Djali i Aganit: Babain tim e mori ushtari serb në praninë time, pas dy ditësh Serbia tha e ka vra UÇK-ja
Ka ardhur për të bërë homazhe pranë varrit të babait, të cilin Serbia ia ekzekutoi në vitin 1999.
Mentori, djali i Fehmi Aganit, thotë se e di kush janë vrasësit e babait të tij, të cilët dy dekada më parë e morën për ekzekutim.
Edhe më tutje, të freskëta i ka kujtimet se si ia morën babanë në praninë e tij.
Në kohën kur po tentonin të largoheshin për në Maqedoni në 6 majin e 99-s, një ushtar i ish-Jugosllavisë e ndaloi profesorin, Fehmi Agani, raporton KTV.
Dy ditë me radhë, Mentori së bashku me nënën, nuk kanë ditur asgjë për fatin e Aganit, derisa më në fund, në radio e kuptuan se ai ishte vrarë, kinse nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Por, realiteti, sipas Aganit, ishte krejtësisht ndryshe.
Kjo, pasi që një dëshmitar e ka parë nga larg momentin dhe mënyrën se si është ekzekutuar babai i tij, në hyrje të Lipjanit nga forcat serbe.
Fehmi Agani, i cili llogaritet si truri i lëvizjes paqësore në Kosovë, sipas djalit të tij, u ekzekutua nga strukturat më të larta serbe të asaj kohe, pa i përmbushur dy projektet e paralajmëruara në Kosovën e lirë.
Dy libra që do të trajtonin dy çështje thelbësore për fillimin e demokratizimit të jetës në Kosovë, i mbetën në gjysmë.
Djali i tij thotë se me vrasjen politike të babait, Serbia mori një përgjigje.
Fehmi Agani, ishte profesor universitar dhe figurë kyçe e LDK-së.
VIDEO: https://www.youtube.com/watch?v=TktT_iQi5WM&t=81s