Si ndodhi arrestimi i Zahir Pajazitit e Hashim Thaçit nga Sali Berisha? Tregon ish-kryetari i LPK-së
Lëvizjet e shqiptarëve të Kosovës në drejtim të Shqipërisë në vitet ’90 kishin shënuar kulminacionin, e që aspekti ushtarak ishte motivi e qëllimi i shumë prej tyre, qoftë për armatim por edhe për stërvitje.
Krahas pengesave nga regjimi serb, ushtarëve të UÇK-së u dolën edhe ato të ngritura nga shteti i Shqipërisë që në atë kohë kishte në krye Sali Berishën.
Pikërisht me urdhër të tij ishin arrestuar edhe dy nga figurat më të rëndësishme të UÇK-së, Zahir Pajazit e Hashim Thaçi, e që detajet e këtij rasti i ka shpalosur Bedri Islami në emisionin “n’Demos”.
“Z.Berisha kur ishte president, i thoshte grupeve të UÇK-së se në Shqipëri mund të merreni me çfarë të doni, vetëm me luftë jo. Aty ndodhi edhe arrestimi i Zahir Pajazitit dhe Hashim Thaçit. Ka pasur gjithmonë një linjë mosdashëse për UÇK-në. Unë e di se në Kosovë ka ekzistuar miti i Berishës si patriot, më vjen keq se shumë njerëz janë zhgënjyer dhe do të zhgënjehen më tej. Po të vazhdonte periudha e Berishës, lufta në Kosovë nuk do t’i kishte këto përmasa”, ka deklaruar ai, përcjell GazetaDemos.
Bedri Islami ka folur edhe për qasjen e ftohtë të Shqipërisë karshi luftës në Kosovë në fillimet e daljes së UÇK-së në skenë, e që ai beson se kjo kishte të bënte edhebme qasjen e njejtë që kishin edhe ndërkombëtarët.
“Pas marsit të vitit ’98, Qeveria e Fatos Nanos, fillimisht mbajti një qëndrim të akullt ndaj UÇK-së. Unë kam plot letra të cilat i dërgonin figura të larta të politikës ndërkombëtare shtetit shqiptar që mos e përkrahnin UÇK-në. Bota perendimore ishte e ftohtë, ashtu ishte edhe Shqipëria pas zhvillimeve të 97’ kishte shumë probleme, nuk donte që t’i shtohej edhe kjo, por kur SHBA deklaroi se është në lidhje me strukturat e UÇK-së, aty filloi të ndryshonte gjithçka”, është shprehur Islami “n’Demos”.