Kurti thirrje aktivistëve të mos bëjnë pushime por ‘të mbrojnë’ Lëvizjen
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, e nga atje dërgoi mesazhe të shumta për aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, derisa përmendi edhe zgjedhjet lokale anipse deri tani nga ky subjekt politik nuk është bërë publik asnjë kandidat, shkruan Gazeta Metro.
Kryeministri Kurti, shënoi 100 ditëshin e Qeverisë në krye me të, derisa nga opozita u kritikua se më shumë kishte regres sesa progres.
Punësimet e familjarëve, dështimi me menaxhimin e pandemisë, duke nisur nga vonesa në vaksinim e në prurjen e vaksinave, deri te deklaratat nga ministrat e kabinetit të kësaj qeverie, ishin disa nga pikat ku qeveria Kurti shënoj arritje të dobët për këto 100 ditë.
Derisa po mbante fjalimin në Këshillin e Përgjithshëm të kësaj Lëvizje, Kurti u dërgoi mesazh aktivistëve, duke iu thënë atyre se nuk duhet të jenë të lidhur me individë, por idenë dhe programin.
Ndër vite është dëshmuar e kundërta e asaj që tha kryeministri Kurti. Linçimet, etiketimet, dhe fushata kundër çdokujt e çdogjëje që kritikonte liderin Kurti përbënte padrejtësi për ta, dhe duhej të evitohej domosdoshmërisht, shkruan Gazeta Metro.
Ndër të tjera, kryeministri Kurti tha se pushteti nuk duhet të na ndryshojë, derisa kishte disa nga ish aktivistët e kësaj Lëvizje, e bashkëpartiakë që thanë qartazi se Kurti kishte ndryshuar parimet, premtimet e besimet që kur mori pushtetin.
Ai shtoi se Lëvizja Vetëvendosje po sulmohet me shpifje e të pavërteta, duke harruar se sulmet më të mëdha shpeshherë vinë nga vetë Lëvizja, dhe grupimet e aktivistëve.
Edhe se aktivisti nuk duhet të kërkojë miqësi me kryetarin, por me qytetarin u përmend nga Kurti, derisa për 100 ditë të Qeverisë u raportua për punësime të shumta të familjarëve, e aktivistëve të VV’së.
Dialogu me Serbinë, punësimet e familjarëve, kapja e institucioneve ishin vetëm disa nga pikat që Kurti gjatë kohës sa ishte në opozitë nuk pajtohej asesi të ndodhnin nëse partia e tij do dilte fituese, por të gjitha këto ‘’parime’’ u zhdukën pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Kryeministri Kurti u takua me presidentin serb Aleksandar Vucic, në borde rehatoi familjarë të shumtë, dhe disa nga ta ishin aktivistë, por nuk bëri çkapje të institucioneve siç kishte premtuar.
Ish aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, vazhdimisht thonë se ndihen ‘’të tradhtuar’’, kur lideri i tyre shkeli mbi parimet për të cilat ata u zvarritën nëpër protesta të shumta të organizuara sa ishin në opozitë.
Pjesa nga fjalimi i Kurtit:
”Aktivisti i Lëvizjes nuk duhet të jetë i lidhur me individin, por me idenë dhe programin. Aktivisti nuk duhet të kërkojë miqësinë me kryetarin, por miqësinë me qytetarin. Asnjë prej kryetarëve nuk ka për të qeverisur vetëm me miqtë e vet, e asnjë grup shoqëror nuk do të marrë në kontroll asnjë qendër apo komunë. Prandaj fushatat negative duhet të ndalen, ashtu siç duhet të ndalen edhe vetëshpalljet publike apo vetëkandidimet pompoze, si dhe pretendimet që dikush ka mbështetje nga niveli i tretë apo nga kryesia e Lëvizjes. Mbështetja jepet vetëm në mënyrë statutore, demokratike dhe institucionale, nuk është mbështetje një fotografi apo një takim diku me ndokend.
Pushteti nuk duhet të na ndryshojë, por për të mos rënë pre e ndryshimit, duhet t´ia kujtojmë vetes vazhdimisht idealet tona, dhe sakrificat e dëshmorëve. Ne duhet të jemi vazhdimisht syhapur, dhe të sinjalizojmë parregullsitë në raport me qeverisjen dhe administratën, siç janë edhe qytetarët në vendet e zhvilluara evropiane e perëndimore. Vetëm ashtu do të mund ta zhvillojmë e fuqizojmë vendin tonë.
Të dashur aktivistë dhe të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm. Kjo verë kaq e nxehtë, nuk është koha më e përshtatshme për pushime. Ju po e shihni se si po sulmohet Lëvizja me luftë speciale shpifjesh e të pavërtetash. Arsyeja është se duan që të mos e përsërisim rezultatin e 14 shkurtit. Por ne duhet ta konfirmojmë fitoren tonë, ndërsa partive të tjera duhet t´u japim mesazhin se do të mund të keni rezultate më të mira, vetëm kur të largojnë korrupsionin nga mesi i tyre e të reformohen thellë.”/gazetametro.net