Gazetari britanik e pyet publikisht Surinamin: A e keni tërhequr njohjen e Kosovës?
Gazetari britanik Tim Judah e ka pyetur publikisht Surinamin nëse e kanë tërhequr ose jo njohjen e Kosovës. Ai në rrjetin social Twitter i ka bërë thirrje qeverisë suriname që të konfirmojë nëse po e ritërheqin njohjen e tyre ndaj shtetit të Kosovës.
“I bëj thirrje Qeverisë së Surinamit. A mund të na konfirmoni se e keni ritërhequr njohjen tuaj ndaj shtetit të Kosovës”, ka shkruar në Twitter, Tim Judah.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, gjatë konferencës “urgjente” ku ka folur për vendimin e autoriteteve të Surinamit për “tërheqjen e njohjes” së pavarësisë së Kosovës, ka treguar se vendimi është marrë nga Qeveria e Surinamit më 27 tetor.
Në Serbi është prezantuar edhe një dokument ku flitet për revokimin e njohjes së pavarësisë së “Kosovës e Metohisë”.
Në Ministrinë e Jashtme të Kosovës kanë mohuar se është anuluar njohja nga Surinami duke thënë se Daçiq po shpif.
Madje, ata thonë se tërheqja e njohjes as që ekziston si koncept në të drejtën ndërkombëtare.