DETAJE EKSKLUZIVE: SHIK-u ia shpëtoi jetën Nexhat Dacit, “atentati në Brezovicë”
Nexhat Daci konfirmon se në një rast ka pranuar informatë nga SHIK-u për një atentat të mundshëm kundër tij. Në kohën kur ishte kryetar i Parlamentit, nëpërmjet këshilltarit Ramush Tahiri, SHIK-u e kishte udhëzuar atë të mos udhëtonte një fundjavë drejt vilës në Brezovicë. Daci thotë se e kishte përfillur paralajmërimin.
Ai, në një prononcim për Express, tha se gjatë kohës së negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Vjenë kishte pranuar një informatë nga këshilltari i tij në atë kohë, Ramush Tahiri, se “duhet të ruhet dhe mos të udhëtojë në njërin prej vikendeve në vilën e tij në Brezovicë”.
Në njërën nga dhomat e shtëpisë së tij në Prishtinë, Nexhat Daci tha të enjten se nuk e di prej kujt ka mundur t’i rrezikohet jeta, por sqaron se ka zbatuar sugjerimin e këshilltarit të tij për të mos udhëtuar gjatë një vikendi në Brezovicë.
“Situata politike nuk ka qenë e mirë dhe unë kam pranuar që të mos shkoj atje”, ka rrëfyer Daci, tash kryetar i Lidhje Demokratike të Dardanisë.
Sipas tij, informata se jeta e tij ka mundur të rrezikohet ka dalë nga një zyrtar i SHIK-ut nga Ferizaj.
Ai më tej sqaron se këtë rast e ka cilësuar si të izoluar. “E kam cilësuar si rast të izoluar, por informatën se kryetari i Kuvendit është në rrezik ose mund të jetë i rrezikuar e cilësoj si një informatë me qëllim të mirë, pozitive”.
Konfirmimi i Nexhat Dacit pason një deklarim publik të Bekim Haxhiut, deputet i PDK-së dhe ish-pjesëtar i SHIK-ut, i cili gjatë një debati në televizionin publik, i shtyrë nga kundërshtarët politikë të shpjegojë “interesin kombëtar për të cilin ka punuar SHIK-u”, ka përmendur dy raste në të cilat ky shërbim ka punuar në të mirë të Kosovës.
Sipas Haxhiut, Daci i falënderohet SHIK-ut për sigurinë që ia kishte ofruar.
“Kundër Dacit ishte përgatitur një atentat. SHIK-u e kishte informuar për këtë lloj atentati që lidhej drejtpërdrejt me sigurinë e Nexhat Dacit dhe ai e di mirë këtë punë”, është shprehur Haxhiu.
Ai, gjithashtu, ka përmendur edhe një rast tjetër kur janë informuar zyrtarët e institucioneve për aktivitetet e disa personave të OJQ-ve, që në vitin 2004 janë larguar në drejtim të Irakut dhe vendeve tjera.
Por, Nexhat Daci sqaron se kontakti i vetëm me njerëz të SHIK’ut ka qenë informata se ai është i rrezikuar. Madje, sipas Dacit, ky kontakt është mbajtur nëpërmjet këshilltarit të tij, Ramush Tahiri. /Telegrafi/