Fatos Klosi: Roli i Berishës, Gazidedes dhe SHIK-ut në zhdukjen e Remzi Hoxhës
Shqiptaro-maqedonasi Remzi Hoxha, është vrarë e zhdukur nga SHIK-u, dhe për këtë ka qenë në dijeni edhe
ish shefi i SHIK, Bashkim Gazidede.
Kështu është shprehur ish-shefi i SHISH, Fatos Klosi ne nje interviste dhene ne vitin 2006 per News24. E risjellim kete interviste pas debatit te djeshem ne parlamenti mbi ceshtjen e Remzi Hoxhes, ku ish-kryeministri Berisha theksoi se per kete duhet pyetur Fatos Klosi. Dhe Fatos Klosi e ka dhene nje pergjigje, por ne vitin 2006.
Sipas tij, pas emërimit në këtë detyrë, ai ka caktuar një grup punonjësish për të ndihmuar prokurorinë në zbardhjen e çështjes dhe gjetjen e varrit të tij, por “kjo ishte shumë e vështirë, pasi nuk gjendej asnjë shkresë, ndërsa autorët, Gazidede i kishte ndihmuar të largoheshin për në Angli”.
Klosi ka sqaruar gjithë punën e bërë nga institucioni që ai drejtonte.
Cilat janë kontaktet tuaja të para me çështjen “Remzi Hoxha”?
Tek unë kanë ardhur familjarët kur isha në SHIK dhe më kërkuan ndihmë për të sqaruar atë që kishte ndodhur me Remziun. Natyrisht, ne nuk kishim shumë mundësi për t’i ndihmuar, sepse ishte një problem i prokurorisë, pasi familjarët ishin lidhur me këtë të fundit dhe ajo kishte hapur një çështje, prandaj iu kërkua ndihmë asaj. U arrit deri aty sa të nisnin kërkimet për varrin e tij; u gjet vendi ku ishte mbajtur gjatë marrjes në pyetje nga SHIKu, Remziu, që ishte një godinë e vjetër. U mendua që diku rreth saj edhe mund të ishte varrosur, por ne nuk mundëm të gjenim gjë.
Në një deklaratë për “Gazeta Shqiptare”, Gazidede i ka thënë gazetarit që të pyesë prokurorinë dhe Fatos Klosin për zhdukjen e Remzi Hoxhës… Mua më duket absurde dhe fare e papërgjegjshme, si struci që përpiqet të fshihet, nga ana e tij, “pyesni prokurorinë apo Fatosin”. Nuk u mora unë me hetimin, por prokuroria; SHIK-u caktoi disa oficerë që të merreshin me hetimin dhe problemet shkuan deri këtu, që nuk mund të akuzoheshin njerëz që ishin këtu se ishin përgjegjës, por u konstatua që të gjithë ata oficerë që ishin marrë me çështjen e Remziut, kishin përfunduar në Angli, jo në 97-ën, por menjëherë pasi Remziu u kishte ngelur në dorë, ata ishin larguar me shpresë që të shpëtonin, por ishte e pamundur, sepse ajo nuk ishte një ngjarje e rastësishme apo e bërë prej diletantësh, por një ngjarje që duhej menduar se si të zhdukeshin gjurmët dhe në SHIK nuk gjendej absolutisht asnjë dokument. Por duke hetuar, duke pyetur, duke parë lidhjet, bëmë një punë goxha të madhe për t’u bindur që ai ka qenë në dorë të SHIKut dhe ka përfunduar nga ky i fundit. Ai për të cilin ishin më shumë të interesuar familjarët, ishte varri. Për sa u përket njerëzve të akuzuar, ata ishin jashtë, kishin probleme me prokurorinë, por nuk më takonte mua të merresha me ta. Kaq di: Remziun e vrau SHIKu, varrin vetëm ata e dinë dhe në qoftë se kanë guximin, le ta thonë ku ndodhet. Di se në një debat televiziv, Prokurori i Përgjithshëm i ka kërkuar Kryeministrit Berisha të sqarojë çështjen e Remzi Hoxhës. Në atë kohë, prokurori ka qenë këshilltar i Berishës. Ndaj Gazidede kot kërkon këshillë tek unë.
Ju thoni se personat që kanë pasur dijeni janë…?
Jo. Ata që janë të implikuar, sepse dijeni kanë shumë të tjerë.
Përfshirë edhe Gazideden?
Sigurisht që po. Për ngjarjet që ndodhnin në SHIK, ka pasur dijeni edhe Gazidede. Problemi është se ata që janë të
implikuar e që mund të akuzohen, nuk janë këtu, sepse unë nuk mund të akuzoj Gazideden si vrasës. Ai ka
përgjegjësinë e vet si shef i këtij institucioni, por personat përgjegjës të gjithë kanë ikur. Në të njëjtën kohë, fill mbas
vrasjes, të gjithë kanë udhëtuar drejt Anglisë, pra është munduar t’i largojë, larg prej këtij vendi. Lexova një deklaratë
të zv/prokurorit të asaj kohe, që thotë shumë qartë se shërbimi informativ i mbylli prokurorisë çdo derë, për ta sqaruar
atëherë kur ishte koha dhe kur zhvillimet ishin të freskëta, ndërsa ne u morëm me këtë çështje pas shumë vitesh.
Shpresa është prapë dhe unë e quaj sukses që është gjetur se është vrarë në dorë të SHIKut dhe se varri duhet të
jetë diku rrotull.
Këtë pjesë të zbardhjes së ngjarjes e bëri prokuroria?
