fbpx
Lajme

Fred Abrahams: Rugova e Milosheviçi nxorrën përfitime nga njëri-tjetri

Dje, profesori Fred Abrahams u ‘korit’ në Gjykatën Speciale pasi e pranoi që në raportin e tij ishte shërbyer nga të dhëna prej Serbisë. Por, çka thuhet në atë raport?

Raporti titullohet “Nën pushtetin e urdhrave” (ang. “Under Orders) dhe tregon për krimet që ishin kryer në luftën e Kosovës. Natyrisht, denoncohet edhe “Kasapi i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviqi, megjithëse jo aq sa do të donim. Por, denoncohet keq edhe UÇK-ja.

UÇK-ja

Megjithëse autorit i duhet të ndërtojë idenë se është neutral, megjithatë në disa pjesë evidentohet se ai kishte qasje paragjykuese dhe përçmuese ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qe një fjali interesante e këtij raporti:

“Perëndimi bënte sehir ndërsa UÇK-ja lindi e u rrit, ndërsa shteti jugosllav u përgjigj dhunshëm e ndërsa krahina shkoi drejt konfliktit të armatosur.”

Nuk po flet për ISIS-in ose ndonjë organizatë tjetër terroriste. Po flet për UÇK-në. Pra, po thotë që Perëndimi nuk e ndaloi lindjen dhe rritjen e UÇK-së. Bënte sehir, këqyrte seri, derisa UÇK-ja lindi e u rrit.

Por, më pas ka pasazhe edhe më të ‘egra’ kundër UÇK-së. Deri në atë shkallë sa me shumë gjasë – ju që e doni përnjëmend UÇK-në – do t’i mbyllni veshtë për të mos i dëgjuar.

Në këtë raport që po e analizojmë ka huqje tjera të mëdha. Për shembull, në një nga to ngatërrohet Rexhep Selimi me Kadri Veselin.

Por, akuzat ndaj UÇK-së janë monstruoze. Harrojini krimet e pretenduara të luftës që mund t’i kenë kryer e për të cilat autori flet gjerë e gjatë – dhe siç e pranoi vetë dje, me raste edhe pa fakte.

Akuza më monstruoze është se UÇK-ja kishte faj për masakrat që kryente Serbia. Mes këtyre masakrave, kishte faj edhe për Reçakun. Qe një pjesë nga raporti:

“Njësitet e UÇK-së zinin prita apo sulmonin pozicionet e policisë e të ushtrisë në fshatra të caktuara, e më pas tërhiqeshin, duke i lënë fshatarët nën mëshirën e hakmarrjes së mundshme. Masakra të vërteta shpesh ndodhën për këtë arsye…”

Nëse dikush mund të mendojë se kjo fjali ishte paksa jashtë kontekstit, qe një tjetër goxha më e rëndë dhe më direkte:

“Gjatë konfliktit, UÇK-ja u angazhua në taktika ushtarake, të cilat vunë në rrezik civilët shqiptarë; në mënyrë të veçantë, duke sulmuar pikat e kontrollit e patrullat serbe në afërsi të fshatrave shqiptare, civilët rezultonin të ekspozuar ndaj sulmeve hakmarrëse. Eshtë një fakt tronditës, që lufta e Kosovës gjatë vitit 1998 e 1999 u karakterizua nga masakra civilësh të bëra në dritë të diellit, siç ishin ato në Prekaz, Abri e Epërme dhe Reçak, të cilat shënuan pikat e kthesës së kësaj lufte. Ishte evidente që të gjitha këto krime u kryen nga forcat rëndom brutale serbe e jugosllave, por është e qartë që UÇK-ja ishte e vetëdijshme mbi përfitimin politik të masakrave të tilla të bëra në sytë e të gjithëve…”

Qysh ishte e qartë ai nuk e shpjegon. Nuk ofron as fakt e as argument. Thjesht bën një akuzë tepër tepër të rëndë.

Qe edhe më saktë, edhe më direkt:

“Nuk është e tepërt të mendohet se UÇK-ja, e bindur në agresivitetin e brutalitetin e dukshëm të forcave serbe, mund të ketë provokuar qëllimisht sulme kundër civilëve shqiptarë, dhe në këtë mënyrë, viktimat e pafajshme do të promovonin çështjen e tyre dhe do të afronin perëndimin, sidomos Shtetet e Bashkuara, tek konflikti. Në fund të fundit, UÇK-ja e nuhati përfitimin politik të viktimave civile.” 

Ndërkohë, më vonë flet për krimet e luftës nga UÇK-ja. Dhe e jep një arsye të çuditshme, shumë shumë të çuditshme për to. Qe çka thotë pjesa e mëposhtme:

“Dëshira për hakmarrje është vetëm një shpjegim i pjesshëm, pasi në një numër të madh sulmesh nuk duhet të anashkalohet një objektiv i qartë politik: largimi nga Kosova i banorëve jo-shqiptarë në mënyrë që të përligjej më mirë kauza e shtetit të pavarur të Kosovës.”

Pra, UÇK-ja po largonte serbët dhe pakicat tjera nga Kosova sepse donte ta përligjte pavarësinë – sipas Abrahamsit. Ku është logjika këtu? Në fakt, pavarësia – siç e dinim atëherë, siç e dimë edhe tash – u përligj e përligjet vetëm duke respektuar të drejtat e pakicave kombëtare. Edhe një parafillorist e di këtë gjë.

Gjëra tjera të përçudshme

Në një mënyrë, ai përbalt edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçin.

“Në një farë kuptimi, Rugova e Milosheviçi nxorrën përfitime nga njëri-tjetri. Milosheviçi toleroi Rugovën, sepse ky i fundit u shërbente shqiptarëve si një pus, në grykën e të cilit mund të zbraznin zhgënjimet e tyre, dhe u mundësonte shprehjen publike të vullnetit të tyre politik, ndërsa politikat e tij të rezistencës paqësore përjashtonin sfidën ndaj sundimit serb në krahinë. Shqiptarët vazhdonin gjithashtu t’i paguanin taksa qeverisë serbe.”

Ndërkohë, në mënyrë indirekte bën një akuzë të çuditshme ndaj UÇK-së edhe për kohën e Rambujesë. Sipas tij, nevoja e Thaçit për t’u konsultuar me komandantë ia dha Millosheviqit tri javë kohë që të përfoconte trupat e tij në Kosovë e të bënte pastaj ofenzivë të madhe.

“Shumë vëzhgues besojnë se Millosheviqi as që e ka patur ndonjëherë në mendje të nënshkruante një marrëveshje; ai thjesht shfrytëzonte kohën për të përforcuar më tej trupat e tij, dhe në fakt ai fitoi tri javë, për shkak të nevojës së Thaçit për t’u konsultuar me komandantët brenda në Kosovë.”

E tash, të merremi pak edhe me pjesën kryesore që u ‘çmontua’ dje nga avokati i Kadri Veselit Ben Emmerson.

Qe çka thotë saktë ajo pjesë:

“Është e qartë që në raste të caktuara, siç është ai i shtatorit të vitit 1998, kur u vranë nga forcat e UÇK-së tridhjet e katër vetë në afërsi të Gllogjanit, komandantët lokalë, nëse nuk e kanë urdhëruar vrasjen, duhet të kenë qenë të informuar mbi atë që ndodhi.”

Vetë Abrahamsi e pranoi se nuk duhej ta shkruante në këtë formë.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close