Grabovci: Gjatë pajtimit të gjaqeve jemi takuar tri herë gjatë javës me Rugovën
Njëri nga nismëtarët e parë të pajtimit të gjaqeve, veprimtari Adem Grabovci, për Oral History Kosovo kishte treguar disa detaje interesante për atë periudhë.
Ja rrëfimi i Adem Grabovcit:
… Po ashtu gjatë aksionit t’pajtimit t’gjaqeve kemi edhe ni aksion shumë t’randësishëm, mobilizimin për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, pra 2 korrikun, ku në koordinim s’bashku me zotin Rugova n’atë kohë, dhe n’koordinim me deputetët e Parlamentit t’Kosovës atëherë, kem koordinu me Muhamet Bicin, m’kujtohet me Et’hem Çekun kur kem shku kem bisedu, kem bisedu me Adem Mikullovcin, me disa deputetë dhe kem bisedu me Ibrahim Rugovën. Na janë kërku ni numër i nënshkrimeve, që ishte si referendum. Dhe ne e kem shfrytëzu këtë mekanizëm tonin të organizimit që ishte në nivel të çdo vendbanimi, jo vetëm t’komunës, jo vetëm t’fshatit, po edhe në lagje. Dhe n’afat rekord, ne kem grumbullu mbi tetë qind mijë nënshkrime që ia kem çu deputetëve t’kuvendit. Që ishte referendum, që ishte nji mundësi për t’iu kriju deputetëve, me u thirrë në vullnetin e qytetarëve, se të gjithë janë për shpalljen e pavarësisë. Dhe kjo ka ndodhë.
E kem elaboru idenë tonë para presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, dhe kjo ka ndodhë në shtëpinë e tij. Se fillimisht ne me Ibrahim Rugovën jemi taku pothujë edhe dy herë apo tri herë gjatë javës, gjatë pajtimit të gjaqeve. Dhe Këshillet e Pajtimit kanë ndiku në formimin dhe masovizimin e Lidhjes Demokratike t’Kosovës. Se gjithë ato Këshille që i kem pasë ne t’pajtimit t’gjaqeve nëpër komuna, nëpër fshatra, nëpër lagje, janë shndërru pastaj në strukturë të organizume t’Lidhjes Demokratike të Kosovës. Dhe t’gjithë pa përjashtim kanë dhanë kontributin e vetë dhe kanë fuqizu. Se Lidhjen Demokratike n’atë kohë, ne e kem pasë si ni front të përbashkët. Dhe e kem shfrytëzu besoj në mënyrë të mrekullueshme. Dhe kjo ka qenë arsyeja që ne jemi taku vazhdimisht me presidentin Rugova.
Pastaj kanë qenë aktivistë që kanë marrë detyra konkrete. Janë zgjedhë kryetarë në rrafshin e Dukagjinit, po edhe n’nivel t’vendit, si Shaban Mani që ka qenë ni aktivist i dallumë edhe n’pajtimin e gjaqeve. Ni njeri i organizumë edhe në Ilegale. Ka qenë Ramë Berisha po ashtu që ka vepru n’Istog. Aktivist i dallumë, shumë i guximshëm, edhe n’kohën e Ilegales, se kom pasë kontakte të drejtpërdrejta, poro edhe në pajtimin e gjaqeve që nuk kanë kursy asgja nga vetja e vetë. Ka qenë Nezir Gashi, ka qenë Mustafë Ademi doktori, Riza Krasniqi, e shumë, e shumë, e shumë tjerë që vërtetë kanë ndiku. Dhe takimet tona me kryetarin e Lidhjes Demokratike t’atëhershme, Ibrahim Rugovën, fillimisht jem taku në selinë e Lidhjes Demokratike. Po me kalimin e kohës, ne na ka sygjeru të takohemi në vende të veçanta, që n’disa raste jemi taku edhe në familjen e tij, në banesën e tij në Lakrishtë ku e ka pasë.