimit për shkarkimin e kryetarëve të veriut.
Por, për t’u aktizuar KQZ-ja, Presidenti i Republikës duhet të nxjerrë vendimin me anë të të cilit caktohet data e votimit për largimin e kryetarëve.