fbpx
Lajme

Gazeta gjermane: Kurti një kryeministër i pakorruptuar, i cili di të kundërshtojë dhe të bëjë ndryshim të madh

Gazeta gjermane shkruan se Albin Kurti në vitet ’90 u angazhua për pavarësinë e Kosovës. Tani si kryeministër ai mund të sjellë ndryshime të thella.

Shkruan: Erich Rathfelder

Tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare dhe fitores spektakulare, Lëvizja socialdemokrate Vetëvendosje ka negociuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës për qeverinë e re. Si kryeministër është emëruar Albin Kurti, të hënën ai pritet që planet e tij t’ia prezantojë Kuvendit, ku do të votohet për qeverinë e re.

Më këtë koalicion ndërlidhen shumë shpresa, shkruan “Tageszeitung” e Berlinit. Një nga këto shpresa është përfundimi i sundimit të atyre partive që burojnë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Kurti, i rritur në Prishtinë, në vitet 90-të ka qenë lider studentor dhe aktivist i majtë për të drejtat e njeriut me një vizion të qartë politik: ai dëshironte demokraci dhe sundim të ligjit në Kosovë, kur ajo ende ndodhej nën sundimin serb. Kurti u angazhua kundër padrejtësisë dhe diskriminimit, kundër etno-nacionalizmit dhe totalitarizmit. Këto qëndrime ai nuk i ka ndryshuar deri më sit. Ai flet me ngulm kundër korrupsionit dhe nepotizmit, dy fenomene të ngulitura në shoqërinë kosovare që nga epoka osmane.

Ndonëse Kurti është kryetar i partisë më të madhe dhe anëtar parlamenti, ai edhe më tutje jeton me modesti në një banesë studenti. Ai është Robespierre dhe jo Danton – kështu bënin shaka para ca vitesh intelektualët kosovarë duke e përshkruar Kurtin me një përzierje mes adhurimit dhe habisë.

Në vitin 1997 Kurti organizoi protesta kundër shtypjes serbe dhe këtë e bëri para tytave të policisë dhe ushtrisë së atëhershme serbe. Edhe kur UÇK nisi aksionet e armatosura, Kurti vazhdoi me kulturën e tij paqësore të protestës. Kjo nuk ndryshoi as kur Kurti filloi të punojë në zyrën e kryengritësit legjendar kosovar, Adem Demaçi, i cili kishte kaluar gati 30 vjet në burgjet serbe.

Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, shkruan “Tageszeitung”, Kurti u arrestua dhe në një proces të montuar politik i dënua me 15 vjet burg. Pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviqit, ai u lirua dhe u kthye në Prishtinë.

Kurti themeloi Lëvizjen Vetëvendosje edhe si përgjigje kundër vendimeve të imponuara nga misioni i OKB-së, UNMIK. Kur më 2004 u dogjën disa kisha ortodokse serbe, Kurti u distancua. Që atëherë ai i shihte serbët dhe pakicat e tjera si qytetarë të barabartë. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës Vetëvendosje u shndërrua në parti politike. Kurti thoshte se bashkësia ndërkombëtare po i shantazhon politikanët e UÇK-së, sepse ata janë të korruptuar, rrjedhimisht edhe të gatshëm të lëshojnë pe ndaj Serbisë.

Për shkak të këtyre kritikave Hashim Thaçi dhe disa fuqi ndërkombëtare e shpallën Kurtin armik kryesor dhe e njollosën duke e akuzuar se si nacionalist shqiptar synon bashkimin me Shqipërinë, pastaj e akuzuan se na qenkësh komunist. Megjithatë, Kurti i fitoi zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar. Kurti ka kundërshtuar planet për ndarjen e Kosovës sipas vijave etnike, një plan që përkrahet nga diplomatët amerikanë dhe rusë.

Kryeministri i ardhshëm i Kosovës ka premtuar reforma të thella, në plan të parë qëndron lufta kundër korrupsionit. Buxhetit pritet të rishikohet, shkollat dhe universitetet të reformohen dhe ekonomia të stimulohet, duke marrë parasysh edhe teknologjinë e gjelbër. Pakicës serbe Kurti i ka premtuar bashkëpunim dhe integrim. Ai ka kërkuar që Serbia të kthejë artefaktet e vjedhura të Kosovës dhe të sqarojë fatin e shqiptarëve të zhdukur, të cilët gjatë luftës janë deportuar në Serbi, shkruan “Tageszeitung” e Berlinit

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close