fbpx
Lajme

EKSKLUZIVE: Kriminelët serbë duke kryer krime dhe djegur fshatra me uniforma dhe simbole të UÇK-së

INTERVISTË EKSKLUZIVE ME BARDHYL MAHMUTIN: SI U HOQ CILËSIMI I UÇK-SË SI “ORGANIZATË TERRORISTE”?

KRIME ME UNIFORMA TË UÇK-së

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së pestë ka theksuar se botërisht dihet se një numër i konsiderueshëm i aksioneve kundër civilëve të të gjitha përkatësive etnike në Kosovë është bërë nga kriminelë me uniforma të UÇK-së që ishin funksionarë të lartë të Shërbimit Sekret të Serbisë ose pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Ai ka theksuar se aksionet e tyre kriminale ishin të drejtuara kundër civilëve të të gjitha përkatësive etnike me qëllim që këto krime të shëmtuara t’i visheshin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bardhyl Mahmuti ka pohuar se në të gjitha rastet e vrasjeve, që sadopak janë ndriçuar, del qartë se prapa vrasjes së civilëve në Kosovë qëndron urdhri i strukturave shtetërore serbe

“Epoka e re”: Kur bëhet fjalë për vrasjen e civilëve gjatë luftës në Kosovë, ju gjithmonë keni mohuar në mënyrë kategorike përfshirjen e UÇK-së në këto krime. Më intereson të di nëse një qëndrim i tillë përjashton mundësinë që të ketë pasur edhe shqiptarë që kanë kryer akte kriminale kundër civilëve?

Bardhyl Mahmuti: Qëndrimi ynë nuk ka të bëjë me përkatësinë etnike të kriminelëve, por me urdhërdhënësit. Tani botërisht dihet se një numër i konsiderueshëm i aksioneve kundër civilëve të të gjitha përkatësive etnike në Kosovë është bërë nga kriminelë me uniforma të UÇK-së që ishin funksionarë të lartë të Shërbimit Sekret të Serbisë ose pjesëtarë të ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Fillimisht po marr si shembull kolonelin e policisë serbe, Slavko Niki (Sllavko Nikiq). Me qëllim që lexuesi shqiptar të krijojë idenë se për çfarë personi bëhet fjalë, po përmend disa të dhëna që i ka bërë publike ky kriminel. Në veprën e tij “Grupi i gjakut O” (Nulta Krvna Grupa”, f. 8),Slavko Niki pohon se “sa i përket qëndrimit ndaj jetës,nga personalitetet më të shquara të skenës politike, policore dhe ushtarake serbe, më së shumti çmon gjeneralin Ratko Mladi (Ratko Mlladiq).”. Besoj se lexuesit e dinë që Ratko Mladi është një ndër kriminelët më të mëdhenj të Ballkanit, i dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për veprat penale gjenocid, krim kundër njerëzimit dhe krime lufte në Bosnjë. Qëndrimi i Ratko Mladiit për jetën u dëshmua veçanërisht në Srebrenicë, ku më 13 korrik 1995, forcat serbe të komanduara nga ai, masakruan përafërsisht 8000 pjesëtarë të përkatësisë etnike myslimane. Më 16 gusht 2008, në emisionin televiziv “irilica”, në TV Pink, Slavko Niki pohoi me mburrje se “për kontributin që kishte dhënë për serbët e matanë lumit Drina, gjenerali Ratko Mladi i kishte dhënë mirënjohje të veçantë dhe, me udhëzimet e tij, si kolonel lufte, ishte dërguar në luftën e Kosovës në krye të Njësitit për Detyra të Veçanta!”. Ai nuk tregon në cilat aksione ka marrë pjesë gjatë luftës në Kosovë por, siç shihet nga përzgjedhja që ka bërë të vendosë në ballinën e librit “Rrëfim-Ndoshta” fotografinë e vet me uniformë të UÇK-së, mund të supozojmë se të çfarë natyre ishin krimet e Njësitit për Detyra të Veçanta. Nuk mund ta di konkretisht në cilat krime ka marrë pjesë koloneli i policisë serbe Slavko Niki. Këtë çështje mund ta sqarojë vetëm një proces hetimor që do të kishte për qëllim ndriçimin e rasteve të krimeve të pandriçuara deri tani. Mirëpo një gjë është e sigurt: të veshur me këtë uniformë as ai dhe as kriminelët e tjerë të Njësitit për Detyra të Veçanta nuk kanë marrë pjesë në luftime kundër ushtarëve të UÇK-së.

Aksionet e tyre kriminale ishin të drejtuara kundër civilëve të të gjitha përkatësive etnike me qëllim që këto krime të shëmtuara t’i visheshin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si shembull të dytë po përmend Nazim Bllacën, pjesëtar i Shërbimit Sekret Serb, i cili me detyrë nga ky shërbim futet në Kosovë dhe kryen një varg krimesh. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Nazim Bllaca shkoi në Serbi dhe jetoi për një kohë relativisht të gjatë atje. Për saktësinë edatës kur ka shkuar, të kohës sa ka banuar atje dhe të vendit ku ka qëndruar në Serbi,e di më së miri Nazim Bllaca, familjarët e tij dhe Shërbimi Sekret Serb. Kam bindjen e plotë se shumica e lexuesve janë dëshmitarë të përpjekjeve të këtij bashkëpunëtori të okupatorëve serbë, sidomos nga muaji nëntor i vitit 2009, për t’u prezantuar para opinionit publik si pjesëtarë i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe për t’ia veshur UÇKsë krimet që kishte kryer me porosi tëShërbimit Sekret Serb. Në prill të vitit 2015, në emisionin “Zona e Debatit”në “Klan Kosova”, deklarova se “Nazim Bllaca ishte person i infiltruar nga Serbia për të kryer krime me qëllim të fajësimit dhe njollosjes së UÇK-së dhe se kishte qëndruar në Serbi përpara se të rrëfente, në nëntor të vitit 2009, për krimet që i kishte kryer në Kosovë”.Katër vjet më vonë, më 8 shkurt 2019, emisioni hulumtues i Radio Televizionit të Kosovës, i titulluar “Udhëve”, nxori dëshmi të pakontestueshme të angazhimit të Nazim Bllacës në strukturat e Shërbimit Sekret të Serbisë, zyrtarisht që nga data 15 maj 1997. Në funksion të realizimit të qëllimeve të Shtabit Strategjik të Sllobodan Millosheviqit, në vrasjet e civilëve në Kosovë kanë qenë të përfshirë edhe Selim Broshaj, Ibush Kllokoqi,Lutfi Ajazi, Ajet Istogu, Jakup Hoti, Nazim Bllaca e shumë kriminelë të tjerë të përkatësisë etnike shqiptare që ishin funksionarë të lartë të Shërbimit Sekret të Serbisë apo informatorë dhe vegla të këtij shërbimi, që kryenin operacione të veçanta. Nuk kam asnjë dyshim se të gjitha krimet ndaj civilëve në Kosovë janë kryer me urdhër të strukturave shtetërore serbe, pa marrë parasysh përkatësinë etnike të ekzekutorëve të këtyre krimeve.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close