E ka bërë prokuroria, sepse ajo është marrë me të, sigurisht me ndihmën e shërbimit informativ. Ne kemi dhënë
shumë të dhëna megjithëse kishim edhe përgjegjësitë tona, por mundësitë për zbardhjen ishin pothuaj zero. Asnjë
dokument, asnjë gjë, pasi është bërë një punë e madhe për t’i eliminuar. Asnjë njëri që mund të pyetej, pasi ata ishin
larguar. Ne u detyruam të pyesim ca shoferë të thjeshtë që u kishte rastisur atë ditë të ishin në shërbim, por sidoqoftë
nuk ishin burime të sigurta, pasi nuk dinin shumë gjëra, por duke pyetur shumë persona, u arrit të krijohej një version
apo një opinion i plotë i ngjarjes.
A ka mundësi që të zbardhet ngjarja?
Po sigurisht që ka. Qëkur u morëm me këtë, ne donim që kjo ngjarje të zbardhej. Është më mirë për të gjithë. Të
dihen përgjegjësit dhe të akuzohen ata, jo shërbimi, sepse shërbimi përbëhet nga njerëz që kanë përgjegjësi për
këtë ngjarje dhe le ta mbajnë atë përgjegjësi, mos ta ketë njollë shërbimi.
SHIK-u e ka bërë këtë pa ndonjë bashkëpunim të agjencive të tjera sekrete?
Nuk di të them. Ne erdhëm deri te përfundimi i torturës që i kanë bërë për të marrë atë që donin; ai u ka ngelur në
dorë. Më shumë nuk di. Edhe unë kam qenë në krye të shërbimit, por nuk jam marrë me këtë punë. Për mua është
punë e mbaruar, për sa kohë vura në dispozicion të çështjes ata oficerë që i kam gjykuar të përshtatshëm për punën,
por nuk kam kërkuar të hyj në detaje.
Cili ishte motivi?
Motivin e vetëm e di Gazidede, më mirë nga të gjithë. Dyshimet ishin ato. Ka edhe versione të tjera, por unë e gjykoj
se nuk më takon mua t’i them.
Që do të thotë se ka edhe raste të tjera?
Që janë edhe katër persona të tjerë.
Që sot janë në pushtet?
Po. Që janë sot në pushtet.
Bëhet fjalë për Kryeministrin?
Nuk e di. Unë nuk thashë gjë. Këtë mos e prisni nga unë. Për sa kohë nuk kam dokumente, janë vetëm opinione.
Kam qenë në një pozicion shumë të rëndësishëm dhe nuk mund të flas pa fakte. Nuk dua të bie në pozitën e
Berishës që i thotë gjërat përpara. Avashavash do të dalë edhe kjo, nëse shteti do të merret seriozisht. Ne, edhe më
parë jemi marrë seriozisht me këtë çështje, por tani janë mundësitë. Gazidede është në Shqipëri edhe “Amnisty
International” e ka thënë, edhe vetë Gazidede ka thënë, “nëse do më pyesni, do ua them të gjitha”. Është e kotë të
vazhdojë si debat në Televizion, le të shkojë prokuroria ta marrë dhe ta pyesë.
Në prokurori, për këtë çështje versioni kryesor është ky që thatë juve?
Po. Në prokurori, kur u mbyll çështja në 2000 apo 2001 u tha se u bë maksimumi që mund të bëhej. Ishin pyetur sa
më shumë ishte mundur. Personat përgjegjës nuk ishin këtu, dokumente nuk kishte. Hetimi është bërë mbi bazë të
thënash njerëzish. Nuk u gjet asgjë qoftë edhe shkarazi. Ndaj dhe u mbyll.
Konkluzioni ishte që SHIK kishte qenë…?
Padyshim. Kjo është fare e qartë.
Kujt tjetër mund t’i shërbente rrëmbimi dhe më pas vrasja e Remziut?
Më shumë, opinioni ynë qe se nuk qe zhdukur se i shërbente kujt, sepse nuk mund t’i shërbente askujt. Thjesht u
mbeti në dorë. Për të nxjerrë prej tij atë që ata donin. Kjo është fatkeqësia jonë, sepse është punuar me këtë; kishim
një ide fikse dhe pastaj kërkonim argumente. Ka pasur edhe raste të tjera të keqtrajtimit të njerëzve, por që nuk janë
bërë kaq të bujshme, sepse të afërmit kanë shpëtuar. Janë hedhur për tu vrarë në rrugë, por për fatin e tyre kanë
shpëtuar.
Njerëz të njohur?
Nuk janë aq të njohur, se edhe Remziu nuk ka qenë ndonjë njeri i njohur, por ndodhi kjo dhe u bë i njohur. Edhe të
tjerët mund të ishin bërë të njohur. Kanë dijeni për dy emra. Po unë flas për një të katërt fare.
Është shqiptar?
Po, është shqiptar.
Me të njëjtin motiv?
Pak a shumë. Ndoshta me një motiv shumë më interesant se sa ky për mediat, por që kur të vijë momenti, mund ta
bëjmë të njohur. Për këtë bëra shumë çudi sot kur e pashë intervistën e Gazidedes, jo se unë jam munduar ta mbroj
atë, dua të mos flas shumë për të, duke thënë vetëm se “gjynahu nuk arriti ta përballonte politikën”. E quaj detyrë të
mbroj institucionin, dhe nuk më ka pëlqyer të hyj në detaje. Sot shikoj një deklaratë të papërgjegjshme “pyesni Fatos
Klosin”. Mirë dhe unë po them. Remzi Hoxha është vrarë nga SHIKu dhe Gazidede duhet të përgjigjet për këtë punë.
Shiku ka bërë të paditurën dhe vazhdon ta bëjë atë.
Intervistë e dhënë për News 24, në 2006-n