fbpx
Lajme

Ekskluzive: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh (DOKUMENT)

Në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht. Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Ky është plani i paraqitur në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, të cilin e ka siguruar Albanian Post.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

“Korniza e re” të cilën e posedon Albanian Post është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument “Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin”.

Dokumenti prej katër faqesh, i cili e shpjegon logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.

Dokumenti përbëhet nga hyrja dhe më pas është i ndarë në tri segmente bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika.

Të gjitha segmentet shpjegojnë të ashtuquajturën “kornizën e re”, e cila u është prezantuar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it. Këtë kornizë, publikisht, e ka pranuar vetëm Presidenti serb Vuçiç pas vizitës së dy këshilltarëve në Beograd.

Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk pranojnë këtë propozim.

Vizioni i dialogut, një makro-perspektivë

Kjo pjesë tregon në tri pika se çfarë parashihet të ndodhë në 10 vjetët e ardhme nëse pranohet marrëveshja. Zhvillimet aktuale shihen si vijimësi e angazhimit të BE-së, në dialogun e nisur një dekadë më parë.

“2013, marrëveshja e parë për normalizimin e raporteve. 2023, marrëveshja e dytë për normalizimin e raporteve (pranimi faktik i pavarësisë së Kosovës kundrejt një akti formal të njohjes). 2023, marrëveshja e tretë për normalizimin e raporteve (njohja e ndërsjellë formale), pak para se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen BE-së”, shkruhet në dokumentet në të cilat Albanian Post ka siguruar qasje.

Në pikën e parë potencohet se “Një normalizim substancial i raporteve duhet të arrihet deri në mes të vitit 2023”.

Më pas vazhdohet me pikën e dytë.

“Kosova dhe Serbia janë dy realitetet të ndara legale dhe politike që duhet të njihen si të tilla nga të gjitha palët në procesin e dialogut. ‘Të gjitha palët’ janë Prishtina (Kosova), Beogradi (Serbia) dhe Brukseli (BE, që nënkupton të gjitha shtetet e BE-së, përfshirë edhe jo njohësit)”.

Kurse pika e tjetër sqaron pozicionin e Serbisë.

“Serbia nuk do të jetë e gatshme t’i bashkohet BE-së pa një normalizim komplet të raporteve politike, legale dhe diplomatike me Kosovën. Gjithsesi, duke pasur parasysh që pranimi i Serbisë në BE është akoma larg, në këtë fazë, Serbisë nuk do t’i kërkohet që ligjërisht ta njohë Kosovën”. Sipas burimeve të AP, ky pozicion është rrjedhojë e faktit që, aktualisht, BE-ja nuk është e gatshme as të shqyrtojë një anëtarësim të përshpejtuar për Serbinë, rrjedhimisht edhe për vendet tjera të Ballkanit perëndimor.

Prandaj, në pikën e katërt saktësohet se “Tani për tani, në vend të njohjes, Serbia duhet ta pranojë realitetin e Kosovës si një realitet i veçantë politik dhe legal”. Këtë pikë, gjatë konferencës në Beograd, e ka pranuar publikisht Presidenti Vuçiç kur deklaroi: “ata insistojnë që atje (pra në Kosovë) ekziston një realitet të cilin ne duhet ta pranojmë si të tillë”.

Para se të kalohet në shpjegimin e “termave praktik”, jepet një vërejtje.

Dokumenti sqaron se “Esenca këtu është përdorimi i drejtë i semantikës: pranimi (acceptance) i pavarësisë së Kosovës kundrejt njohjes (recognition) së pavarësisë së Kosovës”.

Shpjegohet edhe çfarë nënkupton pranimi (acceptance) i pavarësisë i ndarë në tri pika.

“Në terma faktik, Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë tërësisht raportet, duke mundësuar lëvizjen bilaterale të njerëzve dhe mallrave.”, thotë pika e parë.

“Ky normalizim gjithashtu duhet që të reflektojë në raportet regjionale. Me fjalë të tjera, ndërlidhshmëria, zhvillimi socio-ekonomik, fqinjësia e mirë, dhe të dhënat digjitale. Tregu i Përbashkët Rajonal i promovuar nga Këshilli Rajonal për Bashkëpunim, bazuar në katër liritë e BE-së dhe çuarja e rajonit drejt Tregut të Vetëm të Përbashkët të BE-së”, thuhet në pikën e dytë.

Sipas burimeve të Albanian Post, Gjermania dhe Franca insistojnë në këtë pikë. Këto dy shtete të fuqishme, shtylla të BE-së, kanë harmonizuar politikën e tyre kundrejt Ballkanit perëndimor. Franca qëndron fuqishëm prapa Gjermanisë në qëllimin e saj për vitalizim dhe sukses të plotë të Procesit të Berlinit, ndërkaq Gjermania qëndron fuqishëm prapa Francës në vizionin e kësaj të fundit për një politikë të kujdesshme të zgjerimit kundrejt Ballkanit perëndimor. Franca dhe Gjermania, ia kanë bërë të qartë Kosovës dhe Serbisë që brenda 2022 duan sa më shumë marrëveshje praktike, në mes të dy palëve, dhe që mundësojnë rigjallërimin e suksesshëm të Procesit të Berlinit.

