Kryeprokurori kthehet në Kosovë – kur do të flasë për dyshimet lidhur me jurisprudencën
Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi – që po vazhdon t’i shmanget presionit publik në lidhje me hetimin e dosjes së tij për falsifikim të mundshëm të provimit të jurisprudencës – ka përfunduar vizitën zyrtare në Francë.
Zyra e tij njofton se në kuadër të vizitës në institucionet më të larta të drejtësisë në Francë, Lumezi, ka takuar Prokurorin e Republikës së Parisit, Francois Molins, drejtorin e Çështjeve kriminale dhe faljes në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, Rémy Heitz, dhe zëvendës-drejtoreshën e çështjeve penale në kuadër të kësaj ministrie, Caroline Nisand, ku kanë diskutuar për strukturën organizative, kompetencat, rolin dhe funksionimin e kësaj drejtorie.
Kryeprokurori Lumezi dhe Heitz, gjatë takimit të realizuar, janë pajtuar që në të ardhmen të kenë bashkëpunim juridik, ndërkombëtar, në trajtimin e rasteve të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Me prokurorin Molins, Lumezi ka biseduar për burimet dhe financat e këtyre grupeve si dhe për trajtimin dhe ndjekjen e personave të kthyer nga vatrat e luftës, me theks të veçantë duke rrezikuar paqen dhe sigurinë në botë, ku në këtë rast Prokurori i Republikës së Parisit, Molins i dha një mbështetje të plotë kryeprokurorit Lumezi, në ndërmarrjen e veprimeve për identifikimin dhe luftimin e veprave penale që ndërlidhen me terrorizmin.
Po ashtu, Kryeprokurori Lumezi u takua edhe me Drejtoreshën e zyrës të krimeve financiare në nivel të Francës, me të cilën kanë diskutuar për sfidat, luftën kundër korrupsionit dhe krimeve financiare në përgjithësi si dhe për zbatimin e hetimeve në zbulimin e veprave penale të krimeve financiare.