fbpx
Lajme

Gjykata e Apelit ende s’ka nxjerrë vendim për Sekiraqën

Gjykata e Apelit ende nuk ka dhënë vendim për masën e sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, përkundër se të martën bëhen një javë nga seanca dëgjimore në të cilën Prokuroria e EULEX-it kërkoi mbajtjen e tij në burg, derisa vetë i dënuar me 37 vjet burgim për nxitje të vrasjes kërkoi falje se shkeli ndalesat e arrestit shtëpiak, gjatë më shumë se 24 orëve në liri. Apeli konfirmon se vendimi do të nxirret gjatë kësaj jave.

Kosovare Kelmendi, avokate e Enver Sekiraqës, thotë se është duke pritur çdo minutë që trupi gjykues i Gjykatës së Apelit, i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një vendor, ta njoftojnë për masën e sigurisë ndaj klientit të saj të dënuar me 37 vjet burgim për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza.

AMP:

Ajo të hënën konfirmoi për Gazetën Express se ende nuk ka vendim të ri të Apelit, dhe se nuk dëshiron të paragjykojë çfarë mund të jetë ky vendim, ani pse i njëjti trup gjykues 11 ditë më parë e la të lirë në arrest shtëpiak Sekiraqën.

“Ne në çdo moment jemi duke e pritur vendimin e EULEX-it. Që nga java e kaluar po e presim”, tha Kelmendi përmes telefonit.

Gjykata e Apelit ka konfirmuar se vendin për Sekiraqën do ta nxjerrë gjatë kësaj jave.
“Gjykata e Apelit e ka shtyrë për këtë javë vendimin lidhur me ankesën kundër aktgjykimit dhe vendimin mbi masën e paraburgimit”, ka thënë Arbër Jashari për Express, zëdhënës në Apel.

Enver Sekiraqa më 19 të këtij muaji u lëshua në arrest shtëpiak me një vendim të Gjykatës së Apelit. Por, i njëjti u kthye pas më shumë se 24 orësh në burgun e Dyzit, pasi shkeli disa nga ndalesat që gjykata i kishte caktuar në vendimin për ndryshim të masës së sigurisë ndaj tij.

Sekiraqa e kishte të ndaluar të takonte persona tjerë, përveç atyre me të cilët banonte, gjatë kohës sa ishte në arrest-shtëpiak. Por, pak kohë pasi u lira në rrjete sociale u shpërndanë fotografi të tij me persona tjerë jashtë familjes, të cilat u publikuan edhe në Gazetën Express.

Për këtë, të martën që shkoi, vetë Enver Sekiraqa kërkoi falje në gjykatë, duke pretenduar se nuk ishte në dijeni për ndalesat e gjykatës. Edhe avokatja e tij Kosovare Kelmendi i pranoi gjykatës se klienti i tij ka shkelur ndalesat, por tha se ajo s’e kishte informuar atë në kohën kur ndodhën shkeljet, pasi ende s’e kishte marrë vendimin e shkruar për lirim të Sekiraqës.

Nga ana tjetër, në të njëjtën seancë dëgjimore, Prokurori i EULEX-it i tha trupit gjykues të Apelit se natën kur Sekiraqa u kthye në Dyz, një i burgosur tjetër kishte dëgjuar një bisedë të Enver Sekiraqës për planet e tij për arratisje.

Derisa Enver Sekiraqa është duke e pritur vendimin e ri të Gjykatës së Apelit për masën e sigurisë ndaj tij, lirimi i një të dënuari me 37 vjet burgim në arrest shtëpiak është konsideruar skandaloz, dhe ka nxitur reagime të njohësve të ligjit, e për më tepër edhe të një ambasadoreje kosovare.

Vlora Çitaku, nga SHBA-ja, tha se në vitet ’90 femrat në Prishtinë kishin më shumë frikë nga “krimineli që u la i lirë nga gjyqtarë të EULEX-it dhe të Kosovës”, derisa njohësit e drejtësisë konsideruan se Apeli shkeli paragrafin e dytë të Nenit 367 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, kur liroi një të dënuar me 37 vjet burgim.

“Nëse gjyqtari i vetëm ose trupi gjykues shqipton dënim prej pesë (5) ose më shumë vjet burg të akuzuarit ia cakton paraburgimin, nëse ai nuk gjendet në paraburgim, ose ia vazhdon atë kur i akuzuari gjendet në paraburgim”, specifikohet në paragrafin 2 të Nenit 367 të Kodit të Procedurës Penale.

Por, për vendimin e gati para dy jave, EULEX ende nuk është deklaruar. Për më tepër ky mision ndërkombëtar sugjeron që të kërkohen shpjegime në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përkundër se vendimi është dhënë nga dy gjyqtarë të saj dhe një vendor.

AMP:

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close