fbpx
Lajme

25 vjet nga zhdukja e Xhavit Hazirit, si raportuan mediumet në 1998 për rrëmbimin e tij nga forcat serbe

Dje janë bërë 25 vite prej kur është zhdukur njëri nga intelektualët, veprimtarët dhe ideologët më të shquar të kohës, Xhavit Haziri. Më 17 Shtator 1998, në Prishtinë, ai ishte kidnapuar nga policia sekrete serbe dhe nga ajo ditë nuk ka asnjë informacion për fatin e tij.

Demokracia.com ka siguruar raportimin e gazetës ”Bujku” dhe QIK të vitit 1998 për rrëmbimin e Xhavit Hazirit.

Inspektorët serbë rrëmbyen Xhavit Hazirin nga Prishtina“, ishte titulli në gazetën ”Bujku”, por edhe në gazetën e QIK-ut në vitin 1998.

Më 17 shtator në orën 11:30 në Prishtinë, inspektorët e sigurimit serb rrëmbyen Xhavit Hazirin, ish-i burgosur politik dhe punëtor në zyrën e KMDLNJ-së, me seli në Prishtinë. Sipas dëshmitarëve që deshën të mbesin anonimë, Xhavit Hazirin e kanë rrëmbyer inspektorët e sigurimit shtetëror serb, derisa ai po shkonte në vendin e punës së tij, përkatësisht në zyrat e KMDLNJ-së në Prishtinë“, thuhej në raportimin e Bujkut e QIK-ut, përcjell Demokracia.com.

ARRESTIMET KONSPIRATIVE NË QARK, metoda e sofistikuar e regjimit të Millosheviqit për arrestimin dhe zhdukjen e veprimtarëve politikë.

Shume vite më vonë në RTK, respektivisht në emisionin Udhëve, ishte publikuar një dokumentar, ku ishin publikuar për herë të parë dokumentet sekrete serbe që dëshmonin se kishte plan për arrestimin dhe zhdukjen e veprimtarëve të çështjes kombëtare. Aparati shtetor i Millosheviqit, këtë proces të kidnapimit e quante proces i “arrestimeve konspirative në qark”.

Emisioni “Udhëve” kishte siguruar një dokument ku shihej se si resori i Sigurimit të Shtetit (Resor Drzavne Bezbednosti) në Prishtinë gjatë viteve ‘90-të kishte hartuar disa plane për kapjen dhe likuidimin e aktivistëve politikë, sidomos ata të lëvizjes ilegale të cilët e shihnin rezistencën paqësore si të pamjaftueshme për çlirimin Kosovës.

Një nga këto dokumente sekrete të cilat i kishte në posedim redaksia “Udhëve” ishte edhe aksioni operativ i emëruar si “KRUG” që në shqip i bjen “RRETHI”, i datës 13 korrik 1998. Plani “KRUG” parashihte masat operative për zbulimin e vendndodhjes, pastaj kapjen dhe eventualisht edhe likuidimin e personave që cilësoheshin si “të rrezikshëm”. Kësaj liste i printe pikërisht Xhavit Haziri. Pas kësaj date filloi gjuetia ndaj veprimtarëve shqiptarë. Disa u burgosën, disa u vranë, disa u zhdukën dhe disa prej tyre kishin pasur fatin që mos të kapen nga strukturat e sigurisë së Serbisë.

Në dokumentin që mban firmën e kryeshefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Serbisë në Prishtinë, Milan Llakoviq, thuhej:

“Bazuar në të dhënat të verifikuara operative, një numër i caktuar personash janë përfshirë në disa aksione terroriste në rajonin e Podujevës dhe Prishtinës, si pjesëtar të organizatës UÇK. Qendra propozon masa konspirative për kapjen e tyre veç e veç, sipas arrestimit konspirativ të diferencuar në qark, në mënyrë që të mos rrezikohen burimet e informacionit dhe këto arrestime të mos kenë ndikim të mëvonshëm tek personat e tjerë të organizatës”, thuhet në këtë dokument të datës 13.07.1998.

Masat, siç thuhet në dokument, të “arrestimeve konspirative në qark” planifikoheshin kundër këtyre personave: Xhavit Hazirit (1960 – Dëvrar, Vushtrri), Sabit Lahi (1964 – Rimanishtë, Prishtinë), Hyzri Talla (1963 – Letanc, Podujevë), Shaip Haziri (1965 – Prishtinë), Ekrem Gashi nga Matiqani, Sajmir Konushevci, Nuredin Ibishi (1956 – Kolaticë, Podujevë), Sabri Klinaku (1978 – Mazgit, Obiliq), Agron Xhemajli nga Orloviqi, Blerim Dërvishi, Burim Maqedonci, Salih Salihu (1960 – Dumnicë, Podujevë), Haki Prebereza (1965 – Bellaqevc), Arben Talla (1976 – Letanc, Podujevë), Dalip Brahimi, Muhamet Ahmeti, Ramize Abdullahu (1964 – Krilevë, Kamenicë), Isa Karstrati (1947 – Hogosht, Kamenicë), Rrahman Dini (1965 – Prishtinë), Fatmir Ajeti (1966 – Gjilan), Isuf Shalaku, Rukije Pllana etj.

Shumë veprimtarë të çështjes kombëtare u zhdukën thuajse ngjashëm. Metoda të ngjashme shteti serb kishte përdorur në shumicën e vendeve të ish-Jugosllavisë. /Demokracia.com/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close