Vetëvendosje po e rishkruan storien e fajësisë për rastin ‘Dehari’, marrëveshja për pushtet shfajëson Isa Mustafën
Më 5 nëntor të vitit 2016, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari u gjet i vdekur në qelinë e tij në burgun e Prizrenit.
Astrit Dehari ishte arrestuar më 30 gusht të vitit 2016 bashkë me katër aktivistë të VV-së. Ata dyshoheshin për sulmin me granatë hedhës ndaj Kuvendit të Kosovës.
Dehari qëndroi 78 ditë në paraburgim i ngarkuar me veprën penale të ‘terrorizmit’. Dy javë pas vdekjes së tij, Prokuroria e Prizrenit doli me konstatimet se Dehari u vetëvra.
Për vdekjen e tij, gjatë tri viteve të fundit Lëvizja Vetëvendosje fajësoi pushtetin. Më saktësisht, presidentin e vendit Hashim Thaçin, kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafën dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin.
“KUSH E VRAU ASTRIT DEHARIN?
Sot, më 30 gusht, mbushen tre vjet qëkur me urdhër të pushtetit politik-policor të udhëhequr nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Kadri Veseli, nën akuzën për terrorizëm, u arrestuan 6 aktiviste/ë të Lëvizjes Vetëvendosje!
Për të frikësuar qytetare/ët nga pjesëmarrja në protestat që shtoheshin për ditë e më shumë, të caktuar për datën 1 shtator 2016, që kundërshtonin dy projektet antishtetërore e antikombëtare të nënshkruara nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa më 25 dhe 26 gusht 2015, cungimin e territorit të Republikës së Kosovës për 8’200 hektarë me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi gjegjësisht krijimin e kancerit politik serb në trupin e Kosovës – Zajednicën serbe, kreu i kriminalizuar i Policisë së Kosovës, tani në shërbim të plotë të bosëve të egërsuar kriminelë të pushtetit politiko-policor, e nisën një krim të tmerrshëm”, thuhet në një postim të bërë nga ish deputeti i VV-së, Sami Kurteshi në gusht të këtij viti.
Mirëpo, sapo vendosi të bëj koalicion me LDK-në pas zgjedhjeve të 6 tetorit, nga VV pushuan akuzat në drejtim të Mustafës.
Njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani thotë për lajmi.net se ky qëndrim i Vetëvendosjes vjen vetëm për shkak të pushtetit.
“Kohën kur ka vdek Astrit Dehari, VV e ka adresuar përgjegjësinë më së shumti te Isa Mustafa për shkak se ka qenë kryeministër i cili ka dasht me kalu demarkacionin dhe asociacionin, kauza këto të kundërshtuara nga Vetëvendosje”, ka thënë Ramadani.
Ai ka theksuar se Dehari është akuzuar për shkak të politikës së Isa Mustafës.
“Dehari është akuzuar për shkak të politikës së Isa Mustafës, tash pasi po dëshirojnë të bëjnë koalicion me LDK-në po tentojnë ta kalojnë fajin dhe përgjegjësin vetëm ka PDK. VV po donë me rishkru komplet storien e fajësisë, kjo është për shkak të pushtetit. Mustafën po e kursen dhe nuk e sulmon se i duhet si partnere, nuk e akuzon se munden të mbeten pa pushtet”, ka përfunduar Ramadani.
Pas raportit të institutit zviceran, i cili nuk sqaroi shumë por la të kuptohen se konstatimi që Dehari është vetëvrarë është vështirë i besueshëm, familja Dehari dhe Vetëvendosje po e akuzojnë prokurorin special, Sylë Hoxha i cili atë kohë ishte kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prizrenit dhe ish-ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha për neglizhencë të rastit.
Nga VV nuk është përmendur më emri i Isa Mustafës si një ndër fajtorët për vdekjen e Astritit, për shkak të ‘regjimit’ të tij.
Ndërkohë, lideri i LDK-së, nuk është deklaruar ende për ekspertizën e institutit zviceran të mjekësisë ligjore lidhur me vdekjen e Astrit Deharit. /Lajmi.net/