fbpx
Lajme

A po tentohet të shpallet i pafajshëm Sekiraqa? Apeli kthen në rigjykim rastin

Enver Sekiraqa do të rigjykohet për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza, raporton Gazeta Express.

Gjykata e Apelit në njoftimin për masën e sigurisë ndaj të dënuarit më 37 vite burgim ka zbuluar se rasti i tij do të rigjykohet, ndaj e ka lënë që vendimin për paraburgim të tij ta caktojë Gjykata Themelore e Prishtinës.

Rrjedhimit, deri atëherë Apeli e lë në paraburgim Sekiraqen.

“Është zgjatur masa e paraburgimit ndaj te pandehurit Enver Sekiraqa, i cili ishte arrestuar me urdhër te Gjykatës së Apelit me 20 Tetor, 2017. Masa e paraburgimit do te shqyrtohet në pajtim me Nenin 193, paragrafi 2 i Kodit te Procedurës Penale, nga gjykata e shkallës së parë, me rastin e rigjykimit të kësaj çështje. Palët në procedurë do te njoftohen në mënyrë të rregullt”, ka konfirmuar për Gazetën Express, Zyra për Informim e Gjykatës së Apelit.

Megjithëkëtë, Gjykata e Apelit ende se ka shpallur aktgjykim e plotë për Sekiraqen, që vitin e shkuar u dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës më 37 vjet burgim për nxitje të vrasjes.

Enver Sekiraqa më 19 të këtij muaji u lëshua në arrest shtëpiak me një vendim të Gjykatës së Apelit. Por, i njëjti u kthye pas më shumë se 24 orësh në burgun e Dyzit, pasi shkeli disa nga ndalesat që gjykata i kishte caktuar në vendimin për ndryshim të masës së sigurisë ndaj tij.

Sekiraqa e kishte të ndaluar të takonte persona tjerë, përveç atyre me të cilët banonte, gjatë kohës sa ishte në arrest-shtëpiak. Por, pak kohë pasi u lira në rrjete sociale u shpërndanë fotografi të tij me persona tjerë jashtë familjes, të cilat u publikuan edhe në Gazetën Express.

Për këtë, të martën që shkoi, vetë Enver Sekiraqa kërkoi falje në gjykatë, duke pretenduar se nuk ishte në dijeni për ndalesat e gjykatës. Edhe avokatja e tij Kosovare Kelmendi i pranoi gjykatës se klienti i tij ka shkelur ndalesat, por tha se ajo s’e kishte informuar atë në kohën kur ndodhën shkeljet, pasi ende s’e kishte marrë vendimin e shkruar për lirim të Sekiraqës.

Nga ana tjetër, në të njëjtën seancë dëgjimore, Prokurori i EULEX-it i tha trupit gjykues të Apelit se natën kur Sekiraqa u kthye në Dyz, një i burgosur tjetër kishte dëgjuar një bisedë të Enver Sekiraqës për planet e tij për arratisje.

Lirimi i një të dënuari me 37 vjet burgim në arrest shtëpiak ishte konsideruar skandaloz, dhe kishte nxitur reagime të njohësve të ligjit, e për më tepër edhe të një ambasadoreje kosovare.

Vlora Çitaku, nga SHBA-ja, tha se në vitet ’90 femrat në Prishtinë kishin më shumë frikë nga “krimineli që u la i lirë nga gjyqtarë të EULEX-it dhe të Kosovës”./M.Gj/GazetaExpress/.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close