fbpx
Lajme

Djali i Remziut e akuzon për agjent, por Avdyl Loshaj thotë se Remzi Hoxhën e pa të gjakosur

Njëri prej dëshmitarëve kryesorë të zhdukjes së biznesmenit shqiptar nga Shkupi, Remzi Hoxha ka rrëfyer momentet e fundit kur ka parë gjallë shokun e tij.

Në një intervistë ekskluzive për Top Channel, të publikuar të hënën nga e përditshmja Mapo, Loshaj rrëfen aktivtetin e tij në Shqipëri që prej vitit 1992 si pjesë e një grupi që kishte qëllim bashkimin e trojeve etnike shqiptare, ku bënin pjesë edhe Sali Çeku dhe Azem Hajdari.

(SHIK – Shërbimi Informativ Kombëtar i Shqipërisë).

Loshaj ka rrëfyer torturat e bëra nga Shërbimit Informativ Kombëtar i asaj kohe dhe ka identifikuar Ilir Kumbaron si personin që drejtonte gjithçka. Pasi arriti t’u largohej organeve të SHIK-ut në Sarandë, Avdyl Loshaj rrëfen se është rrëmbyer në Tiranë në Qytetin Studenti dhe është dërguar në njërin prej rajoneve të policisë së kryeqytetit ku është torturuar në mënyrë çnjerëzore.

Më pas i mbështjellë me çarçaf Loshaj është dërguar në Lezhë në vend-stacionin e SHIK-ut. “Kam qëndruar në dy dhoma. Në njërën dhomë, po atë ditë kur erdhi Ilir Kumbaro fjalët e tij kanë qenë: “More qen deshe të na shkatërrosh me Maqedoninë. Ti ke bërë atentatin ndaj Gligorovit. Ne jemi shumë të sigurt. Kolegët e tu kanë dashur t’i bëjnë atentat Zef Brozit dhe Kiro Gligorov në Maqedoni. Mua më kanë akuzuar për Kiro Gligorovin dhe shkatërrimin e marrëdhënieve diplomatike me Maqedoninë,” ka rrëfyer Loshaj.

Pasi është rrahur në mënyrë skandaloze, Avdyl Loshaj tregon se SHIK-u po atë ditë ka bërë gabimin fatal dhe ka ngatërruar dhomën ku duhej ta fusnin. “…Ka qenë një gabim fatal i SHIK-ut. Gabimi i tyre ishte ndryshimi i dhomave. Konfrontimi i Remzi Hoxhës i deformuar. Ndoshta edhe ai më ka parë mua total të masakruar, të deformuar,” tha Loshaj, i cili shtoi se ajo ka qenë hera e fundit që ka parë Remzi Hoxhën.

“Ka qenë i çarë nga buzët. Në anën e kokës ka qenë i gjakosur, i goditur. Fytyra ka qenë shumë e zezë,” tha Loshaj. Ndonëse shprehet se e ka të vështirë të pranojë se Remzi Hoxha ka vdekur, Loshaj pohon se nëse do të ishte gjallë do të kishte
kontaktuar me familjen, apo me dikë nga grupi i miqve.

Ai është liruar më vonë dhe është shoqëruar deri në Qafë-Thanë nga vetë Ilir Kumbaro dhe dy veta të tjerë. Loshaj pohon se është transportuar në një makinë me targa të Maqedonisë nga dy shqiptarë maqedonas. “Fjala e e fundit e Ilir Kumbaros ka qenë: “‘Tani e tutje ke të bësh me shtetin maqedon”. Jam futur në veturë dhe s’jemi ndalur as në pikën doganore qoftë shqiptare apo maqedone,” tha Loshaj.

Pasi ka mbërritur në Maqedoni, Loshaj ka bërë përpjekje dhe ka kaluar në Kosovë. Prej aty, ai është nisur drejt Hollandës ku ka mbërritur në vitini 1998 dhe ka kërkuar azil politik. Në lidhje me kërkesën për azil politike, Loshaj nuk pranon të japë detaje.
“Ka shumë arsye të cilat nuk i them dot. Kryesorja, arsyeja e sigurisë që ka të bëjë drejpërsëdrejti me shtetin shqiptar,” tha ai.

Lidhur me përpjekjet e prokurorit Xhevat Hana që ndjek çështjen e zhdukjes së Remzi Hoxhës për ta kontaktuar dhe për të marrë dëshminë e tij në sallën e gjyqit, Loshaj shprehet se “I ndjeri Azem Hajdari po të ishte gjallë, do të vija”. Në përfundim, Loshaj pohon se i frikësohet një eleminimi fizik të mundshëm dhe se nga drejtësia nuk kërkon mëshirë, por drejtësi.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close