Kurse pika e tretë thotë se “Duke e pranuar Kosovën si një realitet i ndarë politik dhe legal, Serbia do të marrë një pozicion pasiv dhe nuk do ta kundërshtojë më anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”. Sipas burimeve të Albanian Post, moskundërshtimi aktiv i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, është një kërkesë specifike dhe shumë e fuqishme drejtuar Serbisë.

Pas shpjegimit të këtyre pikave dokumenti sqaron pozicionin e BE-së si të tërë dhe shteteve veç e veç në raport me statusin e Kosovës.

“Pas marrëveshjes së dytë për normalizim të raporteve, pesë vendet jo njohëse në BE, do t’u bashkohen 22 vendeve të tjera të BE-së dhe do ta njohin Kosovën. Ky bashkim i mundëson Brukselit që ta trajtojë anëtarësimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si një bllok i vetëm”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Albanian Post.

Aty parashikohet edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe ky rrugëtim kalon nëpër katër faza, por paraprakisht konstatohet se “Pozicioni pasiv i Serbisë nuk e zgjidhë përfundimisht problemin”.

“Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara varet nga vetoja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit. Gjithsesi, derisa BE-ja dhe SHBA-të të zgjidhin çështjet e tyre me Rusinë, pas marrëveshjes së dytë për normalizim të raporteve, anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare do të shkojë përmes këtyre fazave”.

Sipas propozimit, faza e parë është “Kosova bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”. Faza e dytë “Anëtarësimi në Interpol dhe UNESCO”. “Faza e tretë, Fillimi i bisedimeve për pranim në NATO, aplikimi për anëtarësim në BE” dhe “Faza e katërt: Anëtarësimi në OKB”.

Krejt në fund, shpjegohet se çfarë përfitojnë të dy vendet nëse e nënshkruajnë marrëveshjen dhe cilat do të ishin pasojat nëse nuk arrihet akordi.

Sa i përket Kosovës, ajo “merr njohjen e pesë shteteve të BE-së, duke zhbllokuar perspektivën për anëtarësim në NATO dhe BE”, kurse “Serbia merr një ndihmë financiare masive dhe një asistencë ekonomike si dhe do të njihet si forca që udhëheqë ekonomikisht dhe politikisht rajonin”.

Meqë Kosova nuk ka as liberalizim vizash aktualisht dhe është praktikisht e izoluar, pasojat e mos nënshkrimit kanë të bëjnë më shumë me qeverinë sesa me vetë shtetin. Dokumenti e vendos theksin te izolimi i plotë i qeverisë së Kurtit, si një formë presioni që do të ndikonte në jetëgjatësinë e qeverisë.

Ndërsa, nëse Beogradi nuk e pranon, atëherë pason “Izolim ekonomik dhe financiar” dhe gjithashtu theksohet se “Pesë shtetet jo njohëse do ta braktisin eventualisht Serbinë dhe do t’u bashkohen shteteve të tjera që e kanë njohur Kosovën. Pavarësisht rezultatit, BE-ja do të flas me një zë”.

Pas zhvillimeve në Ukrainë, çështja e unitetit të BE-së, karshi Kosovës dhe Serbisë, është kthyer në thembrën e Akilit për vetë BE-në, prandaj Franca dhe Gjermania janë të vendosura në demonstrim praktik, politik dhe legal, të unitetit evropian.

Pra, Serbia është vendosur para një pozicioni, ku i bëhet e qartë që, në rast të kundërshtimit, do të humbë si ndihmën shumë të nevojshme ekonomike dhe politike të BE-së ashtu edhe përkrahjen e pesë shteteve mos-njohëse.

Dokumenti, siç sqarohet në fillim, është një makro perspektivë, e hartuar si draft shpjegues të dinamikave kyçe, dhe nuk merret me elemente specifike dhe as me marrëveshjet një nga një të arritura deri tash në Bruksel – një nga më problematiket, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Çfarë është parë deri më tani, BE dhe diplomatë të tjerë perëndimorë duan që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara të implementohen, përfshirë Asociacioni, gjë të cilën e kundërshton qeveria e Kosovës.

Burimet e Albanian Post, që kanë njohuri direkte për procesin aktual, pohojnë që, pa një gatishmëri të Serbisë për ta njohur formalisht pavarësinë e Kosovës, është shumë e vështirë që të arrihet një marrëveshje rreth Asociacionit, që do të siguronte një shkallë më të lartë autonomie për serbët e Kosovës. Me fjalë të tjera, fare lehtë, diskutimet për Asociacionin mund të zhvendosen për fazën e tretë të dialogut, atëherë kur perspektiva evropiane për Serbinë dhe Kosovën bëhet e prekshme. /Albanianpost.com

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close